EkonomiaQeveritare

Rama: Shqipëria destinacion real investimesh për biznesmenët italianë

124 ndërmarrje italiane, të ardhura nga plot 15 Rajone italiane, marrin pjesë në misionin sipërmarres “ITALIA ED ALBANIA– BUILDING TOGETHER”, që po organizohet në Tiranë nga Agjencia ICE, në bashkëpunim me ANCE – Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve, me mbështetjen e Ambasadës Italiane në Tiranë.

I pranishëm në këtë konferencë, kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria është një destinacion real investimesh për biznesmenët italianë”.

Ai theksoi se, “Qeveria do të mbështesë këdo që është i gatshëm të investojë. Italia dhe Shqipëria, vende mike”. “Nuk mund të mos jemi të kënaqur me numrin e ndërmarrjeve italiane në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje afërsinë mes dy vendeve jo vetëm nga pikëpamja historike. Kryeministri u ndal edhe tek borxhet që qeveria i ka ndërmarrjeve private, për të cilat tha se do të shlyhen deri në mesin e vitit të ardhshëm.

“Ky vend nuk është vetëm një ëndërr e parealizueshme për ju, është një realitet. Duhet shumë më pak kohë për të ardhur në Shqipëri, se nga veriu i Italisë në jug. Të vish në Shqipëri, ku mikpritja është shumë e ngrohtë dhe qeveria është e gatshme ti hapë rrugë kujtdo që do të investojë. Jemi dy vende shumë të afërta, jo vetëm nga pikëpamja historike”, tha ai.

Për këtë gjë Rama solli një shembull nga futbolli. “Ishim shumë të lumtur për ju edhe kur mundët Realin e Madridit. Ne kemi një Italian me dy pasaporta që stërvit Kombëtaren tonë. Vetëm një Italian do të donte shtetësinë shqiptare dhe vetëm një italiani do t’ia jepnim. Se imagjinoj që një gjerman të dojë kombësinë shqiptare”, tha kryeministri.

Megjithëse vlerësoi faktin se në Shqipëri janë 900 ndërmarrje italiane që operojnë, Rama theksoi se janë pak në krahasim me mundësitë dhe hapësirat që ekzistojnë, duke i ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri.

“Nuk mund të mos jemi të kënaqur për numrin e ndërmarrjeve këtu, rreth 900 por janë shumë pak, në krahasim me hapësirat dhe mundësitë. Italia është partneri me peshën shumë të madhe të eksporteve në Shqipëri, por besojmë se ka ende shumë, shumë mundësi për të bërë edhe më shumë. Sigurisht ajo çka mund të bëhet në mënyrë thelbësore, mund ta bëjnë ata që punojnë në sektorin privat dhe që kanë aftësitë për të investuar në këtë vend”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se në vend ka përmirësime të ndjeshme për sa i përket lehtësirave dhe klimës për investime. Ai tha se para 18 muajsh qeveria gjeti 720 mln dollarë borxhe ndaj biznesit dhe tha se këto borxhe do të shlyhen deri në mesin e vitit të ardhshëm.

“Jam shumë i kënaqur t’ju them se është një situatë ku ka përmirësime nga të gjitha pikëpamjet, për sa i përket klimës, hapësirës për të bërë biznes në Shqipëri. Vetëm 18 muaj më parë, na u desh ta ballafaqoheshim me një mal borxhesh që qeveria u kishte bizneseve. 720 mln dollarë, ishin paratë që qeveria u detyrohej ndërmarrjeve private për ndërtime, shërbime, në fushën e mjekësisë, arsimit dhe TVSH-ja e parimbursuar. Jemi përballur me këtë problem shumë seriozisht sepse duhet të ishim shumë të qartë se duhet të njohim dhe respektonim të gjitha të drejtat e atyre që investojnë në këtë vend. Nuk mund ti trajtonte qeveria sipërmarrësit si vartësit e vet. E kemi filluar këtë proces për larjen e borxheve dhe objektivi është të shlyejmë gjithçka gjatë këtij viti deri në mesin e vitit të ardhshëm. Por kemi krijuar edhe institucione të mirëfillta sëbashku. Ndodhemi në një situatë për të cilën mund të jemi optimistë, sepse nuk ka asnjë kufizim për kapitalin e huaj në një ndërmarrje”, deklaroi kryeministri Rama.

Ndërsa ambasadori Italian, Massimo Gaiani, u shpreh se, “sipërmarrja italiane ka shumë për të dhënë për Shqipërinë”.

Kjo nisëm merr një rëndësi të veçantë, pasi sektori i infrastrukturës publike konsiderohet strategjik nga qeveria shqiptare, e cila ka vendosur ndër objektivat e saj krijimin e një infrastrukture rrugore të integruar në planin kombëtar, rajonal dhe europian; përmiresimin e infrastrukturës hekurudhore dhe integrimin e saj në rrjetin rajonal dhe europian; përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në portet detare nëpërmjet rritjes së investimeve infrastrukturore. Sektorë që krijojnë mundësi për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button