Ekonomia

Reformat e Francës:Pothuajse jashtë kohe

Reformat ekonomike të qeverisë franceze mund të jenë të mirëpritura, por rrezikojnë të jenë tepër të ‘vakëta’ dhe të vonuara

Në vitin 2000, francezët votuan për të reduktuar mandatin presidencial nga shtatë vjet në pesë vjet. Qëllimi ishte që mandati presidencial të përputhej me atë të Parlamentit, me shpresën për të thjeshtëzuar vendimmarrjen. Një efekt i paparashikuar ishte të ‘tkurrej’ periudha gjatë së cilës mund të kryhen reforma të dobishme, përpara hapjes së sezonit të ardhshëm të fushatës, shkruan The Economist. Presidenti François Hollande, zyrtari socialist, u zgjodh pak më shumë se tre vjet më parë. Tashmë ekziston ndjesia se koha e tij për të bërë diçka të dobishme ka përfunduar.
Drama në Parlament këtë javë nënkuptoi fundin e një cikli. Më 16 qershor, kryeministri Manuel Valls, tha se do të detyrojë me anë të një projektligji liberalizimin e shërbimeve pa një votim parlamentar. (Çuditërisht, kryeministrat francezë mund ta bëjnë diçka të tillë. Parlamenti mund t’i ndalojë ata vetëm me një votë mosbesimi, që do të thotë zgjedhje të reja.) Z. Valls e ka përdorur një herë këtë pushtet dhe qeveria e tij mbijetoi. Deputetët e opozitës bënë edhe një herë thirrje për një votë mosbesimi, pas publikimit të “The Economist”, të cilin z. Valls mund ta fitojë sërish.
Për z. Valls dhe Emmanuel Macron, ministri i Ekonomisë që drejtoi projektligjin, përdorimi i forcës për herë të dytë përfaqëson si një dështim për të bindur socialistët e tjerë për meritat e liberalizimit ashtu dhe një vendosmëri për të ecur gjithsesi përpara. Ligji i tyre miqësor ndaj biznesit është larg një riorganizimi të guximshëm që kërkonnte një pjesë.
Por kjo do të lehtësojë hapur disa profesione të mbrojtura, do të liberalizojë tregtinë e së dielës në zonat turistike, do t’i mundësojë trenave të konkurrojnë me trenat mes qyteteve, do të përshpejtojë seancat e gjykatës për punën, do të kufizojnë dëmshpërblimet e tepërta dhe do të ulë taksat në disa aksione të punonjësve për të inkurajuar bizneset e reja. Të gjitha këto janë menduar të ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës dhe në nxitje të rritjes.
Në disa qarqe të së majtës, edhe këto ndryshime janë denoncuar si një tradhti e vlerave Socialiste. “A i ka mbetur tani diçka së majtës për të sugjeruar në lidhje me organizimin e jetës sonë përveç një shëtitje të dielën në një qendër tregtare?” – psherëtin Martine Aubry, bashkiaku i krahut i Lille dhe dikur ‘projektues’ i javës me 35-orë pune. Pra, kjo është një masë e vendosmërisë së z. Valls, dhe dëshirës së tij për t’u shfaqur si një reformator i fortë, që po ecën përpara, pavarësisht gjithçkaje. “Ne kemi nevojë të lëvizim të shpejtë”, – insistoi ai.
Kryeministri ishte gjithashtu pa dyshim i prirë për të hequr dorë nga ‘çorba e gatuar’ e qëndrimit të tij 15-mujor në zyrë, kur ai përdori avionin qeveritar së bashku me dy djemtë e tij për të parë Barcelonën, qytetin e tij, të luante në finalen e futbollit europian në Berlin- dhe iu deshën ditë të pranonte gabimin e tij dhe të vendoste të paguante për udhëtim me aeroplan të bijve të tij.
Megjithatë, pasi të hyjë në fuqi ligji i Macron, ekziston rreziku se çdo gjë tjetër do të ngecë. Pikë së pari, Franca ka zgjedhje në dhjetor për 13 rajonet e saj të reja, reduktuar nga 22 që ishin më parë, në të cilën socialistët në pushtet do të ballafaqohen me humbje të rënda. Kalendari i egër i zgjedhjeve lokale lë pak hapësirë të çmuar për vendimmarrje jopopullore.
