Rihapja e hetimeve për “21 Janarin”, ish-prokurori Hajdari: S’ka asnjë pengesë, mund të prishen vendimet e mëparshme për autorët
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari e ka konsideruar lajm të mirë rihapjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar 2011.
Ai thekson se rihapja e hetimit është një lajm i mirë pasi të gjitha sot çështje sensitive që nuk kanë marrë zgjidhje definitive, është mirë që të hetohen.
“Nga hetimi askush nuk ka ke, vetëm ata që janë implikuar në ngjarje që për fatin e keq në atë kohë që u hetuam prokurorët nuk patën vullnetin që hetimet të ishin të pavarura, të ishin objektive dhe të paanshme, kështu në këtë kuptim 21 Janari është një qetësim i madh për familjarët që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur është një qetësim për drejtësinë e re që sado vonë, vjen një moment që njerëzit përgjegjës që kanë kryer vepra penale të rënda, siç është dhe ku rast, drejtësia vendoset”, tha ai.
Në lidhje me pyetjen se hetimet rihapen vetëm për Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, do të shihet trajektorja e qitjes, Hajdari tha se “është çelur për këta të dy viktima janë siç duket policia ka paraqitur prova, dhe një nga këto është ekspertimi i plumbit që u gjet në trupin e Aleks Nikës dhe mund të ketë laboratorë europianë më të avancuar në mënyrë që të lidhin plumbin me gëzhojën dhe pastaj me armën që mund të jetë autori i vrasjes. Prokuroria nuk është e penguar që të kryejë edhe hetime të tjera të thelluara”.
“Hetimet para 10 vitesh janë bërë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të rënda me një presion të tmerrshëm politik dhe shumë gjëra në vendngjarje nuk janë fiksuar, jo për fajin e prokurorëve të Shkallës së Parë të Tiranës për shkak të presionit politik. Dhe kështu disa gjëra mund edhe të rishikohen për grumbullimin e provave dhe kjo mund të bëjë me autorë dhe këta të dy, por nëse provat që grumbullohen dhe autorët përkatës të tyre i çon prokurorët në një konkluzion se vrasja është bërë me dashje, më shumë se dy persona dhe rrethana rënduese, siç kërkuam dhe ne për të pandehurit e tjerë, por që gjykata nuk na i pranoi, pastaj nuk ka asnjë lloj pengese që të shohin nëpërmjet rishikimit në gjykatë e shkallës së parë tashmë, jo në Gjykatën e Lartë, që të prishet dhe vendimi i dënimit të të tjerëve për vrasje nga pakujdesia dhe këto të shkojnë paketë në gjyq për t’u gjykuar pastaj nga gjykata, për atë çfarë kërkuam ne atëherë që fatkeqësisht Gjykata e Apelit nuk e dha. Unë kam qenë bashkë me një koleg tjetër atëherë për të mbrojtur këtë çështje, kurse Gjykata e Lartë nuk pranoi fare ta kalojë në gjykim, por e rrëzoi rekursin tonë që në dhomë të këshillimit”, tha ai.
Duke folur për hetimin e çështjes, Hajdari tha se “duhet të themi që është bërë betejë e madhe nga penale, në politike, ku ishim në situatë shumë të vështirë, sepse Presidenti i Republikës që mbulonte Gjykatën e Prokurorinë, u konsideruan të gjithë puçistë, ndërkohë që u bëra puçist dhe unë bashkë me Olsian Çelën e gazetarët. Klima ka qenë shumë e rëndë. Ajo, Gërdeci i pari dhe 21 Janari i dyti. Jo vetëm çështje penale, por kanë bërë histori në politikë në Shqipëri”.
“Gjithë njerëzit mendojnë për Presidentin Topi që u akuzua shumë rëndë. Çfarë ishte ai lloj shpërthimi? Shpërthimi është, se Topi e di mirë, Topi u prish me Berishën, sepse Topi nuk ka marrë anësi as tek Gërdeci, as tek 21 Janari, pra kërkoi hetime të plota. Po them ndër arsyet. Ne prokurorët lexojmë nën rreshta. Qeveria e Berishës ka qenë në pozitë të vështirë. Presidenti Topi, kryeprokurorja Ina Rama kryetari i shërbimit sekret bënë detyrë patriotike. Kështu është mirë që kjo çështje të çelet edhe për gjakun e atyre që nuk kanë autor, por edhe për t’u treguar të gjithë zyrtarëve ti thërrasin mendjes. Tashmë nuk mund të ndodhë që megjithëse provat i kishim të plota, ato na rrëzuan, por trupi gjykues u nda 2 me 1. Kur ka qenë 2-1 atëherë, tani ka për të shkuar 3-0 apo 5-0. Kështu mendoj. Absolutisht lajm i mirë. S’ka asnjë pengesë, asnjë lloj pengese të prishë vendimet e atyre që u dënuan për vrasje nga pakujdesia”, tha Hajdari.