Rama: Shkarkimi i Veliajt, vendim i detyrueshëm
Tirana nuk mund të vijojë më si një ‘trup pa kokë’, dhe zgjedhjet e reja për kryebashkiakun shihen si një urgjencë nga kryeministri Edi Rama, edhe për shkak të bllokimit e ngecjes së shumë punëve në kryeqytet.
Me nismën e socialistëve që çuan në fund urdhrin e tij, Këshilli Bashkiak votoi një ditë më parë propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt. Të mërkurën gjatë ditës, Prefekti i Tiranës dorëzoi në zyrën e Ramës vendimin. Më herët ai kishte patur një takim me nënkryetarët e Bashkisë, në prani të kandidates socialiste për të marrë drejtimin e kryeqytetit, Ogerta Manastirliu.
Me të në krah, Rama u shfaq pasdite vonë në selinë e partisë, në takimin e dytë, me deputetët e kryeqytetit, dhe ministrat e kabinetit të tij. Një takim që qartazi sinjalizonte nisjen e fushatës për Tiranën. Nëser në mbledhjen e Qeverisë, Rama pritet të finalizojë shkarkimin e Veliajt, përmes firmës së tij.
Kryebashkiaku e ka kundërshtuar publikisht procedurën e ndjekur, duke nënkuptuar një ankimim të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese. Një akt i cili do të bllokonte organizimin e zgjedhjeve në Tiranë. Por Rama po ecën me logjikën e faktit të kryer, pa e marrë fare në konsideratë këtë opsion.
Në fjalën e tij në mbledhjen me ministrat dhe deputetët socialistë të mbajtur në selinë rozë, Kryeministri Rama tha se shkarkimi i Veliajt ishte një vendim i detyrueshëm për shkak të situatës në të cilën ndodhet kryeqyteti.
“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia në lidhje me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm por të detyrueshëm për fatin e kryeqytetit të Shqipërisë. Janë thënë dhe llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata të cilëve iu ka rënë Diella në kokë, as me ata të cilët shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi ndalohet t’ja paraqesë programin me metodat famëkeqe të rrylave të fytit dhe bërrylave në sallën e Kuvendit, dhe as me ata që tre herë rresht nuk e mundën dot Erionin me karikaturat e tyre mediatike”.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se Tirana nuk mund të qëndrojë më pa një kryetar që të drejtojë punët. Rama e cilësoi një “bashki kokëkëputur” situatën në të cilën ndodhet aktualisht Bashkia e Tiranës.
“Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi është një histori drejtësie plot pikëpyetje që s’dihet sa do zgjasë të mos e marrë peng pafundësisht kryeqytetin dhe punët e tij. Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si trupë pa kokë dhe qyterarët nuk mund të bashkëjetojnë me një bashki kokëkëputur”.
Socialistët kanë përzgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate për në zgjedhjet e reja të Bashkisë së Tiranës. Rama tha se opozita do të hyjë e humbur në garën për Tiranën.
“Opozita do hyjë në garë e humbur dhe do dalë akoma më e humbur. Qytetarët, nga anketat nuk e kanë mendjen tek asnjë rival i Ogertës, por tek problematikat, si uji i pjishëm që është kthyer në një problem administrimi”.
Ai theksoi se kandidatura e Ogerta Manastirliut ka mbështetjen e familjes socialiste, ndërsa theksoi se është pa interes se kush do të jetë përballë saj.
“Sot duhet të nisnim punë për zgjedhjet e reja në Tiranë ku me kandidaten e duhur me vizionin dhe me ambicien e duhur do të marrim rezultatin e duhur. Kandidatura e Ogertës ka gjetur mbështetje në PS dhe janë të një mendje se është radha e saj ta udhëheq Tiranë me ambicien që e karakterizon”.
Kryeministri renditi edhe një sërë punësh që kanë mbetur në vendnumëro në Tiranë, që sipas tij, vjen për shkak të mungesës së një kryetari të zgjedhur në krye të Bashkisë.
“Kërkesa për çerdhe dhe kopshte publike rritet. Duhet patjetër që këtë proces ta udhëheqë bashkia duke përgatitur terrenin e nevojshëm për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja. Po ashtu qytetarët duan zgjidhje për transportin publik. Bashkia, në drejtimin e kryetares në detyrë dhe grupit të zgjedhur të fundmi të nëkryetarëve të rinj, ka bërë gjithçka që ka mundur, por nevoja për të legjitimuar udhëheqjen e bashkisë është çdo ditë dhe më urgjente. Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka nevojë për motivim të njerëzve. Mjafton të shohësh rënien dramatike të nivelit të investimeve”.
Siç ndodhi edhe në të gjitha bashkitë e tjera me largimet e drejtorëve, edhe në Bashkinë e Tiranës, theksoi Rama, duhet të ndodhë një katarsis.
“Kjo shtuar dhe domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor në kuptimin e vetëpastrimit të Bashkisë së Tiranës, siç bëmë në bashkitë e tjera, kërkon legjitimin e udhëheqjes së re që mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo drejtues të njësive vendore dhe të cilën ne do ta adresojmë në paketën e re që do kalojmë në qeveri që sjell edhe ndëshkimin e rëndë penal”.
Çfarë ndodhi sot?
Prefekti i Tiranës i dërgoi sot Këshillit të Ministrave vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt. Ndërkohë, mbledhja e qeverisë do të mbahet ditën e enjte në orën 12:00, ku do të merret vendimi përfundimtar për shkarkimin e Veliajt nga detyra.
Pikërisht, me fokusin tek zgjedhjet parakohshme që pritet të mbahen në Tiranë, kryesocialisti Edi Rama mbajti një takim prej më shumë se dy orësh në kryeministri gjatë paradites së sotme me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe me Ogerta Manastirliun, kandidaten e PS-së. E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar Anuela Ristani, e cila e la takimin një orë më herët se të tjerët.
Një ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës mblodhi 3 kërkesat e PS, PD dhe këshilltarit Endri Shabani për shkarkimin e Erion Veliajt dhe i votoi me 50 vota pro si një e vetme.
Por, Veliaj, ka lënë të kuptohet qartë se procesin e nisur ndaj tij e sheh si në shkelje të ligjit. Ai ka një mundësi të fundit, të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 Kushtetutës, parashikon që në rast ankimimi brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Për pasojë do të bllokohej edhe procesi zgjedhor për pasuesin e Veliajt.



