Politika

Raporti i OSBE: Qeveria vizion ambicioz të reformave, polarizimi politik ka dëmtuar punën në Kuvend

Ambasadori-i-OSBE-se-ne-Tirane-Florian-Raunig-ne-mbylljen-e-projektit-per-prektikat-me-te-mira-per-integrimin-e-romeve-Foto-Agim-Dobi-525x350Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, paraqiti sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë raportin vjetor për Shqipërinë.

Në raportin e tij Ambasadori Raunig ndër të tjera thekson se, që prej marrjes së detyrës në shtatorin e vitit 2013, “Qeveria zhvilloi një vizion ambicioz të reformave që nevojiteshin për të përmirësuar gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe për të shënuar përparim të mëtejshëm në qëllimin parësor të politikës së jashtme, atë të integrimit evropian”. “Në përgjithësi, qeveria ndërmori një qasje të strukturuar dhe proaktive, duke zhvilluar plane veprimi strategjike 100 dhe 300-ditore, si dhe duke bërë përpjekje të lavdërueshme për të qenë transparente lidhur me rezultatet e zbatimit të tyre. Mandati i gjerë dhe fleksibiliteti relativ i Prezencës së OSBE-së mundësuan partneritetin e hershëm në veprimtari dhe nisma, duke i dhënë shtysë dhe qëndrueshmëri punës së institucioneve”, thuhet në raport.

Ndërkohë, vijon raporti i ambasadorit Raunig, “edhe pas një viti, është e vështirë të gjykosh nivelin e përgjithshëm dhe qëndrueshmërinë e progresit. Qeveria ka dhënë prova se është e aftë për veprime konkrete (për shembull, duke rritur përpjekjet për të luftuar korrupsionin përmes ndryshimeve në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, përmirësimit të aksesit në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, apo masave për fuqizimin e drejtpërdrejtë ekonomik të grave në familjet në nevojë).

Më të dukshmet, thekson Raunig, “ishin arritjet në hapat e hershëm kundër kultivimit të drogës: përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, është pasuar nga operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit. Qeveria, po ashtu, ka dëshmuar qëndrueshmëri në drejtimin e një reforme strategjike dhe aq të domosdoshme në strukturën e qeverisjes vendore. Ky vrull çoi në arritjen më domethënëse gjatë periudhës së raportimit: vendimin e Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”.

Megjithatë, vijon raporti, “përparimi në kapërcimin e sfidave dhe përmbushjen e aspiratave themelore të Shqipërisë – sidomos lufta kundër korrupsionit – do të kërkojë një program ndryshimi të thellë, afatgjatë, gjithëpërfshirës dhe konsensual. Tani për tani, interesat e ngushta partiake dhe mosbesimi i thellë mes blloqeve politike vijojnë të mbizotërojnë”.

“Deklarata e Këshillit Evropian qe e qartë lidhur me nevojën për të përshpejtuar reformat dhe Komisioni Evropian, në raportin e tij të progresit të qershorit 2014 për Shqipërinë, deklaroi se është jetike që procesi i reformave të shoqërohet nga një dialog politik i rifuqizuar dhe i konsoliduar ndërmjet qeverisë dhe opozitës, dhe se puna konstruktive dhe e bazuar në kompromis në parlament është thelbësore për qëndrueshmërinë e reformave. Ky ka qenë thelbi i mesazheve që Prezenca i ka dhënë udhëheqjes politike të të dyja palëve, i cili është përforcuar nga veprimtaritë e vijuara diplomatike dhe programore për të punuar së bashku me të gjithë aktorët dhe për të mbështetur bashkëpunimin mes tyre”, thekson ndër të tjera në raportin e tij Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig.

Ambasadori Raunig gjithashtu thekson se, qeveria dhe opozita nuk kanë dëshmuar aftësi për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive, ndërsa evidenton ndryshimin e toneve në drejtimin e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë. “Pas një kalimi relativisht të butë të pushtetit më 2013, udhëheqja politike e Shqipërisë pati mundësinë të përqafonte një stil të ri politike. Megjithë sinjalet e para të një ndryshimi të tonit dhe të një drejtimi dinjitoz të Kuvendit nga kryetari i tij, politika u kthye te një stil më kundërvënës. Qeveria dhe opozita nuk kanë dëshmuar aftësi për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive – as për reforma, si reforma administrativo-territoriale, për të cilat të dyja palët bien dakord që janë jetësore. Kjo gjë vijon të dëmtojë besueshmërinë dhe ritmin e axhendës së reformave”, thuhet në raport.

“Reforma administrativo-territoriale, e përmbyllur së fundmi, e cila konsolidoi rrjetin prej 373 njësish të qeverisjes vendore në Shqipëri, është një nga rastet në fjalë. Të dyja palët e kanë pranuar prej kohësh nevojën për një reformë të tillë, e cila ka qenë mbështetur fuqimisht nga bashkësia ndërkombëtare, për ta bërë qeverisjen vendore më efiçente dhe për të zvogëluar shpenzimet dhe mundësitë për korrupsion, por mungesa e besimit dhe frika nga pasojat zgjedhore e vonuan procesin për vite të tëra. Me kërkesë të Partisë Demokratike në opozitë (PD), maxhoranca ngriti një komision të posaçëm parlamentar për të menaxhuar reformën. Megjithatë, opozita nuk pranoi të emëronte anëtarë në komision, pa iu siguruar e drejta e vetos. Qeveria krijoi komisione rajonale për të diskutuar në mënyrë gjithëpërfshirëse reformën dhe për të mbledhur propozime në nivelin vendor. Shumica qeverisëse e vonoi disa herë procesin, në përpjekje për të përfshirë edhe opozitën, por, në fund, zgjodhi ta vijojë reformën në mënyrë të njëanshme, në vend që ta shtynte më tej”, thuhet në raport.

Sipas raportit të ambasadorit Raunig, polarizimi politik ka dëmtuar punën dhe atmosferën në parlament. “Opozita nuk ka marrë pjesë aktive në disa procese të rëndësishme reformash dhe një numër i konsiderueshëm paketash legjislative të rëndësishme është miratuar vetëm me votat e shumicës. Pas një përballjeje verbale dhe, më pas, fizike në parlament mes dy deputetëve të shumicës dhe njërit të opozitës në korrik, opozita vendosi të bojkotojë të gjitha procedurat parlamentare deri në një njoftim të dytë. Duke u nisur nga atmosfera në përkeqësim në Kuvend, e cila kulmoi me incidente agresioni verbal dhe fizik, Prezenca, në bashkëpunim të ngushtë me administratën e Kuvendit dhe ODIHR-in, punoi për të finalizuar një Kod Sjelljeje për deputetët, i cili po pret miratimin e Kuvendit. Miratimi i tij mund të kontribuojë për një mjedis pune konstruktiv më pak konfliktual dhe më profesional në Kuvend”, theksohet në raport.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button