IntervistaTeater

Regjizori tregon prapaskenat e jetës së aktorëve: Margarita Xhepa me kërkoi të ndaja Eva Alikajn nga Çimi

Mundet që buzët e përveshura të telenovelave perëndimore, pas çdo hapjeje e mbylljeje të derës, të duken ca velëse, por jo se të krijon ndonjë simpati të qëndrueshme as namuzi i atyre turke.

Në Shqipërinë komuniste, puthjet jo vetëm që s’mund të përfshiheshin në kinematografi, por mjaftonte mendimi i kontaktit të faqeve me një të afërm që të bënin të ndiheshe i çrregullt mendërisht. Njerëzit nuk putheshin. Tjetër gjë që kashta e mullarëve vinte gjithnjë si e shpupurisur!

Regjisori Kristaq Mitro dhe bashkëpunëtori i tij i gjithmonshëm që nuk jeton më, Ibrahim Muça, e dinin mirë këtë. Limitet nuk të mësoheshin në shkollë, duhet të vije i brumosur. Megjithatë, sot, ata të gjithë thonë se askush nuk mund t’u kufizonte idenë, paçka se kjo e fundit nuk bënte as dy hapa deri te konkretizimi. E shumta u matnin pulsin kontrollorëve, për të kuptuar se deri ku mund të ëndërronin. Me të nuhatur se perdja frynte për t’u sjellë pak ajër, vepronin.

E bën këtë te filmi i famshëm “Duaje emrin tënd”. Me gjithë mohimin e dy aktorëve protagonistë, Ndriçim Xhepa dhe Rajmonda Bulku, regjisori pohon se ata janë puthur. Skena e Jonës me Arsenin, të shtrirë në parkun e Kodrave të Liqenit, ishte paraprirë nga një më “e nxehtë”, xhiruar në Volorekë. Kishte plasur bomba. “E keni marrë vesh ç’ka ngjarë në Pogradec?! Monda me Çimin janë puthur!”. Në Kinostudio nuk shkëmbeheshin fjalë të tjera, veç tyre. Por entuziazmi për arritjen e së pamundurës aq zgjati, sa psherëtima e ministres së Kulturës së kohës, në fund të sekuencës.

Bashkë me “çlirimin” e saj të shqetësuar, erdhi edhe urdhri zyrtar që puthja të hiqej. Do të bëheshin xhirime të tjera… Mbase jo me të njëjtën ngarkesë, por ngjarje si këto regjisori Mitro ka pasur vazhdimisht me filmat e tij. Një herë i është afruar greminës e një tjetër ka mbyllur sy e veshë.

Për disa nga filmat e tij më të suksesshëm, na tregon sot në këtë intervistë për “Panorama”.

“Dimri i fundit” ka qenë filmi juaj i parë. Përvoja e parë edhe për aktoren Rajmonda Bulku, e cila ato vite nuk jetonte në Tiranë. Si e gjetët?
Jo, Monda jetonte ende në Cërrik, por kishte ardhur në Tiranë, te gjyshja, për pushimet e dimrit. Mua dhe Ibrahimit sapo na kishin refuzuar aktoren e parë që zgjodhëm për te filmi “Dimri i fundit”, Silva Turdiun. Atë kohë ajo ishte e fejuara e djalit të Mehmet Shehut, kështu që vetëkuptohet arsyeja. Mondën e kam gjetur fare rastësisht, në rrugë, aty ku ka qenë dikur Ministria e Kulturës. Pyetja e parë që i bëra, ishte “ku të punon babai?”. Pasi më tha oficer, e shoqërova për te shtëpia e gjyshes që ta vija në dijeni për kërkesën që kisha. Pas kësaj shkuam në Cërrik t’u kërkonim leje prindërve të saj.

Kaq e thjeshtë ishte të merrje një vajzë 16 e pak vjeçare menjëherë në sheshxhirim?! Di që “Dimri…” është xhiruar në Dardhë të Korçës. Një vajzë gati fëmijë, pa përvojë, qoftë edhe vetëm për ankesat prej të ftohtit mund të sillte pengesa…
Po, kemi xhiruar në Dardhë në temperatura -14 gradë. Nuk ishte e lehtë as për ne, jo më për atë. Ishte aq ftohtë, sa patëm peripeci edhe nga ana teknike. Na këputej negativi i filmit. Era shpërndante borën artificiale që patëm porositur në Itali e që na u desh ta riporosisim. Edhe Rajmonda, e pamësuar siç ishte, nuk e përballoi aq lehtë. Na duhej ta pushonim nga të qarat, sepse ndihej vetëm, në një vend të panjohur, ku gjërat nuk po realizoheshin pa mundim.

