Raporti i KE: Shqipëria, vendi me borxhin më të lartë në rajon, rritja e kredisë u ngadalësua
Të dhënat u publikuan në raportin e tremujorit të katërt të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.
“Borxhi i përgjithshëm i qeverisë u rrit në tremujorin e tretë në të gjitha vendet në rajon, duke reflektuar rritjen e nevojave të financimit për të luftuar krizën COVID-19. Në fund të shtatorit, raporti i borxhit ishte më i larti në Shqipëri (79.9% të PBB) dhe në Malin e Zi (78.1%), ndjekur nga Serbia (57.1%)”, thuhet në raport. Në Maqedoninë e veriut, borxhi arriti në 51.5% të PBB-së, në Bosnjë 37.7% dhe në Kosovë 19.9%.
Raporti thekson se në Shqipëri u konstatua dhe një ngadalësim i kredisë, ndryshe nga tendenca e pjesës më të madhe të shteteve të tjera, ku ky tregues erdhi në përmirësim. “Ndikuar nga politikat për të mbështetur flukset e likuiditetit në sektorin privat, rritja e huadhënies bankare u përshpejtua në tremujorin e tretë të vitit 2020 krahasuar me tre muajt e mëparshëm në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kosovën. Nga ana tjetër, rritja e kredisë u ngadalësua në Shqipëri (i rregulluar për ndryshimet e kursit të këmbimit dhe fshirjet e huave) dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas raportit, kredia për ekonominë në Shqipëri u zgjerua dhe raporti i huasë ndaj PBB-së u rrit me 1 pikë përqindje në 37.5% në TM3. Megjithatë, ritmet e rritjes së kredisë u ngadalësuan nga 6.2% në terma vjetorë në TM2 në 5.6% në terma vjetorë në TM3, duke reflektuar një ndikim më të vogël të skemave të garancisë së kredisë sovrane dhe një rifillim të disa ripagimeve. Rritja e huadhënies për ndërmarrjet mbeti e qëndrueshme në tremujorin e tretë (6.9% rritje me bazë vjetore), ndërsa kredia për individë u ngadalësua në tremujorin e tretë nga 6% në 5.5% me bazë vjetore, kryesisht për shkak të kredive konsumatore.
Sipas raportit, recesioni i ekonomisë shqiptare vazhdoi në tremujorin e tretë me një normë më pak dramatike sesa në tremujorin e dytë, me PBB-në që ra me 3.5% në terma vjetorë, pas një tkurrjeje prej 10.2% në TM2. Konsumi privat, i cili ra ndjeshëm me 8% në terma vjetorë në TM2, u reduktua 3.9% në TM3. Në të kundërt, rritja e investimeve u rikuperua pas tre tremujorëve radhazi me tkurrje, në 4.1% me bazë vjetore në TM3, duke reflektuar punimet e rindërtimit të tërmetit. Eksportet ranë me 31.7% në tremujorin e tretë dhe importet vazhduan të bien ndjeshëm me 23.9%, të nxitura nga një rënie prej 52.5% e importeve të shërbimeve, kryesisht për shkak të kufizimeve të vazhdueshme të udhëtimit. Normat e rritjes tremujore për TM3-2020 janë pozitive për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, duke treguar që aktiviteti ekonomik u rikuperua lehtë, pas tkurrjes në të dytin.
PBB në Ballkan ra me 4.5% në tremujorin e tretë
Në tremujorin e tretë të vitit 2020, tkurrja vjetore e prodhimit të brendshëm bruto u zbut në pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me tremujorin pararendës.
Në Serbi, PBB-ja reale ra me një ritëm dukshëm më të ngadaltë prej 1.4 për qind në krahasim me tremujorin e dytë ku pati një tkurrje prej 6.3 për qind, si pasojë e një rënieje më të moderuar të kërkesës së brendshme, ndërsa eksportet neto vazhduan të japin një kontribut negativ në rritje.
Në Shqipëri, rënia e PBB-së u moderua në 3.5 për qind në terma vjetorë nga 10.2 për qind, kryesisht e nxitur nga një rimëkëmbje e rritjes së investimeve për shkak të arritjeve të fundit në rindërtimin pas tërmetit. Rënia e eksporteve mbeti e fortë kryesisht për shkak të kufizimeve të vazhdueshme të udhëtimeve.
Gjithashtu në Maqedoninë e Veriut, tkurrja ekonomike u zbut në 3.3% në terma vjetorë, pas një rënie prej 14.9% në tremujorin e dytë, nxitur nga një reagim i fortë në investime, një rënie më e vogël e konsumit të familjeve, si dhe ndikimi pozitiv i konsumit publik.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, humbjet vjetore të prodhimit u ngadalësuan në 6.3 për qind, në tremujorin e tretë të vitit 2020 pasi rënia e konsumit të familjes, investimeve dhe eksporteve ishte më pak e theksuar sesa në tremujorin paraardhës.
Në Kosovë, recesioni u lehtësua disi në një tkurrje reale e PBB-së prej 7.5 për qind. Kjo erdhi pasi rënia e importeve të mallrave dhe shërbimeve si dhe rritja e konsumit publik dhe privat zbutën pjesërisht tkurrjen e vazhdueshme të turizmit dhe investimeve.
Ecurinë më negative e shënoi Mali i ZI, që regjistroi një humbje të përshpejtuar vjetore të prodhimit. PBB- reale ra me 26.9 për qind nga viti në vit, e ardhur pas një tkurrje prej 20 për qind në tremujorin paraardhës, kryesisht për të një kolapsi të mëtejshëm të eksporteve (përkatësisht turizmit) dhe një rënie të vazhdueshme, megjithëse më të butë të investimeve.
Në përgjithësi, në tremujorin e tretë të vitit 2020, PBB-ja reale e rajonit të Ballkanit Perëndimor u tkurr me 4.5% në terma vjetor, pas një rënie prej 9.3 për qind në tre muajt e mëparshëm.