Kronika

Reforma në drejtësi-Paketa e ndryshimeve kushtetuese

Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë(GENL) për reformën në drejtësi në paketën e amendamenteve kushtetuese propozon ndryshime në disa pjesë të ligjit themeltar të shtetit, duke nisur me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë, si dhe nenet që flasin për një ridimensionim të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, në raport me sistemin e drejtësisë.

– Ridimensionimi i kompetencave të Presidentit –

Ekspertët e lartë në paketën e amendimeve kushtetuese propozojnë që të ruhet formula aktuale e zgjedhjes së Presidentit (me shumicë të thjeshtë) ndërsa shprehen për reduktimin e kompetencave të tij kushtetuese që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Materiali shpjegues sqaron ndër të tjera se ky ndryshim vjen pasi zgjedhja e Presidentit bëhet me shumicë të thjeshtë, ç’ka nuk përjashton mundësinë që ai të jetë i njëanshëm në zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë.
Për këtë arsye, ekspertët propozojnë që Presidenti t’i emërojë vetëm formalisht anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative, mbi propozimet konkrete që vijnë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas zhvillimit të një procesi seleksionues transparent dhe të mbështetur në kritere të përcaktuara qartë dhe të matshme.
Ndërkohë, që i jepet kompetenca ekskluzive për emërimin e 3 prej 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (6 anëtarët e tjerë propozohet të emërohen nga Kuvendi dhe gjyqësori), në përfundim të një procesi seleksionues transparent dhe të bazuar mbi kritere objektive.
Ekspertët propozojnë gjithashtu riformatimin tërësor të Këshillit të Lartë të Drejtësisë(KLD), duke i dhënë fund dhe mandatit të anëtarëve aktualë të tij, 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Propozohet që KLD-ja të emërtohet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe të ketë në përbërje 11 nga 15 anëtarë që ka aktualisht dhe që pjesë e saj të mos jetë Presidenti i Republikës.
“Propozohet që Presidenti i Republikës të mos jetë më anëtar i KLGJ-së, me qëllim garantimin e pavarësisë së KLGJ-së dhe shmangien e influencave politike. Sa i takon ministrit të Drejtësisë, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë në mirëfunksionimin e gjyqësorit, propozohet që ministri të jetë anëtar pa të drejtë vote. Gjithashtu propozohet që ministri i Drejtësisë të mos e ketë më të drejtën ekskluzive për të filluar procedimin disiplinor kundër gjyqtarëve”, spjegojnë ekspertët.
Në projekt draftin e amendimeve kushtetuese thuhet gjithashtu se vetëm 6 anëtarë të KLGj-së të jenë gjyqtarë, ndërsa 5 të tjerët të jenë jo-gjyqtarë dhe të emërohen nga Kuvendi me shumicë të cilësuar prej 3/5 e anëtarëve.
Propozohet gjithashtu që anëtarët e KLGJ-së t’i kryejnë funksionet e tyre me kohë të plotë dhe ata që janë gjyqtarë të kthehen në pozicionin e tyre të mëparshëm, pas mbarimit të afatit të shërbimit në Këshill.

Prokurori i Përgjithshëm

Sa i përket Prokurorit të Përgjithshëm, ekspertët propozojnë ndërprerje mandati për kryeprokurorin aktual.
Nisur nga fakti se reforma e propozuar, në qoftë se miratohet, do të sjellë rikonceptimin tërësor strukturor dhe funksional të sistemit të prokurorisë, të kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm, të mënyrës së përzgjedhjes dhe të emërimit të tij, GENL-ja gjykon se është e nevojshme të parashikohen dispozita kushtetuese tranzitore për përfundimin para kohe të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, argumentojnë ekspertët.
Sa i takon zgjedhjes së kreut të organit qendror të akuzës, ai emërohet nga 3/5 e deputetëve, me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi opinionin e Këshillit për Emërimet në Drejtësi për një periudhë 9 vjeçare, pa të drejtë ri-emërimi. Procedura për përzgjedhjen dhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohet me ligj.
Ndërkohë, që propozohet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të rikonceptohet si një organ i pavarur kushtetues me kompetenca të plota dhe ekskluzive në lëmin e statusit të prokurorëve, si edhe të krijohet një Inspektoriat i Pavarur që të pajiset me kompetencën e hetimit të shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër prokurorëve të të gjitha niveleve.
Për sa i përket hetimit të çështjeve që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, propozohet të krijohet një strukturë e posaçme dhe e qëndrueshme e prokurorisë dhe e hetimeve (Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit).

Gjykata e Lartë

Drafti i amendimeve kushtetuese parashikon shfuqizim të dispozitave kushtetuese që i japin Gjykatës së Lartë juridiksion fillestar për gjykimin e akuzave penale kundër funksionarëve më të lartë të shtetit.
Ndërkohë që propozohet që të përcaktohet qartë në Kushtetutë juridiksioni i Gjykatës së Lartë si një gjykatë që shqyrton në shkallë të tretë vetëm ankimet për çështje të interpretimit të ligjit (jo çështje të faktit) nga gjykatat më të ulëta, si edhe propozohet krijimi i një Gjykate të Lartë Administrative me juridiksion të ndarë nga Gjykata e Lartë për Çështjet Civile dhe Penale, si shkallë e dytë dhe e fundit në gjykimin e çështjeve administrative.
Gjykata e Lartë të kthehet në një gjykatë karriere dhe të integrohet plotësisht në sistemin gjyqësor. Kjo nënkupton që Këshillit të Lartë Gjyqësor t’i jepen të gjitha kompetencat e nevojshme për verifikimin e kritereve, vlerësimin dhe nominimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Propozohet që vendimet e KLGJ-së për nominimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë të miratohen me shumicë të cilësuar brenda Këshillit. Më pas, kandidatët e nominuar nga KLGJ-ja do të dekretohen nga Presidenti pas një vlerësimi formal të tyre.

Ndryshimet për KLGj-në e Tribunalin Disiplinor

Këshilli i Lartë Gjyqësor garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë, si dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve janë zgjedhur nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor. Kriteret dhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve gjyqtarë rregullohet me ligj. Pesë anëtarët e tjerë vijnë nga avokatia(1 anëtar); trupa e pedagogëve të drejtësisë(2 anëtarë); trupa e pedagogëve jo magjistratë të Shkollës së Magjistraturës(1 anëtar) dhe shoqëria civile(1 anëtar).
Anëtarët jo gjyqtarë emërohen nga Kuvendi me 3/5 e votave, mbi bazën e propozimeve nga strukturat përkatëse dhe të opinionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ministri i Drejtësisë merr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor si vëzhgues. Ministri i Drejtësisë mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve. Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button