Reagime të ashpra ndaj SHBA: Nga lufta tregtare humbin të gjithë
Trumpi këmbëngul tek e vetja duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur prej kohesh prej tregtisë së pandershme dhe tarifat, sipas tij, do t’i japin një shtysë të fortë industrisë amerikane. Ato do të hyjnë në fuqi brenda 15 ditësh. Nga masa që përfshin rritjen e tarifave mbi importet e çelikut me 25% dhe ato të aluminit në 10%, përjashtohen përkohësisht Kanadaja dhe Meksika, ndërsa vazhdojnë negociatat mbi marrëveshjen e tregtisë së lirë të Amerikës së veriut-nafta.
Nënshkrimin e vendimit, Trump e bëri në një ceremoni ku morën pjesë punonjës amerikanë nga të dyja industritë.
Shoqatat kineze të çelikut dhe metalit kërkuan shpagim duke e nxitur qeverinë të shënjestrojë importet amerikane përfshirë ato të qymyrit, produkteve bujqësore dhe elektronike. Japonia njoftoi se një lëvizje e tillë do të ketë pasoja tek marrëdhëniet dypalëshe; Koreja e Jugut kërcënoi se do të ankohet tek Organizata Botërore e Tregtisë; Kanadaja, furnizuesja më e madhe e Shteteve të Bashkuara me çelik dhe alumin e mirëpriti përjashtimin e saj nga masat e Trumpit, por shtoi se do ta vazhdojë presionin mbi administratën amerikane, ndërsa komisionerja europiane e tregtisë, Cecilia Malmstroem shkroi në “Twitter” se një blloku europian, si aleat i ngushtë i Amerikës, duhet të përjashtohet nga këto tarifa.