Rivalë dhe partnerë
Pas pesë muajve të ngërçit politik, Kosova pritet që të ketë më në fund institucionet dhe qeverinë e re që do të formohet nga dy partitë më të mëdha politike. Bashkëqeverisjet e të mëdhenjve në Kosovë ishin praktikë edhe në fazën e shpalljes së pavarësisë, kur faktori ndërkombëtar preferonte që situata e sigurisë të mbahej nën kontroll.
Tani, rrethanat politike vlerësohet se ishin tjera, por, liderët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e Isa Mustafa vendosën që të formojnë edhe një qeveri të koalicionit të gjerë, ku në të ardhmen pritet të përfshihen edhe pakicat.
Një qeveri e tillë, sipas numrave do të përbënte mbi dy të tretat e deputetëve në Kuvend, që nënkupton se do të ishte në gjendje të merrte vendime pa pasur nevojë për miratimin e opozitës.
Momenti vendimtar për formimin e koalicionit, konsiderohet se ishte pajtimi i PDK-së që LDK-ja të jetë drejtuese e qeverisë. Vet lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia e tij përfshihet në qeverinë e ardhshme vetëm nëse e merr postin e kryeministrit.
“LDK-ja nuk pranon të hyj në asnjë variant të qeverisjes së vendit nëse ajo nuk do të jetë në krye të qeverisë së ardhshme. Do të thotë ky është kushti”, ka deklaruar Isa Mustafa.
Në anën tjetër, lideri i PDK-së Hashim Thaçi e kishte vlerësuar paktin me Isa Mustafën si një zgjidhje të duhur. Sipas tij, PDK dhe LDK janë parti të profilit të njëjtë dhe me orientim programor të ngjashëm.
“Jemi vonuar, por është marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, e sinqertë dhe e respektit të ndërsjellë që bazohet në parime, kritere e standarde të qeverisjes perëndimore. Kemi orientim të qendrës së djathtë si PDK dhe LDK. E po ashtu do të kemi një përfshirje edhe të spektrit politik gjithë-etnik”, është shprehur Thaçi.
Marrëveshja ndërmjet Hashim Thaçit e Isa Mustafës u nënshkrua të mërkurën mbrëma, më 19 nëntor, në prani të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.
Në analiza e opinione të ndryshme, ishte vlerësuar se për këtë përafrim të dy partive rivale dhe më të mëdha, kishte ndikuar edhe trysnia ndërkombëtare, sidomos ajo amerikane.
Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja amerikane, Jacobson kishte deklaruar se marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është punë e politikanëve të Kosovës dhe jo e ambasadës amerikane apo e bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas ambasadores amerikane Parlamentin dhe Qeverinë e re të Kosovës i pret një punë e madhe siç janë themelimi i Gjykatës së Posaçme, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit përfshirë luftën kundër korrupsionit, miratimin e ligjit për luftëtarët e përfshirë në luftërat e huaja e çështje tjera.
Pakti i Isa Mustafës dhe LDK-së me partinë rivale, PDK-në dhe liderin e saj Hashim Thaçi ndodhi pas pesë muajve të koalicionit të tij me partitë tjera, si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, ku të tubuara në një bllok ishin zotuar se do të formojnë qeverinë e re pa PDK-në. Madje, për këtë qëllim, ky Bllok që për pesë muaj ishte aktiv dhe njihej si VLAN, kishte nënshkruar edhe marrëveshje.
Ishte vet lideri i LDK-së, Isa Mustafa i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë e kishte përjashtuar vetëm PDK-në e Hashim Thaçit si partnere të ardhshme.
“Në LDK nuk ekziston asnjë disponim që koalicionin ta bëjmë me PDK-në, sepse konsiderojmë që PDK duhet të del në opozitë. Ndërkaq me partitë e tjera do t’i shohim mundësitë, varësisht interesave të përbashkëta që do t’i gjejmë. Por me ato parti që e pranojnë programin tonë qeverisës dhe rregullat dhe kriteret që ne mendojmë se duhet të zbatohen”, kishte deklaruar Mustafa.
