Politika

Rama: Opozita në rrugë pa krye, ne mbrojmë interesat e shqiptarëve

“Opozita është në një rrugë pa krye ku e vetmja gjë e re është vendimi politikisht vetëvrasës i udhëheqjes së saj politike”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Në fillim të fjalës së tij në seancën plenare, Rama paralajmëroi vizitën e tij në Itali, gjatë ditës së sotme.

“Më duhet të shkoj matanë detit për të bërë përpjekjen time që të shpjegoj për publikun e Italisë se çfarë lajmesh janë shfaqur me ato pamje të shqetësuara dhe realisht shqetësuese, nuk është një protestë popullore por një reagim brenda pallatit të politikës nga ajo pjesë e përfaqësisë politike të popullit shqiptar që për asnjë moment nuk pati sensin e realitetit dhe reflektimit mbi vetveten në radhë të pare”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje zhvillimet e 2 viteve më parë, kur në këtë periudhë, në bulevard u ngrit një çadër dhe nga ajo çadër nisi një rrugëtim për të ndërtuar një Republikë të re, me kushtin e panegociueshëm për një qeveri pa Edi Ramën kryeministër”. Ata kërkonin një qeveri tranzitore, tha Rama, për të garantuar zgjedhje sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament.

“E mbani mend të gjithë se ne vumë interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik dhe faktikisht bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve politike në Shqipëri, duke i vënë në dispozicion opozitës të gjitha ato që kërkuan. I vumë në dispozicion gjithçka, duke marrë mbi vete pakënaqësinë e pjesës dërrmuese të mbështetësve tanë. Ata morën Ministrinë e Brendshme,  të gjitha ministritë që kërkuan, Arsimin, Shëndetësinë, Financat, me idenë që këto ministri ishin ministri elektorale dhe PS mund t’i përdorte për qëllime elektorale”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, opozita zgjodhi kryetarin e KQZ-së dhe kishte shumicën në këtë komision. Për herë të parë, tha ai, u zhvilluan zgjedhje ku kolegji zgjedhor mbeti pa punë, pa asnjë ankesë, zero.

“I bëmë të gjitha këto duke kërkuar vetëm dy gjëra: kush fiton qeveris dhe kush nuk fiton pranon rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk nxin Shqipërinë në gjuhë të huaj. Nuk kishim asnjë kërkesë tjetër. Dihet si shkoi rezultati dhe dihet po ashtu se edhe pas zgjedhjeve pati një periudhë qetësie të plotë, ku askush nuk e kontestoi rezultatin pasi të gjithë komisionerët firmosën procesverbalet pa asnjë ankesë. Me shumicë të opozitës KQZ votoi 7 me 0 rezultatin”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “jemi të gjithë dëshmitarë se çfarë opozite kemi pasur”. “Një grusht njerëzish pa ide, pa asnjë program, pa asnjë sens përgjegjësie për të përfaqësuar ata që i zgjodhën dhe i sollën këtu, jo për të demonstruar muskujt. Sot ne jemi në kushtet kur ata janë larguar dhe një pjesë tjetër e opozitës kanë zgjedhur të zënë vendet e tyre në parlament. Kjo është e drejta e tyre, ne duhet ti japim këtij parlamenti përmasën e halleve, shpresave dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë”, tha Rama.

Se çfarë do të ndodh me ata që janë jashtë, sipas Kryeministrit, “kjo u takon zgjedhësve të tyre, pasi ne jemi këtu për të vijuar punën tonë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button