Rama: Përfshirja e plotë e Ballkanit Perëndimor në NATO, investim strategjik
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të hënën në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-së që po zhvillohet prej tre ditësh në Tiranë se përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO do të jetë pa dyshim investim strategjik kapital, ku përfaqësimi e arkitektura e sigurisë europiane e euroatlantike në jug e juglindje të vendit do të merrnin një trajtë shumë më të plotë e të sigurtë.
“Kjo do të ishte në të njëjtën kohë edhe përgjigja më e qartë si për ambiciet gjeopolitike të aktorëve të tjerë të rajonit, ashtu edhe përball rreziqeve e kërcënimeve që vijnë pa ndërprerje nga Lindja e Mesme e Afrika e Veriut.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO ishte historik dhe përcaktoi të ardhmen e re për Shqipërinë. Por, Rama vuri theksin në faktin se Shqipëria është e interesuar që edhe Mali i Zi dhe Maqedonia të anëtarësohen në NATO”,
Ne duam, vijoi Rama, që edhe Maqedonia të ankorohet në kursin euroatlantik. Sipas tij, eleminimi i trashëgimisë jugosllave në mendësinë dhe në praktikën shtetërore mbetet një parakusht për të ardhmen e atij vendi për të cilin Shqipëria është e interesuar që të jetë sa më demokratik, i begatë dhe i konsoliduar.
“Ne besojmë në potencialin e Maqedonisë dhe çmojmë investimin konstant të SHBA-ve dhe BE-së për sigurinë demokratike të saj. Maqedonia ka shansin të projektojë të ardhmen e saj, jo mbi formulat arkaike të aritmetikave etnike, fetare apo kulturore, por mbi bazën e vlerave të mëdha të lirisë e progresit, si kusht për bashkëjetesën e qytetarëve të lirë”, tha Rama.
Një shtet dhe një shoqëri e tillë, theksoi ai, pa hierarki të imponuar etnike dhe kulturore, e integruar në NATO e BE do të jetë pa asnjë dyshim një faktor dhe një model shumë i rëndësishëm për një Ballkan në paqe dhe prosperitet. “Ngrirja e proceseve të paqtimit të brendshëm dhe integrimit euroatlantik vetëm e shton nevojën për mbështetjen e fuqishme nga ana e NATO-s dhe BE-s për Maqedoninë”, deklaroi Rama.
Duke folur për integrimin e Kosovës, Kryeministri Rama shprehu besimin se integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri për të gjithë familjen euroatlantike. “Nëse Bosnje-Hercegovina e Maqedonia relegjionitetin etnik ta shndërrojnë në motorin e integrimit euroatlantik, Kosova duhet të shndërrojë homogjenitetin e saj në një faktor integrimi euroatlantik”, tha Rama.
Këtë e them, vijoi ai, sepse për fat të keq ka ende aktorë të veçantë të skenës europiane që e konsiderojnë homogjenitetin e Kosovës si një problem më vete”, u shpreh Kryeministri. “Këto qasje bëjnë që shteti më i ri i Europës ende të përpiqet që thjeshtë ti njihet nga disa vende europiane e drejta për të ekzistuar apo për tu integruar duke u njohur e pranuar, ndërkohë është pikëpamja jonë shumë e qëndrueshme se koha që jetojmë na vendos të gjithëve përballë sfidave të reja në përmasë dhe në rrezik, përballë të cilave shumë prej mekanizmave tradicionale që kanë imponuar këtë marrëdhënie krejtësisht kryqëzuese për Kosovën duhet lënë pas në emër të stabilitetit dhe të sigurisë të gjithë secilit dhe gjithëve së bashku”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Mbetet i padiskutueshëm, u shpreh Rama, fakti që përgjegjësitë e integrimit të Kosovës nuk mund të kërkohen vetëm jashtë saj. Sipas tij, udhëheqja politike, institucionet dhe mbarë shoqëria e Kosovës do të mbajnë barrën kryesore për këtë proces jetik, si për shtetin më të ri në Europë, ashtu edhe për krejt rajonin.
“Por institucionallizimi i marrëdhëneieve NATO-Kosovë dhe më pas ankorimi i Kosovës në familjen e përbashkët euroatlantike duhet parë si katalizator për të gjithë procesin integrues të rajonit. Integrimi në Aleancë i vendeve të rajonit që aspirojnë fort anëtarësimin siç është Kosova, do të jetë një faktor reflektimi dhe inkurajimi edhe për vende që ende janë të dyzuara në raportin e tyre me NATON-n”, deklaroi ai
kryeministri Rama po ashtu vuri në dukje se Samiti i Varshavës do të mbetet historik edhe për domethënien e problemeve që kërkojnë trajtim e zgjidhje prej këtij samiti. “Nga njëra anë Rusia po aplikon një doktrinë përherë në rritje mbetet shqetësimi konstant, nga ana tjetër valët e terrorizmit ekstremizmit të dhunshëm ,si dhe kriza e refugjatëve që e ka origjinën në Lindjen e Mesme e Afrikën e Veriut kanë implikim të drejtpërdrejtë për arkitekturën e sigurisë europiane”, nënvizoi Rama.
Në këto kushte, tha ai, ne duhet të përforcojmë, por edhe të zgjerojmë gamën e kapaciteteve tona për të përballuar me sukses rreziqe që përherë e më shumë po marrin trajtë e natyrë globale e përherë e më shumë sfidojnë mekanizmat tradicionale të përgjigjeve ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve.
Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe në rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO. “Jemi të vetëdijshëm për mundësinë për të dhënë kontribute të spikatura në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, jo vetëm duke u rreshtuar krah për krah me aleatë e partnerët tanë strategjik në çdo front por duke qenë pjesë aktive e një fronti që shkon përtej mjeteve konvencionale në këtë betejë globale”, tha Rama.
Në përgjigjë ndaj përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, Kryeministri Rama tregoi mirënjohjen e tij për bashkëpunimit që kanë pasur në shumë fusha me qeveritë angleze në kohë.
Ai i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me Britaninë, në nivelin e sigurisë, drejtësise ndër vite.
Po ashtu ai i bëri thirrje Britanisë së Madhe që të mos largohet nga Bashkimi Europian.
“ Mbaj mend delegacionin që vinin e me takonin kur isha kryetar Bashkie dhe kush do të thoshte atëhere që pas 10 vitesh unë do të isha kryeministri dhe ju do të ishit gati për t’u larguar nga evropa. Është botë interesante dhe unë nuk e kam imagjinuar asnjëherë që do të duhej të hyja në një debat rreh të qendruarit ose jo në Bashkimin Europian të Britanisë edhe t’iu thoja juve, ju lutem mos u largoni”, tha Rama.