Europa

Rompuy & Barroso: Përshëndesim Greqinë për presidencën e suksesshme të BE-së

 sss36Përgëzime të përzemërta për përfundimin e suksesshëm të presidencës greke të Bashkimit Europian, kanë shprehur krerët e BE-së, Herman van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso në konferencën për shtyp që dhanë bashkë me kryeministrin grek, Antonis Samaras, pas përfundimit të samitit të radhës në Bruksel. “Lejomëni të përgëzoj kryeministrin Sanaras dhe Greqinë për presidencën e suksesshme të Këshillit dhe për menaxhimin konstant gjatë muajve të fundit të kësaj periudhe legjislative”, theksoi presidenti i Këshillit Europian, Hewrman van Rompuy, që shtoi duke iu drejtuar kryeministrit grek se “ishte gëzim të bashkëpunoj me ju, me ministrat tuaj, me personelin tuaj. Megjithëse Greqia po kalon një periudhë të vështirë, ju dhe ministrat tuaj bëtë një punë të shkëlqyer gjatë presidencës së këshillit”. Duke marrë fjalën, presidenti i Komisionit Europian, Barroso, foli edhe ai me fjalë të ngrohta për presidencën greke. “Falënderimet e mia të sinqerta për mikun tim të mirë, kryeministrin Antonis Samaras dhe stafin e tij. Puna që u bë gjatë presidencës greke ishte impresionuese”, tha Barroso dhe vazhdoi se “volumi i punës ishte shumë më i madh nga sa zakonisht, po të marrim parasysh përfundimin e mandatit të organeve dhe të Parlamentit Europian. Greqia dëshmoi me të vërtetë angazhimin e saj të shkëlqyer në projektin tonë të përbashkët. Dhe fakti se Greqia në të njëjtën kohë po përballet me sfida kaq të rëndësishme dhe se kryeministri Samaras arriti jo vetëm të forcojë stabilitetin e vendit të tij, por edhe të ndihmojë Europën të bëjë hapa më tej, besoj se është diçka që duhet të kujtojmë si një kontribut shumë të rëndësishëm të presidencës greke në punën tonë të përbashkët. Edhe njëherë ju falënderoj”. Nga ana e vet, kryeministri Antonis Samaras, iu referua pranimit të kandidaturës së partisë Popullore Europiane për postin e presidentit të BE, Jean Claude Juncker, duke thënë se mbështetja e Këshillit Europian ndaj tij është një zhvillim shumë i rëndësishëm për Europën. Samaras theksoi se në emër të Greqisë votoi në favor të zotit Juncker, sepse, siç tha, “ai është alternativa më e mirë për Europën”. I pyetur mbi vendimet e këshillit për traktatin e stabilitetit dhe të zhvillimit, kryeministri vuri në dukje përpjekjet që bëri Greqia në pjesën fiskale, duke promovuar njëkohësisht reformat strukturore. Nënvizoi gjithashtu se krahas promovimit të reformave nevojitet urgjentisht mbështetja e zhvillimit në mënyrë jetësore. “Stabiliteti dhe zhvillimi janë dy objektiva që mund të arrihen paralelisht”, theksoi kryeministri. Sa i përket presidencës greke, që përfundon sot, më 30 qershor, Samaras iu është referuar arritjeve të presidencës greke, që sipas tij kishin të bënin me thellimin e bashkimit monetar, zhvillimin dhe punësimin, luftimin e emigracionit klandestin, si dhe promovimin e politikave detare. Burime qeveritare kanë theksuar faktin se nga buxheti i miratuar për ushtrimin e presidencës nuk është përdorur as 40 per qind ose, nga 50 milionë euro që ishte buxheti, janë shpenzuar vetëm 19 milionë, “një rekord sa i përket menaxhimit financiar”, siç vunë në dukje burimet qeveritare

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button