Rama: Projekti juaj do të bëhet axhenda e punës së çdo shkolle
Nga data 1 shkurt projekti “3 lëndë në 6 orë” që reformon kalendarin ditor të orëve mësimore do të jetë axhenda e punës në shkollat shqiptare.
Sipas këtij projekti të propozuar nga një grup prindërish, nxënësish dhe mësuesish në platformën e bashkëqeverisjes, “www.shqipëriaqëduam.al”, çdo klasë do të zhvillojë 3 lëndë nga dy orë secila duke lehtësuar kështu barrë si për nxënësit edhe për mësuesit.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, përmes një komunikimi interaktiv me grupin e prindërve, nxënësit dhe mësuesve u shpreh se ishte menduar të ndaheshin ën dy pjesë tekstet shkollore, por ky projekt është një ide shumë më e mirë.
“Nëse një mësuese sot përgatitet për 6 klasa në ditë, tashmë do t’i duhet të përkushtohet vetëm për 3 klasa. Gjithashtu përgjysmohet numri i nxënësve që një mësues do të duhet punojë çdo ditë”, tha Nikolla.
Po ashtu, nënvizoi ministrja, “nxënësit nuk do të duhet të përgatiten në ditë për 6 lëndë të ndryshme, por për 3 lëndë. Kjo duke bërë që dhe rëndesa e çantave të tyre të mos jetë më problem”.
“Projekti juaj do të bëhet axhenda e punës së çdo shkolle”, theksoi ministrja Nikolla.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama, u shpreh se, ky projekt bëhet realitet falë kurajos për të besuar. Ne gjendemi me një zgjidhje shumë të thjeshtë dhe shumë të plotë përpara nesh në tavolinë. Pra kjo erdhi si rezultat i një prindi dhe pastaj si rezultat i bashkëpunimit si prindër, nxënës, mësues dhe i faktit që ne kemi ngritur këtë urë bashkëpunimi. Dhe kjo është një kënaqësi pasi kjo vërteton se kjo platformë mund të shërbejë si një urë bashkëqeverisjese. Pasi ka nga ata që me të drejtë kanë mosbesim”.
“Ne kemi filluar të provojmë se ankesat e njerëzve në platformë adresohen sipas afateve që kemi premtuar. Dhe nuk kalojnë përmes filtrave, po shkojnë drejt e ke ministri. Dhe kjo është një vlerë e madhe e shtuar sepse kjo platformë nuk trajton vetëm ankesat, por dhe hapat konkretë për nisma konkrete”, tha Rama.
“Platforma ka filluar të funksionojë dhe kryesisht ankesat dhe kërkesat kanë zënë pjesën më të madhe të volumit deri tani, por ndërkohë njerëzit që janë regjistruar dhe kanë shprehur ankesat janë dëshmitarë që platforma funksionon. Kjo do të thotë që kushdo që ka një çështje për ta adresuar në lidhje me mosmarrjen e një shërbimi në cilësinë e duhur, në lidhje me mosplotësimin e një të drejte ligjore në raport me zyrat e shtetit, në lidhje me situata fyese që kanë të bëjnë me tentativa për korrupsion apo me zvarritje për të marrë atë që i takon, duhet t’i referohet kësaj platforme me besim se komunikon drejtpërdrejt me ne dhe merr drejtpërdrejtë mbështetjen tonë për të realizuar plotësimin së drejtës së vet”’, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndërkohë, theksoi Rama, “nismat janë disa, por është përzgjedhur kjo nisëm për ta çelur këtë proces. Shpresoj që duke parë këtë shembull konkret, këtë nisëm qytetare që i përket këtij procesi bashkëqeverisje që kemi nisur që prej fillimit të këtij mandati të tjerë do të na drejtohen për të gjetur zgjidhje të reja, rrugë të reja, duke përmirësuar reformat tona dhe procesin e bashkëqeverisjes”.