Deklaratat e Isa Mustafës ishin në një vijë me marrëveshjen e Bllokut LDK, AAK dhe Nisma që u nënshkrua dy ditë pas zgjedhjeve, më 10 qershor. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, e kishte cilësuar këtë si marrëveshje e shpresës.
“Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të reja të punës, luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria do të punoj me ngulm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, kishte deklaruar Veliu më 10 qershor.
Ikja e Mustafës dhe LDK-së nga Blloku VLAN, pas më gjatë se pesë muajve të marrëveshjes u përcoll me deklarata të ashpra të liderëve të AAK-së dhe Vetëvendosjes.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e kishte cilësuar marrëveshjen e Mustafës me Thaçin si pakt për fshehjen e dosjeve, që sipas tij, është bërë vetëm për interesa të ngushta dhe në dëm të Kosovës.
“Qeverisja me PDK-në e shënon vazhdimin e agonisë për popullin e Kosovës. Nuk do të ketë kurrfarë shanse për luftimin e krimit dhe korrupsionin e lere më për zbutjen e papunësisë dhe reforma në arsim”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në anën tjetër, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më 10 qershor ishte nominuar edhe nga Mustafa dhe LDK-ja për postin e kryeministrit doli me konstatimin se qeverisja PDK- LDK nënkupton dy të këqija së bashku.
“Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes (në Kosovë dhe në Prishtinë) janë dëshmuar si të dështuara. Më të këqijtë me më të ligët janë bërë bashkë dhe kjo nuk është në të mirë të Kosovës dhe të ardhmes së saj”, ka thënë Haradinaj.
Edhe analistët politik e kishin vështruar në mënyra të ndryshme këtë transformim të koalicionit, nga Blloku të gjithë kundër PDK-së në lidhjen e dy partive më të mëdha, PDK-së dhe LDK-së.
Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike ka vlerësuar fillimisht se marrëveshja e tejkalon krizën politike. Por, sipas tij, ajo ka nxjerrur sërish në shesh një politikë të paqëndrueshme të LDK-së karshi partnerëve politik.
“LDK edhe njëherë rikonfirmoi se është një parti jo stabile dhe një partner shumë jo serioz në kuptimin e arritjes së ndonjë qëllimi politik”, ka vlerësuar Doli.
Në anën tjetër, analisti Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se koalicioni LDK- PDK ishte i pritur pas qarjes së Bllokut VLAN rreth postit të kryeministrit. Sipas tij, në këtë koalicion ka pasur një ndikim edhe faktori ndërkombëtar i cili ka insistuar që vetëm një qeveri e fuqishme mund t’i qoj deri në fund projektet politike që janë edhe në interes të faktorit të jashtëm.
“Kjo qeveri siguron stabilitet të numrave, që është elementi kryesor që i intereson bashkësisë ndërkombëtare duke i pasur parasyshë projektet gjeostrategjike për Kosovën, siç janë vazhdimi i bisedimeve me Serbinë dhe krijimi i Gjykatës Speciale. Pra, ky koalicion më shumë i konvenon bashkësisë ndërkombëtare sesa qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Muhaxhiri.
Sidoqoftë, marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje, vlerësohet se jo vetëm që e tejkalon krizën politike, por u krijon një komoditet edhe të dyja partive partnere, të cilat kanë ndërtuar raporte të qeverisjes së përbashkët edhe në periudhën e viteve 2007 – 2010.
PDK arriti që të përfshihet në qeveri pas një bojkoti prej pesë muajve që i kishin vënë të gjitha partitë tjera pas fitores në zgjedhjet e 8 qershorit, kurse LDK të merr nën drejtim qeverinë edhe pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, që vinte si beteja e dytë e humbur pas pushtetit në Prishtinë.
Tani pritet që të dy partitë partnere të hartojnë edhe programin qeverisës dhe të kërkojnë nga Kuvendi votat për formimin e qeverisë.