Politika

Rama për Samitin: Kthesë strategjike në historinë e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se, Tirana është një stacion i zgjedhur në mënyrë shumë të mirëmenduar për zhvillimin e Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët dhe mediet, Rama u shpreh se, “jemi 48 orë nga një ngjarje e jashtëzakonshme, një ngjarje historike. Në këndvështrimin tim më e rëndësishmja në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit, kur i gjithë BE, të gjithë liderët e Evropës së bashkuar zbresin në Tiranë, për herë të parë në një vend jo të BE-së, për një Samit që Këshilli Evropian zhvillon së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor”.

Rama e cilësoi zhvillimin e këtij Samiti në Tiranë, “si një vlerësim pa diskutim strategjik nga ana e organizatorëve për ta vendosur pikërisht në Tiranë këtë stacion të një rrugëtimi që për arsye të cilat i kemi thënë dhe do t’i shtjellojmë më tutje, sot, edhe në të ardhmen, po bëhet një rrugëtim gjithnjë e më i përbashkët, në një botë e cila na vendos, përballë sfidash gjithmonë e më të përbashkëta”.

“Është një kthesë strategjike në historinë e BE-së, të shumë viteve të fundit kjo kthesë drejt një qasjeje tërësisht të re ndaj Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.

“Modestisht duhet ta them që kemi luajtur rolin tonë për të ardhur në këtë kthesë dhe kemi dhënë një sërë provash se jemi gati për t’u vlerësuar dhe konsideruar ndryshe. Dhe këtu kam parasysh, jo thjesht Shqipërinë, por Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, theksoi Rama.

Kreu i ekzekutivit shtoi se, “është një kthesë strategjike patjetër e nxitur nga pandemia si fillim, pastaj edhe nga agresioni rus në Ukrainë, në vijim. Por është edhe një vlerësim strategjik për Shqipërinë, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Nuk është një stacion i zgjedhur kështu rastësisht. Është një stacion i zgjedhur në mënyrë shumë të mirëmenduar”.

Rama tha se, “ne po përgatitemi për këtë Samit. Për të luajtur përsëri rolin tonë, si Shqipëri, por edhe si rajon, pa diskutim, siç jemi përpjekur dhe besoj e kemi luajtur me sukses, prej kohësh tanimë, kur në tryezën e të mëdhenjve të Evropës jemi ulur gjithnjë si të barabartë mes të barabartësh dhe pavarësisht se jemi shumë të vetëdijshëm për rrugën që ende na duhet të bëjmë për t’u bashkuar me atë tryezë si anëtarë të barabartë mes të barabartësh, nuk jemi penguar asnjëherë në vetëdijen tonë, por as në këtë përpjekje tonën për të qenë të drejtpërdrejtë dhe për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pa asnjë kompleks dhe pa asnjë frikë”.

“Besoj ju kujtohet të gjithëve që kur unë ngrita zërin, posaçërisht lart, në momentin që BE refuzoi të na shikonte si pjesë të procesit të shpërndarjes së vaksinave në fazën e parë, në dallgën e parë të frikshme të COVID-it, shumëkush tha se kjo ishte një marrëzi dhe se ky ishte faktikisht fundi i një marrëdhënieje normale me BE-në, dhe se BE do të hakmerrej për këtë. Na fakt ndodhi krejt e kundërta dhe, jo vetëm sepse ne ishim në të drejtën tonë, por edhe sepse BE nuk është një strukturë, nuk është një institucion, nuk është një forcë, e cila reagon si i forti i lagjes, përkundrazi, rëndësi ka të kesh të drejtë dhe të dish ta përcjellësh mesazhin mbi atë që të takon, në mënyrë të kuptueshëm, të qartë dhe të drejtë dhe pa diskutim që zëri yt, herët ose vonë, por në këtë rast më herët sesa vonë, u dëgjua”, tha Rama.

I pyetur në një bashkëbisedim online me qytetarët dhe mediet nëse Samiti mes BE dhe Ballkanit Perëndimor do të sjellë financime për vendin tonë, Rama u shpreh se, “jemi në një fazë të jetës së vendit ku nuk jemi të vetëm ne, por janë të gjitha vendet të prekura shumë drejtpërdrejt nga lufta e Vladimir Putinit në përpjekje për të pushtuar dhe për të marrë me dhunë pjesë të Ukrainës dhe nga inflacioni i luftës”.

“Ndërkohë, dua të sjell në vëmendje një lajm gjithmonë e më insistues për nga përmbajtja realisht shumë domethënëse për kohën që jetojmë, mbi largimet masive të njerëzve nga Italia. Dhe nuk është vetëm Italia, por janë shumë vende që po përballen me këtë proces. Sepse sigurisht gjithmonë bari i komshiut është më i gjelbër thonë dhe gjithmonë hesapet e tjetrit bëhen më kollaj. Por për të gjithë ata që thonë se atje pagat, atje jeta, atje mundësitë etj, mendoj që është koha për ta ri parë këtë pozicion sepse e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.

Rama tregoi bisedën me disa miq italianë.

“Më tregonin që paguajnë 67%. Ishin sipërmarrës të vegjël në manifakturë në Itali. 67% taksa, pa TVSH-në brenda. Kjo është një shifër, e cila tregon shumë qartë që ato të ardhurat që ne i lexojmë nga larg, janë njëra anë e medaljes, ana tjetër e medaljes janë kontributet. Dhe kur vjen puna tek raporti mes të ardhurave dhe kontributeve, si dhe kur vjen puna tek mundësitë në raport me një periudhë tjetër, me periudhën, le të themi të viteve ’90 apo dhjetëvjeçarit të parë të viteve 2000, mjafton të pyesim njerëzit tanë, të afërm, të njohur, që i kemi në Itali, për të kuptuar që realisht vështirësitë janë në rritje”, tha Rama.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, “ka një problem sesi reflektohet ekonomia dhe si reflektohet puna, në pasqyrat tona mediatike dhe në pasqyrën e debatit tonë publik, në mënyrë komplet të deformuar. Lajmi i mirë është se, pagat reale në Shqipëri janë në rritje, edhe sot që flasim, sidomos në sektorin privat. Lajmi i keq është që kjo e dhënë jo vetëm nuk reflektohet, por përkundrazi, e kundërta ju thuhet përditë shqiptarëve, ashtu sikundër, problemi i krahut të punës bëhet gjithmonë e më i madh”, theksoi Rama.

Sa i përket pyetjes nëse “ka ky Samit ndonjë lek apo është vetëm për foto”, Rama u shpreh se, “jemi gjithmonë e më të përfshirë në një proces ku mbështetja financiare e BE bëhet gjithmonë e më e konsiderueshme. Dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje që ajo të zgjerohet, pavarësisht se ndërkohë duhet të vazhdojmë me procesin e integrimit të plotë. Dhe çka po insistojmë  shumë fort nga ana jonë si Shqipëri, por kemi besoj edhe mirëkuptimin dhe mbështetjen në këtë ide  dhe të vendeve të tjera të rajonit, është që për disa pjesë të përfitimeve nga procesi i integrimit të mos pritet që ne të bëhemi anëtarë të BE. Këto janë pjesë që kanë të bëjnë me universitetin, bujqësinë, të rinjtë dhe me investimet strategjike në infrastrukturë, digjitalizim dhe energji”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button