Politika

Roth: BE nuk bën pazare me Shqipërinë e Maqedoninë

DW: Zoti Roth, të martën Këshilli i BE-së mori vendim t’i hapë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë pas një viti dhe po të jenë plotësuar disa kushte. Ky vendim u interpretua në mënyra kundërthënëse në vendet e prekura: Opozita e mori për sinjal negativ, qeveritë si sinjal pozitiv. Si duhet kuptuar ky vendim sipas jush?

Michael Roth: Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë një hap mjaft të madh përpara në rrugën e tyre drejt BE-së dhe për këtë miqtë tanë maqedonoveriorë dhe shqiptarë mund të jenë shumë krenarë. Ata kanë arritur shumë, kanë realizuar shumë reforma, por mbetet edhe shumë për të bërë. Dhe ura që ndërtuam tani deri në qershor të vitit të ardhshëm duhet të jetë mjaft solide që në fund të qershorit të vitit të ardhshëm të dyja vendet ta kalojnë këtë urë drejt negociatave të anëtarësimit për BE.

DW: Cilat argumente sollën dy vendet, Franca dhe Holanda, që ishin kundër fillimit të negociatave e që iu desh t’i bindnit ju?

Roth: Sigurisht njëri prej argumenteve nuk kishte fare të bënte me gjendjen në Shkup dhe në Tiranë. Ai kishte të bënte me Bashkimin Europian që është i tronditur nga krizat, që është i zënë më shumë me hallet e veta. Ata shtrojnë pyetjen: A ia dalim dot në këto kohëra, kur na duhet t’i shpenzojmë të gjitha fuqitë për të rregulluar punët tona, që të zhvillojmë negociata ambicioze anëtarësimi. Mua nuk më bind ky argument, sepse unë vazhdoj të jem i bindur, se është në interes të të gjithë Europës që Ballkani Perëndimor të mbetet ose të bëhet i qëndrueshëm dhe i ankoruar te shteti ligjor.

DW: Kur ju thoni, se nuk e kanë fajin vetë vendet, por problemet e brendshme të BE-së, atëherë a mund të ndodhë që pas një viti BE-ja sërish të jetë e ngarkuar me problemet e saj dhe që sërish negociatat të shtyhen?

Roth: Ky ishte vetëm njëri nga argumentet që nuk kishte të bënte me këto dy vende. Por, sigurisht, vazhdon të ketë shtete anëtare të BE-së që kanë dyshime se a janë të mjaftueshme përparimet e bëra. Para së gjithash në lidhje me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetin ligjor. Prandaj edhe qeveria ime parashtroi një kompromis që u prit me shumë simpati, por tekefundit unë tani jam i kënaqur që ramë dakord për një qëndrim të përbashkët, i cili duhet parë si inkurajim i forcave reformuese në Shqipëri dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

DW: Përveç këtyre rezervave, mos pritet që këto dy vende të ofrojnë ndihmesë në kapërcimin e krizës së refugjatëve?

Roth: Nuk ka pazare ndërmjet Bashkimit Europian dhe këtyre dy shteteve. Ne ia njohim Ballkanit Perëndimor që deri tani ka bërë shumë për pranimin e refugjatëve, prandaj nëse këto vende tregohen të gatshme për të na ardhur në ndihmë për politikat e refugjatëve dhe të emigrantëve, nuk do të ketë rabat në politikat e zgjerimit dhe më duket e padrejtë të ushtrohet presion ndaj këtyre dy shteteve, sepse njëra nuk ka lidhje me tjetrën.

DW: Çfarë duhet të ketë arritur Shqipëria konkretisht deri në qershor 2019?

Roth: Shqipëria është bërë etalon me procesin e Vettingut për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe presim që procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe të prokurorëve më të rëndësishëm të dalë me sukses. Ky është njëri prej sektorëve. Nëse do të luftohet më me forcë edhe krimi i organizuar, atëherë kjo sigurisht që do ta rrisë besueshmërinë, sidomos te ato shtete që ende kanë rezerva.

DW: Po Maqedonia? Presidenti i Maqedonisë ka deklaruar se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë. Opozita është kundër. A nuk mendoni se kjo do të çojë në keqësimin e situatës deri në shtator, kur të bëhet referendumi për çështjen e emrit?

Roth: Unë dua vetëm të apeloj tek të gjitha palët përgjegjëse në Shkup që ta marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre historike. Ndoshta nuk e dine të gjithë se çfarë do të vinin në rrezik. Unë e kuptoj se ky kompromis mund të ketë qenë shumë i dhimbshëm për ndokënd, por ai është çelësi i portës për Bashkimin Europian dhe anëtarësimin në NATO.

Është një çelës që hap një portë për paqe dhe pajtim afatgjatë në rajon dhe unë kam përshtypjen se shumica e njerëzve në rajon e kanë kuptuar këtë. Por nga ana tjetër, edhe ne duhet të mësojmë me sa duket se Ballkani Perëndimor meriton një vëmendje më të madhe, sepse stabiliteti dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor duhet të hyjnë te interesat e mirëfillta të BE-së dhe se aty nuk duhet lejuar të krijohet një vakum politik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button