Reforma Territoriale, Demo: Prisja të ecte më shpejt, duhet t’i rezistojë faktorit ‘kohë’
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo ka dalë këtë të martë, më 17 mars, në një deklaratë për mediat ku po flet mbi nismat, arritjet dhe sfidat e pushtetit vendor.
Duke u ndalur tek Reforma Territoriale, Demo tha që priste që punimet në Komisionin e Posaçëm të ngritur në Parlament për këtë reformë të kishin ecur më shpejt.
Ministri përmendi dhe rëndësinë që ka informimi i publikut, por edhe që grupet e interesit të kenë zë mbi këtë proces. Ai shtoi se pavarësisht metodologjisë që do të përcaktohet, “turet në vend duhet të bëhen patjetër dhe ne do të luajmë edhe rolin tonë për të përfshirë aktorët lokalë”.
Më tej, Demo theksoi se: “Një reformë territoriale, edhe nga pikëpamja e lidhet ngushtësisht me funksionet e bashkive dhe kjo kërkon një punë shumë të suksesshme që t’i durojë faktorit kohë. Nuk duhet ta mendojmë si një reformë afatshkurtër.”
Mes të tjerash, ministri u shpreh që beson fort që ka vend që disa shërbime, mund të ofrohen me cilësi më të mirë në nivel lokal.
“Unë e kam bindje dhe kjo është qasja e qeverisë, që në fakt reforma shpesh herë deri diku keqkuptohet kur mendohet se ka të bëjë me kufijtë. Në fakt funksionet janë shumë më të rëndësishme se kufijtë. Se mund të kemi bashki më të mëdha, por nëse ato kanë të njëjtat sfida si dje, atëhere nuk kemi arritur asgjë.”, shtoi ai.
“Bashkitë janë financiarisht të shëndetshme”
Ministri për Pushtetin Vendor u shpreh se “arritja më e madh”e e kësaj reforme ishte shëndeti financiar i Bashkive.
“Situata që ne kishim përpara dy viteve sot nuk është më sepse qeveria ka ndërhyrë duke mbështetur bashkitë që kanë patur vështirësi financiar.”, tha Demo.
Ai shtoi më tej se: “Sot që ne flasim, borxhi që bashkitë kanë është në shifra jo problematike, bashkitë janë të shëndetshme, nuk kanë detyrime të prapambetura që mund të krijojnë probleme në sistem. Ka 3-4 bashki që patjetër duhet të punojnë më shumë dhe qeveria është aty për t’i ndihmuar.”
“Po vjen një cunami për bashkitë”
Po ashtu gjatë kësaj konference për mediat, Demo përmendi rëndësinë e kësaj reforme në ambicien e vendit për integrimin në BE. Ai paralajmëroi se në nivel bashkish po vjen një ‘cunami’.
“Bile unë mendoj se në momentin që jemi vend anëtar i BE do të kemi punë për të bërë për të rritur dhe për përmirësuar funksionimin e të gjitha institucioneve, duke përfshirë bashkitë. Procesi i integrimit është shumë kompleks dhe ne duhet të jemi të sinqertë që ai objektiv ambicioz që kemi, dhe ne jemi duke punuar fuqimisht, dhe vetvetiu nuk do të thotë që çdo gjë është zgjidhur. Procesi kërkon detyrimisht një transformim radikal të të gjitha institucioneve. Kur flasim për bashkitë, unë përmend faktin se një cunami është duke ardhur nga pikëpamja rregullative dhe e standardeve të reja që bashkitë duhet të plotësojnë si rrjedhojë e procesit të integrimit.”, tha ministri i Pushtetit Vendor.
Ai shtoi se bashkitë duhet të jenë të gatshme të ngrihen në një nivel tjetër.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.