RENEA, Sindikata e Policisë: 7 efektivët u hoqën pa testim, Didi shkeli rregulloren
Pas publikimit të lajmit në “Gazeta Shqiptare” për largimin nga detyra të 7 efektivëve nga reparti RENEA, ka ardhur edhe reagimi i Sindikatës së Policisë.
Nga: Auora Koromani
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i kësaj sindikate, Sadedin Fishta, e quan një skandal largimin e 7 efektivëve nga detyra dhe sqaron se çfarë shkeljesh janë bërë nga kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi në këtë rast. Fishta pohon se efektivët përveç se janë fyer, ata edhe janë diskriminuar nga ana ekonomike dhe ajo krahinore, pasi nga 7 të larguarit, 5 prej tyre janë nga veriu.
Si i cilëson Sindikata e Policisë, largimet që pak ditë më parë janë bërë tek reparti RENEA, ku 7 efektivë janë transferuar në detyra të tjera?
Në kuadër të ristrukturimit të policisë, ne i kemi kërkuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të zbatojë kontratën kolektive të punës. Konkretisht, nenin 8 të kontratës, ku bëhet fjalë për largimet nga puna të punonjësve të policisë dhe transferimet e tyre. Por, në asnjë rast nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga drejtori. Në kuadrin e mosbashkëpunimit mes sindikatës dhe Drejtorisë së Policisë, e gjithë kontrata kolektive është anashkaluar nga ana e drejtuesve të rinj të policisë. Edhe largimet nga RENEA ne i klasifikojmë në kuadrin e largimeve të shkeljes së kontratës kolektive të punës, në shkelje të rregullores së forcave speciale.
Për largimin e efektivëve është përdorur motivacioni “për nevoja pune”. Sipas jush, largimi i një efektivi nga RENEA a mund të bëhet me këtë motivacion, apo ka kritere që ndiqen?
Neni 39 i rregullores së personelit të policisë ka përcaktuar edhe transferimin e punonjësve të policisë dhe drejtori i përgjithshëm e ka kompetencë transferimin nga një vend në një tjetër, për nevoja pune. Por, në rastin e forcave speciale ka kritere të veçanta që ndiqen për transferimin e këtyre punonjësve, ashtu siç ka kritere në marrjen në punë të tyre, siç është konkurrimi; ashtu siç ka kritere në mbajtjen në punë të këtyre forcave, ashtu ka edhe kritere për largimin e tyre nga puna. Efektivët e RENEA-s largohen vetëm nëse nuk plotësojnë normën, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të marrjes së masave disiplinore, që asnjëri prej efektivëve nuk i plotëson këto kushte për largimin nga puna.
Përveç motivacionit zyrtar që ka qenë për nevoja pune, nën zë thuhet se efektivët janë larguar për shkak se dy prej tyre kanë qenë ish-shoqërues të ish-nëndrejtorit të policisë, Agron Kuliçaj dhe të tjerët për shkak të faktit se ishin besimtarë praktikantë të fesë islame. Si i shikon sindikata këto largime?
Në rastin e largimit të 7 punonjësve të policisë nga RENEA, sipas nesh ky është një dënim, jo vetëm ekonomik, por është edhe një dënim psikologjik, jo vetëm për këta që ikin, por edhe për efektivët që vazhdojnë të punojnë në repart me synimin që ata të mos e hapin gojën për kushtet e punës në të cilat punojnë, në kuadër të trajnimit të tyre financiar, por edhe në kuadër të mungesës së mjeteve logjistike me të cilat ata punojnë. Cilado qoftë arsyeja, nëse këto zëra janë të vërteta, do ishte një skandal që efektivët të largohen për këto arsye nga puna, fakti që këto forca po keqpërdoren duke i larguar në këtë formë, është një goditje që i jepet atij reparti, në kushtet kur krimi po godet ashpër në vend. Duhet të theksojmë se efektivët që janë larguar janë shumë të përgatitur, që janë trajnuar jashtë, policë që janë trajnuar nga ekspertët ndërkombëtarë, prandaj ndaj tyre shteti ka financuar dhe sot që të arrish të vësh dorë mbi një repart që ruhet nga shteti, duhet që të analizosh mirë situatën, sepse ai repart është pasuri kombëtare dhe duke vënë dorë mbi ata efektivë, cenohet siguria kombëtare.
Nëse largohen, duhet të emërohen në detyra dhe struktura që janë të njëjta, si në nivel funksionesh, në nivel page, në të njëjtin pozicion pune, sepse transferimi në detyra të tjera do të thotë për ata, zbritje në pagë me 40 mijë lekë të reja, që është një dënim social.
Cilat janë shkeljet që janë bërë gjatë largimit të 7 efektivëve nga puna?
Duhet të sqaroj se vetëm 5 prej efektivëve janë liruar nga RENEA me urdhër, dy të tjerët pasi iu është komunikuar urdhri zyrtar, kanë kërkuar vetë urdhrin e lirimit, sepse janë ndier të fyer. Në rastin e largimit të tyre nga puna, ata nuk janë njoftuar më parë për largimet, që sipas rregullores duhej të ishin njoftuar 30 ditë më parë dhe duhej të ishin sqaruar për shkaqet e largimit të tyre nga puna, sepse atyre u është komunikuar urdhri verbalisht dhe brenda ditës u është lënë afat që të dorëzojnë materialet, ndërkohë që sipas rregullores, duhet t’u lihen 15 ditë afat. Këto forca kanë qenë të predispozuara që të transferohen në struktura të ngjashme, siç janë RESI, apo edhe struktura të tjera dhe në funksione të njëjta, sepse transferimi i tyre në komisariate nuk përkon me funksione të njëjta.
Nga RENEA, efektivët largohen vetëm pas testimit?
Normalisht duhet të largohesh me testim, por edhe nëse i largon për nevoja pune, i mban në dispozicion, por jo duke i prekur pagat dhe duke i transferuar. Pastaj, në rastin e këtyre 7 efektivëve është bërë edhe shkelja tjetër, sepse ata janë larguar nga detyra një ditë para se në repart të niste testi. Efektivëve u është komunikuar urdhri të dielën, ndërsa testi është zhvilluar të hënën dhe kjo është bërë e gjitha që efektivët të mos futen në testin fizik, sepse ata që kanë bërë urdhrat e dinin se pas testit nuk i hiqnin dot, sepse ata do dilnin fitues. Në rastin e largimit të 7 efektivëve është bërë edhe një diskriminim nga ana krahinore, sepse 5 nga të larguarit janë nga veriu. Por, sindikata do bëjë padi kolektive në gjykatë për anulim të urdhrit dhe transferim të paligjshëm. Ky repart që nga ristrukturimi deri tani ka kapur shifrën 40 efektivëve të larguar.