Pas “Dimrit…”, për ju dhe për të, erdhi “Nusja dhe shtetrrethimi”. Bulku dhe Kastriot Çaushi janë në një marrëdhënie dashurie gati hipotetike. A tentonit ju, bashkë me skenaristen e filmit, Helena Kadarenë, ta bënit më konkrete?
Me skenarin, bashkë me Ibrahimin dhe Helenën, kemi punuar për një kohë të gjatë. Aq sa Ismaili, meqenëse punonim në shtëpinë e tyre, na thoshte “hë, ç’po bëni me atë film?” U përpoqëm të largoheshim nga letërsia, nga ngjarjet e ngjeshura, për të marrë vetëm tharmin e së tërës. Në këtë film kemi menduar që Monda me Kastriotin të putheshin, por nuk mundëm as ta themi e as ta realizojmë idenë. Nga kontrolli i parë skenari u aprovua, por problemet erdhën më pas, pas shfaqjes së tij jo për publikun, por për parinë. Kristaq Dhamo, një njeri që i jam pafundësisht mirënjohës për gjërat që më ka mësuar, e pëlqeu, por kjo nuk mjaftonte. Urdhri që erdhi, ishte i prerë: filmi duhet të përfundonte ndryshe nga ç’e kishim bërë. Duhet të vrisnim Edgarin, kapitenin gjerman. Nisën letrat anonime në Kinostudio, Manush Myftiu pati ardhur në 11:00 të natës për të parë filmin. Zërat e “të padukshmëve” që ishin gjithnjë rreth nesh, kishin filluar, “do t’i shohim tani ata dy vlonjatët ç’do bëjnë, se që gjërat shkuan mirë me ‘Dimrin…’ ishte rastësi”. Në këto kushte e duke bërë budallain, ribëmë xhirimet për të vrarë armikun.

Meqenëse e keni pasur synim të gjithhershëm, a arritët në ndonjë prej filmave tuaj, gjatë improvizimeve që thoni, t’i bënit aktorët të puthen?
Po, te filmi “Duaje emrin tënd”, që u xhirua vetëm dy vite pas “Njeriu i mirë”.

Pra, ndryshe nga ç’kanë thënë vetë, Jona me Arsenin janë puthur?
E puthura u arrit të realizohej me sukses të plotë. Asnjëri prej të dy aktorëve, as Xhepa e as Bulku nuk shfaqi komplekse për kërkesën që patëm. Bulku në këtë rast, meqë femrat ishin në qendër të paragjykimeve, e priti pa më të voglin shqetësim këtë gjë. I vetmi që reagoi për keq, gjatë xhirimeve, ishte i biri, të cilin e kishte me vete. Ishte jo më shumë se 7 vjeç kur pjesëtarë të grupit të xhirimeve e ngacmonin duke i thënë se mami po puthet me Çimin. Ai mori një thupër dhe ndiqte me vrap nga pas Ndriçim Xhepën për ta qëlluar. Vrapo Çimi, e vrapo djali, deri sa e realizoi të tijën, e qëlloi. Sigurisht që të gjitha këto në sheshxhirim krijuan atmosferë humoristike, asgjë më tepër.

Jo se është çudi, por çfarë ndodhi konkretisht që nuk u lejua?
Ajo që ndodhte gjithmonë. Kontrolli! U dërgua materiali në Kinostudio, të lahej, siç ndodhte gjithmonë, pastaj do ta shihte grupi i punës, kur ta kthenin, në Pogradec. Ndërkaq, sapo shkoi, kishte plasur bomba. “E keni marrë vesh për Mondën dhe Çimin?! Janë puthur”. Këta zëra na erdhën edhe ne, sado që nuk ishim në Tiranë. Vjen më pas për ta parë ministrja e kohës, Tefta Cami. Donte ta shihte filmin vetëm dhe ashtu u bë. Unë prisja jashtë, gjithë ankth, nëpër shi, me mikun tim Luan Rama. Do e presin, i thosha Luanit, i cili shpresonte më shumë se unë që kjo gjë nuk kishte për të ndodhur. Dhe vërtet ishte fatkeqësi që e prenë, sepse ishte një skenë shumë e bukur. Pas vërejtjes me shkrim, dhanë urdhër të bëhej skena nga e para, pa puthje. Ajo që është në film sot, nuk është skena që xhiruam në Volorekë, por ajo që ribëmë te Kodrat e Liqenit Artificial.

