Rama për revistën italiane “Oggi”: Shqipëria është në zemër të Europës
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për revistën italiane ”Oggi” (”Sot”), flet për Shqipërinë dhe zhvillimet e fundit në vend.
Gazetarja Maria Buonanno e intervistoi kryeministrin Rama në zyrën e tij në Tiranë.
Si do të zgjidhet kriza politike në vend?”
“Të shohim“, thotë Rama për gazetaren italiane, e cila shton se kryeministri shqiptar ka vështrimin e njeriut të mbushur me ide, por që i shikon nga 1000 dritare.
Nëse është i shqetësuar, ai nuk e shfaq një gjë të tillë, por hyn në studion e tij, që gjendet pranë sallës së mbledhjeve të qeverisë, në Kryeministri.
Në fund të një takimi për turizmin, Rama, i cili është edhe piktor dhe ka hapur ekspozita në Itali, Nju-Jork dhe Berlin, ka takime të tjera institucionale, por këmbëngul që të na tregojë zyrën e tij atelie. Në mure ka riprodhime të pikturave të tij, të mbushura plot ngjyra, ato që ai i quan shkarravina: letër muri, një tapiceri që tregon figura të çrregullta, ku ndërthuret e kuqja me blunë, objekte, ato që vizaton në fleta dhe fletushka edhe kur është duke folur në telefon apo gjatë ndonjë takimi politik. Mbi skrivani ka të rreshtuar në mënyrë të rregullt, penela, lapsa dhe akuarele, si të përfaqësonin ëndrrën e një bote me ngjyra.
Shkurtin e kaluar, PD, parti e qendrës së djathë, organizoi protesta në rrugë kundër Ramës duke kërkuar dorëheqjen e tij pas akuzave për korrupsion si dhe zgjedhje të reja politike. Tashmë shumë presin zgjedhjet vendore të 30 qershorit, që e djathta i ka bojkotuar.
Por, ata i mbajnë shpresat te turizmi.
“Në 2013 turistët në Shqipëri ishin 2,3 milionë, në 2018 ishin 6 milionë e ne synojmë të arrijmë në 10 milionë gjatë pesë viteve’’, thotë kryeministri Rama, duke shtuar se dhe pse Shqipërisë i mungojnë Leonardo apo Ghiotto, ka shumë histori e kulturë për t’u zbuluar e rrëfyer.”
Shqipëria ka më pak se 3 milionë banorë, por ka parqe arkeologjike si Apolonia e Butrinti.
Në Shqipëri ekzistojnë gjurmë urbanistike të arkitekturës italiane lindur nga aleanca e Shqipërisë me Italinë fashiste, ekzistojnë bunkerë që dëshmojnë sundimin e vendit nga regjimi komunist, disa thonë se janë rreth 175 mijë e disa të tjerë mbi 700 mijë.
Shqipëria e ka detin dhe brigjet e saj të frekuentuar shumë nga turistët kosovarë, polakë e italianë.
Vetëm vitin e kaluar Shqipërinë e kanë vizituar rreth 436 mijë italianë, 60% më shumë në krahasim me vitet e kaluara.
Ndërsa në 2018 numri i turistëve u rrit me 15,8% më shumë në krahasim me 2017.
Shqipëria, ku mungojnë rrjetet hekurudhore e autostradat, po ndjek një rrugë zhvillimi bazuar te turizmi.
“Shqipëria i ngjan Italisë së viteve ’60. Ejani, vizitoni Shqipërinë dhe do të gjeni gjyshërit tuaj, ashtu siç ata dikur shihnin me shpresë të ardhmen. E ndoshta dhe për të parë se sa të aftë jemi edhe ne për të shkatërruar peizazhin, ashtu si dhe ju dikur”, shton me një ironi të hidhur kreu i qeverisë shqiptare.
E si për të justifikuar se disa gabime janë të pashmangshme, nënvizon revista italiane “Oggi”, kryeministri shqiptar shton se “në një proces modernizimi jo gjithçka funksionon gjithmonë si duhet”.
“Turizmi sjell punë, njohuri e hapje ndaj botës dhe ne kemi shumë për të mësuar e për të kopjuar nga Italia. Ne ndjehemi italianë”, thotë Rama.
Rama kujton se në Shqipëri ekziston taksa e sheshtë vetëm 15% ashtu si në Itali që e ka propozuar edhe Salvini, prandaj është një vend i hapur për investitorët e huaj.
“Shqipëria ka ëndërr Europën. Për ne është i vetmi vend paqeje dhe ne jemi në zemër të saj pa qenë pjesë’’, thekson Rama.
Për kryeministrin shqiptar Europa duhet të ndryshojë e të refomohet, por nuk duhet braktisur.
‘’Lindja e BE ishte një projekt futurist. Në Shqipëri të gjithë flasin italisht, e kanë mësuar nga televizioni përgjatë viteve të komunizmit ku u vranë 7 mijë persona, u internuan mbi 40 mijë, ku u shkatërruan 2 500 kisha e xhami. Pas rënies së këtij regjimi nisi eksodi i madh i shqiptarëve dhe drejt Italisë e ku sot jetojnë 500 mijë shqiptarë”, thotë Rama.
“Shpesh flitet për Shqipërinë si vendi ku mbretëron krimi i organizuar.
Por, ky është një vizion që ka prekur dhe prek edhe Italinë. E atëherë, i bie që ne jemi të dytët, vijmë menjëherë pas jush”, thekson Rama.
E thotë si batutë, komenton gazetarja italiane, dhe të gjithë qeshin, edhe italianët e pranishëm.