Raporti për klimën: shtatë nga 16 shenjat vitale të planetit në gjendjen më ekstreme të regjistruar ndonjëherë
Një raport i ri shkencor i publikuar në revistën BioScience paralajmëron se gjendja e Tokës është serioze dhe po përkeqësohet: dioksidi i karbonit në atmosferë është 50 për qind më i lartë se në epokën paraindustriale, ndërsa një El Niño i fortë mund t'i shtyjë temperaturat globale edhe më lart.
Gjendja e klimës së Tokës është serioze dhe po përkeqësohet, sipas një raporti të ri shkencor për të cilin shkruan Wired. Studimi, i publikuar të mërkurën në revistën BioScience, tregon se shtatë nga 16 shenjat vitale të planetit që ndiqen nga studiuesit nuk kanë qenë kurrë në një gjendje kaq ekstreme sa sot.
Ndër treguesit më alarmues, siç njofton Wired, është sasia e dioksidit të karbonit në atmosferë, e cila tani është rreth 50 për qind më e lartë se në nivelet paraindustriale, për shkak të djegies së karburanteve fosile. Pasojat e kësaj djegieje duken edhe te shtresat e akullit në Grenlandë dhe në Antarktidë, të cilat po humbasin masë, si dhe te ekosisteme të brishta si Amazona, për të cilën raporti paralajmëron rrezikun e kalimit të një pike kthese, ku pylli tropikal mund të fillojë të shndërrohet në një peizazh më të ngjashëm me savanën — edhe pse studiuesit theksojnë se ky kalim nuk duket i afërt brenda këtij viti.
Raporti, sipas Wired, vë në dukje edhe rolin e fenomenit El Niño, i cili po forcohet këtë vit. Ky model natyror klimatik, që lidhet me ujëra më të ngrohta se zakonisht në Oqeanin Paqësor, derdh energji shtesë në atmosferë dhe rrit nxehtësinë globale. Studiuesit paralajmërojnë se temperatura mesatare globale, përfshirë tokën, e cila ende nuk ka shënuar rekordin ekstrem, mund ta arrijë atë deri në fund të vitit pikërisht për shkak të El Niño-s, i cili po merr formën e një prej më të fortëve të regjistruar.
Përfundimi i studiuesve është i drejtpërdrejtë: pa ulje të shpejtë të emetimeve nga nafta, qymyri dhe gazi, shenjat vitale të planetit do të vazhdojnë të përkeqësohen, ndërsa fenomenet ekstreme të motit do të bëhen më të shpeshta dhe më të forta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.