Sporti

Real gjen numrin 10! Sot prezantimi i yllit të ri Rodriguez

Kolumbiani nënshkruan deri në vitin 2020

James+Rodriguez+Colombia+v+Cote+Ivoire+Group+Rh8KQcuMI3hlXhejms Rodriguez është një lojtar i Real Madridit. Gjithçka do të zyrtarizohet sot me firmën dhe prezantimin e talentit kolumbian para mediave, por marrëveshja mes madrilenëve dhe Monakos është mbyllur, mbi bazën e 80 milionë eurove, duke e bërë 23-vjeçarin një nga futbollistët më të shtrenjtë të historisë së futbollit botëror.

Rodriguez kaloi pak orë në Madrid të dielën, pasi kalonte transit në aeroportin e këtij qyteti. Por ai do të kthehet sot përsëri aty, këtë herë për t’u prezantuar si futbollisti i ri i Realit, që i ka bërë gati fanellën me numrin 10, të lënë bosh që prej largimit të Mesut Ozil një vit më parë. Kolumbiani 23-vjeçar duhej të paraqitej dje te klubi i Monakos, për ka ndërruar rrugë dhe ka udhëtuar drejt Portugalisë, ku bashkë me menaxherin e tij Pedro Mendes, ka pritur zhvillimet për negociatat e transferimit nga Franca në Spanjë. Reali ka mbyllur gjithçka shumë shpejt, duke i vënë përpara Monakos 80 milionë euro, një shifër jashtëzakonisht e lartë për një futbollist që klubi francez e bleu për 45 milionë euro nga Porto vetëm një vit më parë. Në këtë mënyrë, klubi i Monakos do të ketë përsëri të ardhura të ndjeshme për të investuar në merkato, ndërsa përgatitet për kthimin në Ligën e Kampioneve dhe për të luftuar për titullin kampion në Francë. Një pjesë e këtyre parave mund të investohen për të marrë lojtarë që me shumë mundësi do të largohen nga Reali, si Di Maria, Khedira, e Isko, të cilët falë blerjeve të reja nuk do të gjejnë më vend në formacionin e Ançelotit. Klubi i principatës dëshiron edhe portierin Diego Lopez, por menaxheri i këtij të fundit ka bërë të qartë se ai nuk lëviz nga Madridi sido që të shkojnë gjërat.

  Goli - Perla e Rodriguez në ndeshjen Kolumbi-Uruguai është cilësuar si goli më i bukur i Botërorit 2014

Goli – Perla e Rodriguez në ndeshjen Kolumbi-Uruguai është cilësuar si goli më i bukur i Botërorit 2014

Nga ana tjetër, edhe Real Madridi do të jetë i lumtur pasi më në fund ka gjetur një fantazist të mirëfilltë, një “10” që di të pasojë por edhe të shënojë, gjë që 23-vjeçari e tregoi më së miri gjatë Botërorit 2014 ku fitoi trofeun e “Këpucës së Artë” me 6 golat e tij, pa harruar faktin se një prej tyre u shpall goli më i bukur i aktivitetit. Vetë lojtari ka pranuar se klubi madrilen ishte ëndrra e tij dhe nuk është rastësi që ka pranuar menjëherë të transferohet në këtë skuadër, për të luajtur përkrah dy prej lojtarëve që ai i cilëson si shembuj në karrierën e tij, Kristiano Ronaldo e Garet Beil. Futbollisti do të firmosë sot një kontratë 6-vjeçare me klubin e ri, deri në vitin 2020, ndërsa ditët në vazhdim do t’i kalojë në aktivitetet publicitare të detyrueshme për Real Madrid, deri më 1 gusht, kur do t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit.

Aprovimi i tifozëve madrilenë për futbollistin e ri është i dukshëm, pasi që dje, shumë dyqane sportive në Madrid kanë bërë kërkesë për furnizim të ri me fanellat me numrin 10 dhe emrin e kolumbianit që “Adidas” ka hedhur në treg para fillimit të Botërorit, sepse ato që kishin në gjendje kanë mbaruar, pavarësisht çmimit prej 93 eurosh. Sipas ekspertëve të marketingut në Spanjë, lëvizja e Realit ka edhe baza të mirëfillta fitimesh financiare, pasi pritet që fanella e Xhejms Rodriguez shumë shpejt të rivalizojë me ato të Kristiano Ronaldos e Lionel Mesit. Shkak është jo vetëm paraqitja e 23-vjeçarit në Botëror, por edhe mungesa e një “10” të mirëfilltë te Reali që prej kohës së Luis Figos, me fanellën madrilene me këtë numër që nuk ishte ndër më të preferuarat e tifozëve në periudhën kur atë e vishte Shnajder, Diarra apo edhe Ozil.

Transferimet

Vetëm për Ibran u shpenzua më shumë

Me transferimin e tij për 80 milionë euro nga Monako te Real Madridi, Xhejms Rodriguez bëhet futbollisti i dytë për të cilin janë shpenzuar më shumë para gjatë transferimeve, me një total prej 132 milionë eurosh. Vendi i parë në këtë listë i takon Zlatan Ibrahimoviç, për të cilin klube të ndryshme kanë shpenzuar 169 milionë euro për ta transferuar. Lista e 10 lojtarëve për të cilët është paguar më shumë për transferimet vazhdon me Nikolas Anelka (130 mln euro), Hernan Krespo (121 mln euro), Huan Veron (117 mln euro), Radamel Falkao (112 mln euro), Kristiano Ronaldo (111.5 mln euro), Garet Beil (108 mln euro), Robi Kin (103 mln euro) dhe Ronaldo (101 mln euro).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button