Ishte viti 1982, filmi “Njeriu i mirë”! Aktorja Eva Alikaj më ka treguar në një intervistë se ju i keni kërkuar të puthet me Bujar Asqeriun. Refuzimi i saj ka çuar në ndërprerje të xhirimeve. Pse e kërkonit ju një gjë që nuk ishte pjesë e skenarit dhe që e dinit se nuk do të mund ta shfaqnit?
E kam lexuar intervistën e Evës, por nuk kujtoj që të kemi insistuar aq shumë. Po, xhirimet u ndërprenë për disa orë, por për një regjisor gjërat nuk mund të trajtohen kaq ngushtë. Është e vërtetë, puthja nuk parashikohej në skenar, por nga ana tjetër ne bënim vazhdimisht improvizime. Mundet të ndodhë që pikërisht këto të fundit të rrëzojnë skena të tëra të menduara. Mund të rëndojnë, por edhe të përmirësojnë filmin. Në këtë kuptim, ne kishim gjithnjë kërkesa. Ne patëm menduar se një skenë e tillë do të ishte në favor të filmit, ndaj edhe e kemi kërkuar, por nuk kujtoj të kemi këmbëngulur aq shumë. Të realizoje një puthje atëherë ishte një ngjarje e madhe, të cilën ne e kërkonim vazhdimisht.

Por ju e dinit që nuk do të mund të shfaqej?!
Por nuk kishim pse të mos shpresonim. Sidoqoftë, Eva Alikaj është një nga aktoret më të mira që kam punuar dhe më shumë sesa kompleks të sajin, ajo e kishte të rrethanave në të cilat gjendej. Eva, për kohën, ishte një vajzë mendjehapur, më e guximshme se shumë të tjera në aspektin e pamjes apo sjelljeve moskokëçarëse, por mbase edhe ne nuk duhet t’i kërkonim gjëra për të cilat e dinim se ajo vazhdimisht vëzhgohej.

Në ç’rrethana gjendej? Nga kush vëzhgohej?
Siç e ka bërë publike tashmë, në atë kohë Eva ka qenë e lidhur me Ndriçim Xhepën. Çifti nuk kishte bekimin e të ëmës së Çimit, Margaritës, e cila, për shembull, nëse ajo puthje me Bujar Asqeriun do të ndodhte, mund të justifikonte pretendimin e saj që ata të mos ishin bashkë.

Pra, Alikaj, duke u ndier në një farë mënyre e sulmuar, donte të ishte brenda kornizave të kohës.
Ky është një shpjegim i imi, por mundet të mos jetë kështu.

Kaq publik ishte fakti që Margarita nuk e donte Eva Alikajn për të birin?
Nuk e di sa dhe kush e dinte, por mua ma ka thënë vetë.

Çfarë ju ka thënë?
Që, nëse mundja, të ndikoja në ndarjen e tyre përmes gjërave që mund t’i thosha për partnerin e saj. Eva këtë gjë e di, di gjithashtu përgjigjen time refuzuese; nuk mund t’i bëja këto gjëra. Ajo kishte gjithë të drejtën e saj për të pretenduar ç’të donte për të birin, por nuk mund ta arrinte këtë gjë me këtë rrugë, madje më kujtohet si tani që gjëja e parë që i thashë, sapo më përmendi emrin e Alikajt, ishte “Po, çfarë ka me të?! Është aq e mirë, sa, po të mos isha i martuar, do ta merrja për nuse”.

Pavarësisht faktit që ju keni refuzuar të bëheni pjesë e këtij kompromisi, puthja që i keni kërkuar Eva Alikajt do ta shënjestronte…
Mundet, as unë, as Ibrahimi nuk e patëm për qëllim kur i kërkuam të puthej. Ju thashë, unë kam vlerësime maksimale për të, që në kohën që ishte studente dhe nuk doja assesi të dëmtohej. Më kujtohet mirë që falë aftësive të saj, sado e papërvojë, ka vënë në vështirësi edhe emra të njohur të kinematografisë së kohës.

Bujar Asqeriu ç’pozicion mbajti në këtë mes?
Kur e pyeta a mund ta bënte, më tha “po”, por nuk e fshehu dot të kuqen që i mori fytyra. Edhe djemtë kanë pasur problemet e tyre, por jo në pikëpamjen femërore. Mendoj se vështirësia që kishin ata, i takonte vetëm faktit që puthja ishte ende e rrallë. Shqiptarët në përgjithësi nuk putheshin, pavarësisht përvojave personale të tij apo të dikujt tjetër. Dua të them, as në rrethe miqësore nuk putheshin.

ANI JAUPAJ

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button