Renditja e Bloom Consulting: Shqipëria renditet e 35-ta në Europë
Sipas renditjes që kompania Bloom Consulting i ka bërë vendeve sipas markës së turizmit, Shqipëria renditet në vendin e 35 në Europë, duke lënë pas Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa në renditjen globale është e 97-a, nga 180 vende.
Sipas raportit, në krahasim me një vit më parë, Shqipëria ka zbritur katër vende. Raporti citon se strategjia e markës së Shqipërisë ka rezultuar të jetë e pasuksesshme dhe performanca në mediat sociale mbetet e ulët.
Në rajonin e Europës Juglindore, Shqipëria ka mbetur në vendin e 10-të, e ndjekur nga konkurrentët kryesorë, Serbia dhe Mali i Zi. Kërkimi tregon se Shqipëria merr një shumë të drejtë të të ardhurave nga turizmi dhe rritja është pak më e lartë sesa mesatarja rajonale në Europën Juglindore.
Kërkimi gjithashtu thekson se potencialet turistike të Shqipërisë janë të lidhura ngushtë me elementët kryesorë të markës së saj si plazhet, gastronomia lokale dhe bizneset. Kjo bazohet në kërkimet online që janë kryer rreth turizmit në Shqipëri gjatë periudhës qershor 2013 deri në korrik 2014.
Sipas renditjes së Bloom Consulting, renditjen e markës më të mirë të turizmit për 2014-n e kryesojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Performanca e saj e jashtëzakonshme në termat e të ardhurave nga turizmi, pothuajse dhjetë herë më e madhe se konkurrenti i saj Kanadaja, e bëjnë SHBA-në liderin absolut në rajon, pavarësisht performancës së saj të dobët, veçanërisht në median sociale.
Më pas renditen dy shtete europiane, Spanja dhe Gjermania, përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.
Hong Kongu është ngjitur 9 vende në listë, duke kaluar i katërti. E pesta është Franca dhe e gjashta Tajlanda. Më pas në renditje vijojnë Macao SAR-Kina dhe dhjetëshen e mbyll Italia.