Për më tepër, edhe pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, mendimet në vitin e ri do të zhvendosen te zgjedhjet presidenciale të vitit 2017. Mungesa e popullaritetit të z. Hollande, sondazhi i të cilit prej 19% është pranë një niveli të ulët rekord, ka penguar punën e tij. “Pyetja e vërtetë që shtrohet është nëse ne mund të bëjmë ndonjë reformë më shumë në gjashtë muajt e ardhshëm, – thotë një person i afërt me qeverinë. Pas kësaj, gjërat do të arrijnë në ‘ngërç’”.
Tashmë, ditari i z. Hollande duket si një program për fushat, mes mundësive fotografike me Fidel Kastron në Kubë dhe ‘selfies’ me turmat lokale në fshat. Një person që nuk ka preferuar kurrë polemikat për kompromis, z. Hollande ka lënë së fundmi të kuptohet se ai dëshiron të distancohet nga subjektet gjaknxehta. Në një vizitë në Carcassonne në maj, ai u shfaq më shumë si një kandidat në sfidë sesa një president në detyrë. Duke kujtuar fjalimin e mbajtur në 2012 në Le Bourget, gjatë të cilit ai premtoi se do të “shtrydhte” të pasurit dhe bankat, ai i kujtoi votuesve se kishte premtuar të “rishpërndante” pas fazës së “reformave”.
Sikundër ai la të nënkuptohej tanimë kishte ardhur momenti. Ka zëra për rritje të pagave në shërbimin civil dhe madje edhe rreth idesë për një vit pa tatim mbi të ardhurat, nëse Franca lëviz drejt një sistemi që “redukton në burim” në 2017.
Një sërë projektligjesh të tjera janë në proces, një mbi reformën e punës, të tjera në tregun dixhital. I pari, i cili përfshin masat shtesë që z. Valls njoftoi një javë më parë, do t’i mundësojë punëdhënësve të rinovojnë kontratat afatshkurtra dy herë, jo vetëm një herë sikundër ndodh aktualisht.
Çështja është të nxisë krijimin e vendeve të punës, duke i dhënë firmave më shumë fleksibilitet, në një kohë kur ekonomia ka filluar ta “rimarrë veten”, por besimi mbetet i brishtë. Megjithatë, pjesa tjetër e projektligjit të reformave të punës është jashtëzakonisht modest, dhe nuk ndihmon shumë në eliminimin e Kodit të Rregullave të Punës së Francës, i cili aktualisht përmban 3,809 faqe, pothuajse dy herë gjatësinë e Biblës.
Ekzistojnë edhe arsye të tjera që legjitimojnë pritjen e një situate më të lehtë. Çmimet më të ulëta të naftës dhe normat e interesit, së bashku me një euro më të lirë, kanë nxitur ekonominë. Pas tre viteve me një rritje afër zeros, PBB-ja duhet të zgjerohet me 1.1% këtë vit dhe 1.7% vitin e ardhshëm. Z. Hollande dikur jepte leksione universitare mbi ciklet ekonomike dhe ka një besim të papërkulshëm që gjërat e këqija shkojnë drejt përmirësimit. Kështu që ai mund të joshet të rrijë duarkryq dhe t’i lejojë rritjes të bëjë punën e tij, duke shpresuar se papunësia, e cila është rritur në mbi 10% gjatë periudhës së tij, do të fillojë të bjerë.
Presioni mbi financat publike është eliminuar gjithashtu. Yield-et e obligacioneve mbeten të ulëta, dhe Komisioni Europian ka hequr dorë së kritikuari Francën e dështuar në arritjen e objektivave të deficitit, pasi ajo performoi më mirë se sa pritej në vitin 2014 dhe duket se më në fund është në rrugën e duhur për të shkurtuar deficitin nën 3% të PBB-së në 2017.
Shqetësimi i vërtetë mbi të gjitha nuk është vetëm rreziku se zoti Hollande mund të heqë dorë nga reforma miqësore ndaj biznesit, por që ai filloi kaq vonë.
Z. Valls ka pranuar se qeveria (përpara qeverisjes së tij, natyrisht) ka humbur kohë dhe ka miratuar politika të këqija, sidomos në rritjen e taksave. Rezultati është një hapësirë ngushtimi, në të cilin një president që nuk e do askush do të jetë gjithmonë e më i shqetësuar të mbështesë bazën e tij me shpresën e rizgjedhjes, në vend që të tundë mirë Francën, gjë për të cilën ajo ka kaq shumë nevojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button