Reforma në drejtësi do të kryhet nën monitorimin e Komisionit të Venecias
Xhafaj fton opozitën. Të martën mbërrin në Tiranë, Bukikjo
Komisioni i Reformës do të bëjë analizën e gjendjes së sistemit në drejtësi; ku pas mendimeve të grupit të ekspertëve që do ta asistojnë atë; do të jetë sekretariati teknik, i cili do të bëjë finalizimin e propozimeve, duke i shndërruar në drafte konkrete
Reforma në drejtësi do të bëhet me ndihmën e posaçme të Komisionit të Venecias, si dhe me thithjen e mendimit të 1 mijë ekspertëve vendas dhe të huaj. Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi u mblodh dje pa opozitën, duke miratuar grupin e ekspertëve që do të bëhen pjesë e sekretariatit teknik. Në mbledhjen e djeshme u miratua ngritja e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të Sekretariatit Teknik, si dhe u kalua draft-kalendari të punës së këtij Komisioni. “Miratimi i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë mbi bazën e përgjigjeve që kanë dhënë institucionet, por kjo listë mbetet e hapur dhe ta diskutojmë dhe kur të jenë kolegët tanë të opozitës. Unë jo thjesht shpresoj, por besoj se opozita shumë shpejt do të jetë këtu. Nuk ka asnjë arsye të mos jetë, por gjithsesi edhe çfarë hapash janë ndërmarrë deri tani janë organizativë, por dhe për të ecur në vazhdim se nuk mund të rrimë pafund në pritje. Dhe grupi i ekspertëve të ndahet që, një të jetë për ndryshimet kushtetuese, një për gjyqësorin, një për drejtësinë penale, edukimin juridik, profesionet e lira dhe strategjinë antikorrupsion. Me këtë logjikë, edhe deputetët, një nga mazhoranca dhe një nga opozita, të jenë prezent”- tha kryetari i komisionit për reformën, Fatmir Xhafaj, i cili lexoi dhe listën e emrave të ekspertëve të propozuar nga Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, Presidenti i Republikës, KLD, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Komisioni i Venecias, EURALIUS, OPDAT, Fondacioni “SOROS”, si dhe një sërë organizatash jofitimprurëse. “Kemi një rrjet kontaktesh konsultimi që po shkon rreth 1000 ekspertë, që do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me produktet e këtij komisioni që do të jenë pjesë e një procesi të gjerë konsultues në tryeza të rrumbullkëta dhe online. Organigrama e sekretariatit teknik do të funksionojë në drejtimin e sekretares së përgjithshme, Albana Shtylla”- tha Xhafaj. Dhe në kuadër të këtij organizimi, deputeti socialist, Pandeli Majko, propozoi që deputetët të ndahen sipas problematikave me ekspertët, ku kërkoi dhe një komunikim normal të komisionit dhe me opozitën “nëse ata kanë ndër mend të vijnë”- tha Majko.
Venecia
Roli i Komisionit të Venecias në reformën në drejtësi do përcaktohet nga vetë presidenti i këtij organi të rëndësishëm të konsulencës ligjore, Xhani Bukikjo. Kreu i Komisionit të Venecias do të mbërrijë të martën në Tiranë, pikërisht për të asistuar politikën shqiptare në reformimin e institucioneve të drejtësisë. Bukikjo do të takohet me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, dhe kreun e Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj. “Ditën e martë do të jetë në Tiranë presidenti i Komisionit të Venecias, Xhani Bukikjo, me të cilin do të kemi takime të veçanta dhe aty, pjesë e këtij diskutimi, do të jetë dhe mënyra se si do të atashohet Komisioni i Venecias në mbështetje të të gjithë këtij procesi”, – bëri me dije në mbledhjen e djeshme, kryetari i komisionit për reformën, Fatmir Xhafaj.
Opozita
Partia Demokratike, nëpërmjet nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje për “Top Channel” se reforma në drejtësi është paraprirë nga disa iniciativa të mazhorancës, si ndryshimi i ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, apo ndryshimet ligjore për emërimet në Gjykatën e Lartë, një nga tre ligjet e shumëdebatuara për integrimin. Për ligjin e parë është shprehur tashmë Gjykata Kushtetuese, ndërsa i dyti është rikthyer në Kuvend nga Presidenti i Republikës dhe dekreti i tij, me kërkesë të demokratëve, pritet të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve në mbledhjen e së hënës. Bylykbashi deklaroi se mazhoranca nuk duhej dhe nuk kishte arsye të bënte këto ndërhyrje, duke qenë se ato do të ishin pjesë e reformës në drejtësi. Por, synimi i saj, sipas tij, ka qenë dhe mbetet kapja e drejtësisë, për të cilën Bylykbashi shton se opozita nuk do të bëhet pjesë e saj. “Të paktën jo pa u zhbërë këto nisma të mazhorancës”,- është qëndrimi kushtëzues i demokratëve për reformën në drejtësi.
Grupi i Ekspertëve
- Albana Shtylla, Kuvend
- Ardjan Dvorani, Gjykata e Lartë
- Ardjan Nuni, Gjykata e Lartë
- Sokol Sadushi, Shkolla e Magjistraturës
- Marjana Semini, Shkolla e Magjistraturës
- Arben Rakipi, Shkolla e Magjistraturës
- Artur Selmani, Prokuroria e Përgjithshme
- Enrik Ligori, Prokuroria e Përgjithshme
- Maksim Haxhia, Dhoma Kombëtare e Avokatisë
- Ardian Vishaj, Dhoma Kombëtare e Avokatisë
- Altin Shegani, Universiteti i Tiranës
- Aurela Anastasi, Universiteti i Tiranës
- Artan Hoxha, Universiteti i Tiranës
- Genti Ibrahimi, Ministria e Drejtësisë
- Ilir Panda, Ministria e Drejtësisë
- Artan Hajdari, Ministria e Drejtësisë
- Kristaq Traja, SOROS
- Rainer Deville, EURALIUS
- Jon Smibert, OPDAT
- John Carver, USAID
- Arthur Graham, OSBE