Kronika

Raporti Kombëtar i Shëndetit, Beqaj: 1 nga 5 vdekje vijnë nga duhanpirja

Është publikuar sot Raporti Kombëtar mbi gjendjen e shëndetësore. Në prezantimin e tij, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka deklaruar se raporti vëren që 1 nga 5 vdekje në Shqipëri shkaktohen nga duhanpirja.

DSC_0853Sipas ministrit ky raport, “Përveçse është një burim i vyer informacioni për gjendjen aktuale shëndetësore të popullatës shqiptare, të dhënat analitike të raportit, shërbejnë gjithashtu, edhe për të shpjeguar prirjet e ndryshueshmërisë së modeleve të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë në popullatën shqiptare këto 25 vite pas rrëzimit të sistemit komunist në vitin 1990. Ndërkohë, raporti ofron mundësinë për krahasimin e gjendjes shëndetësore të popullatës shqiptare me vendet e tjera të rajonit të Europës Jug-Lindore. Nga ana tjetër, raporti vlerëson faktorët kryesorë të rrezikut dhe ato përcaktues të sëmundjeve dhe vdekjeve në popullsinë shqiptare, duke përshkruar edhe burimet e kujdesit shëndetësor, shpërndarjen e personelit shëndetësor, aksesin dhe përdorimin e kujdesit shëndetësor, si dhe shpenzimet në sektorin shëndetësor shqiptar.

Më tej Beqaj u ndal pak tek një pjesë e gjetjeve të raportit, që lidhen edhe me diskutimin aktual rreth burimeve njerëzore në shëndetësi.

‘Përsa i takon gjetjeve të raportit, në mënyrë të përmbledhur, duhet theksuar se,barra e sëmundshmërisë për sëmundjet kronike si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike, përbën shqetësimin kryesor për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura. Në vitet e fundit, sëmundjet kronike në Shqipëri përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve (55% sëmundjet kardiovaskulare dhe 19% kanceri). Në këtë mënyrë,Shqipëria i është bashkuar shumicës së vendeve Europiane që përballen me epideminë e sëmundjeve kronike si sfida më madhore e shëndetit publik. Përveç krijimit të një sistemi shëndetësor efiçient, të arritshëm (të aksesueshëm), dhe të përballueshëm, ekzistojnë mundësi për shmangien e të rinjve nga duhanpirja, abuzimi me alkoolin, inaktiviteti fizik dhe dietat jo të shëndetshme, të cilat kontribuojnë në barrën e ardhshme të sëmundjeve kronike në Shqipëri. Ndërhyrjet për parandalimin e sëmundjeve kronike duhet të nisin që në fëmijërinë e hershme, me përmirësimin e praktikave të ushqyerjes në foshnjet dhe të porsalindurit, madje edhe më herët, me kujdesin shëndetësor për të gjitha gratë shtatzëna që në fazat e hershme të shtatzënisë”.

“Gjithashtu, raporti dëshmon qartë se rreth 90% e barrës së sëmundshmërisë në vendin tonë përbëhet nga sëmundjet kronike. Prandaj, në kuadrin e kontrollit mjekësor për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë 40-65 vjeç, është shumë e rëndësishme që të testohen njohuritë dhe praktikat e personelit shëndetësor lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike bazë të cilat shpjegojnë edhe barrën kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së kësaj grup-moshe”, shtoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button