Maqedonia

Raporti i HRW, Maqedonia keqtrajtoi emigrantët

Në një raport të publikuar të martën, organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch thotë se policia maqedonase ka keqtrajtuar verbalisht dhe fizikisht emigrantët dhe azilkërkuesit në kufi dhe ata në paraburgim. Maqedonia është një vend kryesor tranziti në rrugën e emigrantëve nga Ballkani Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Çdo ditë në vend hyjnë me mijëra azilkërkues dhe emigrantë, shumë prej tyre nga Siria, Afganistani dhe Somalia. Raporti prej 59 faqesh, dokumenton keqtrajtimet fizike dhe verbale nga autoritetet e Maqedonisë në kufi me Greqinë, keqtrajtime nga rojet në qendrën e paraburgimit në Gazi Baba të Shkupit dhe dështimin e autoriteteve për të hetuar rreth këtyre incidenteve. Human Rights Watch intervistoi 64 azilkërkues dhe emigrantë, duke përfshirë 7 fëmijë, në pika të ndryshme në Serbi dhe Maqedoni. Shumë prej të intervistuarve, përfshirë tre fëmijë, ishin keqtrajtuar nga policia maqedonase, sidomos në kufirin me Greqinë dhe në Gazi Baba.

Sipas raportit, njerëzit thanë se ishin rrahur me shkopinj gome, me grushta e shkelma. Në disa raste, emigrantët dhe azilkërkuesit ishin detyruar të kalonin përmes rretheve të policëve, të cilët i godisnin me shkopinj në shpinë, supe dhe kokë.Maqedonia, thuhet në raport, aktualisht nuk po ndalon emigrantë dhe azilkërkues, por po i lejon ata të kalojnë drejt Serbisë.

Por, duke patur parasysh zhvillimet e shpejta Human Rights Watch është i shqetësuar se në qoftë se ndalimet rutinë rifillojnë, mund të rifillojnë edhe keqtrajtimet, nëse autoritetet maqedonase nuk veprojnë për t’i parandaluar ato. Autoritetet në Maqedoni, thuhet në raport, kanë një detyrim të qartë sipas të drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mbrojtur emigrantët dhe azilkërkuesit nga keqtrajtimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button