Ekonomia

Rama: Të reagosh për përkeqësim të klimës së biznesit, “pak e tepruar”

Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri Rama shprehu publikisht ambicien për një Shqipëri Europiane. Ai e nisi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e sipërmarrjes, duke theksuar reformat e ndërmarra më parë nga qeveria e tij kanë ndihmuar në formimin e modelit të ri ekonomik të shtetit. Por, sipas tij, asnjëra nga to nuk do ta japë efektin e plotë pa reformën e reformave që është ajo në drejtësi.

“Drejtësia përmirëson klimën e biznesit dhe ndikon në një përshpejtim të rritjes ekonomike.”- tha Rama.

“ E ndiej për detyrë promovimin gjithçka ndodh në fushën e sipërmarrjes, ndaj them se hap shumë i rëndësishëm është rruga e lehtësimit të procedurave për sipërmarrjen, që sjell edhe rritje të efektshmërisë në marrëdhënien mes administratës dhe sipërmarrjes.”- tha kryeministri.

Duke falënderuar Guvernatorin e BSH-së për pjesëmarrjen, Rama theksoi se profesionalizmi i tij për të çuar përpara me masa konkrete një proces ku kemi nevojë për më tepër investime dhe kreditim, përbën një kontribut me shumë rëndësi.

“Ndryshimi i strukturës së ekonomisë ka qenë qëllimi ynë madhor kur kemi ardhur në detyrë”-vijoi Rama, duke shtuar se më parë dy ishin shtyllat e ekonomisë: ndërtimtaria dhe remitancat, por që nuk mund të konsideroheshin më burime të qëndrueshme, që të mund të vazhdonte përpjekja për ta zhvilluar Shqipërinë nga pikëpamja ekonomike.

“ Duhet të mbështetemi të eksportet dhe të marrim në konsideratë burimet e qëndrueshme: nafta, energjia, bujqësia, turizmi dhe manifaktura. “- theksoi Rama.
Kryeministri Rama, duke mohuar zërat e përkeqësimit të klimës së biznesit, tha se më parë tvsh-ja nuk rimbursohej, administrata ka qenë më pak e reformuar, procedurat kanë qenë të gjata.

“ I kam dëgjuar reagimet e biznesit dhe të Dhomave të huaja të Tregtisë, që kanë nënvizuar një problematikë të konsiderueshme në klimën e të bërit biznes. Padyshim që në këto reagime ka një të vërtete, por më lejoni që të them se ka edhe një të vërtetë tjetër. Shumë pak janë mësuar bizneset, edhe ato më të mëdhatë, të respektojnë ligjin. Informaliteti nuk është vepër e disave, por e të gjithëve se bashku. Taksat duhet të paguhen”- tha Rama.

Ai theksoi se, administrata tatimore dhe doganore ka vend për përmirësime të mëtejshme dhe shumë të rëndësishme, por të reagosh për përkeqësim të klimës së biznesit, kryeministri e quan “pak të tepruar”.

Rama shtoi me tej se do të rishikohet legjislacioni i procedurave tatimore, me qëllim që burokracia të eliminohet deri në maksimumin e mundshëm për bizneset. Ndër hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në funksion të përmirësimit të ekonomisë janë, sipas kryeministrit: Liberlizimi i tregut, Standartizim i sektorit të turizmit, Reduktim barrierash tarifore të biznesit, Lehtësim tregtie, Sistem i ri i trajtimit të ankesave, Projekt i ri me mbështetjen e USAID për rritjen e kapaciteteve profesionale të administratës tatimore në të gjitha drejtimet etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button