Politika

Rrëfehet Musa Ulqini: Edi Rama më riktheu deputet, Fatos Nano më shumë sesa një emër

Gjashtë herë deputet, 14 vjet kryetar i PS-së së Tiranës, ish-ministër i Informacionit dhe i sapozgjedhur sekretar për Burimet Njerëzore në PS dhe aleatët, Musa Ulqini ka thyer heshtjen e gjatë. Në emisionin Debati në Channel one të gazetarit Roland Qafoku ai rrëfeu se si Rama i kërkoi falje që e la jashtë listës për deputet në vitin 2009 dhe se si e ftoi sërish në vitin 2013. Por dhe çfarë mendon ai për qeverisjen dhe nivelin e demokracisë në PS nën drejtimin e Ramës dhe nën drejtimin e Fatos Nanos.

Çfarë ju bëri të riktheheshit në PS? Kush ju kontaktoi, si e morët vendimin për rikthim?

Ai që më largoi edhe më kontaktoi. Bëri një gjest të rrallë për natyrën e tij.

Zoti Rama?

Po, po. Zoti Rama. Më ftoi, më kërkoi të isha pjesë e Rilindjes. Unë nuk kisha asnjë arsye për të refuzuar. Më çoi në një zonë që nuk e kisha menduar se mund të kandidoja, në zonën e Dumresë dhe unë pranova me kënaqësi.

Si ju tha Rama kur ju kontaktoi?

Gjatë viteve kur nuk isha deputet e bëja ndonjë shkrim në gazetë. Edi më telefononte, më pyeste për ndonjë gjë, debatonim, por nuk është e vërtetë që këto katër vjet ne nuk kemi komunikuar.

Si ishte komunikimi i parë? 

Komunikimet nuk kanë qenë të shpeshta, jemi takuar 7-8 herë në 4 vjet. Ai e respektonte atë që unë përfaqësoja për kryeqytetin. Rama është i vështirë dhe i bën gjërat me bujë. Rama më ka ftuar vetë.

A ju kërkoi ndjesë?

Atë e ka bërë që në takimin e parë, tha se ishte diçka që mund të mos kishte ndodhur, më ka thënë më fal. Unë Ramën e kam mbështetur fuqishëm kur kandidoi për herë të parë si kryetar bashkie të Tiranës. Kam vlerësuar tek ai iniciativën për të ndryshuar gjëra që dukeshin të pandryshueshme. Ai ma ka kthyer këtë mbështetje. Kemi pasur partneritet dhe marrëdhënie serioze, nuk kishte në mes interesa, përveç interesave politikë. Ai ka dalë publikisht dhe ka përmendur emrin tim për kontribute. Unë nuk kam lindur deputet, e kam pasur si sfidë personale. Dukej sikur unë dija vetëm të drejtoja PS në kryeqytet, dhe në 4 vjet unë provova që mund të bëja shumë gjëra të tjera. Edhe në familje ka raste kur nuk flet me familjarët, pro familja politike quhet e tillë, sepse i ngjan familjes.

Përse nuk ju vendosi Rama në listë?

Arsyet i di Rama, ai kishte një koncept për listën e kryeqytetit dhe mendonte që unë nuk mund të isha fitues në kryeqytet. Po ky Ramë kërkoi që unë të isha pjesë e Rilindjes dhe unë nuk kam asnjë arsye të mos e mbështes në mënyrë maksimale.

Nuk patët mëdyshje kur ju vendosi emrin?

Ne kemi pasur debate, kanë qene debate mes dy drejtuesish, por e rëndësishme është që ne kemi sot një marrëdhënie e cila është në të mirë të punës.

Dhe nga kryetar i Tiranës iu “internoi” në Dumre. 

Këtë e thoni ju. Nuk është internim. Unë duhet ta shikoja PS-në edhe nga një pikëvështrim tjetër.

Ka qenë më e lehtë të punoni kur drejtues i PS ishte Nano, apo tani që është Rama? Cili është ndryshimi mes tyre? 

Zoti Nano është më shumë sesa një emër, partitë politike kanë të drejtë të reflektojnë. Në kuadër të 25 vjetorit PS kërkon të nderojë dhe respektojë të gjithë kontribuesit dhe themeluesit e kësaj partie. Unë mendoj që kjo që po ndodh në PS dhe riorganizimi tërësor i PS është një gjë jashtëzakonisht e mirë, unë jam entuziast për këtë. PS ka lënë gjurmë të thella sepse është promotore e reformave.

Po si ka mundësi zoti Ulqini, pasi e latë jashtë PS-së Fatos Nanon, as emri nuk iu zu në gojë. Dhe tani që e keni të sigurt që ai nuk mund të rikthehet më e ftoni në 25 vjetor? A është fajtore kjo PS që në 20 vjetor as ftesë nuk kishte Nano?

Ky është mendimi juaj.

Po, po imi është, natyrisht se unë fola.

Por sipas meje nuk është ashtu.

Ka ardhur më shumë PS rreth formës së Ramës, apo e kundërta?

Të dyja palët rreth njëra-tjetrës.

 Por Rama nuk pranoi të garonte me rivalin e tij. U ndalua gara…

Ky është debat i tejkaluar në PS. PS ka bërë ndryshim të jashtëzakonshëm në individë, në struktura.

A është më demokratike sot apo në kohën kur drejtohej nga Nano?

Janë kohë të ndryshme, nuk duhen krahasuar. PS funksionon në mënyrë të institucionalizuar, më mirë se asnjëherë tjetër. Nano ka një meritë të jashtëzakonshme, pasi bëri PS të dukej tërësisht ndryshe. Sot PS funksionon me më shumë rregulla, dhe është një organizëm i gjallë më efiçent. PS është një fuqi e madhe që mbështet qeverisjen me organizimin e vetë dhe me burime njerëzore. Është një parti që nuk krijon probleme. Gjatë 4 viteve kam refuzuar të bëj publike mendimet kritike, sepse isha i paragjykuar. Ia njoh vetes si cilësi pozitive që ditën që nuk jam, nuk dal të tregoj me gisht të tjerët. Unë e kam parë në mënyrë kritike largimin tim, u mundova të gjej gabimet e mia.

Gara për rritje në PS është garë brenda së majtës apo me kë e bëni garën e vetvetishme? Garën e keni me LSI që të mos rritet, që ju të mbani të njëjtën kuotë votash që keni deri tani? Me çfarë strategjie po shkoni në zgjedhjet e ardhshme?

Kjo që po bëhet në PS është në funksion të qeverisjes, ia shton forcën asaj. Në çdo qendër votimi kemi një sistem elektronik që nuk ka ekzistuar. Brenda 1 minuti nxjerrim të dhëna për të anëtarësuarit. Kjo na ndihmon të ndërtojmë politika sipas zonave të ndryshme. Atje ku kemi pa femra ti shtojmë, atje ku kemi të rinj ti angazhojmë. Ne kemi punë me veten tonë. Jemi partia më e madhe dhe duam të ngelemi e tillë. Ne duam një mandate tjetër që të përfundojmë reformat me të mëdha dhe më pro shtet që janë ndërmarrë në këtë shtet. Duam të marrim notën maksimale në punët e partisë, qeveria është diçka tjetër. Ne po bashkojmë efektet e qeverisjes dhe partisë në funksion të mirëqeverisjes dhe rezultatit në zgjedhjet e ardhshme.

Pse pati probleme me listat e zgjedhësve në referendum? Pse nuk ka një numër të votuesve?

Listat me të cilat janë bërë zgjedhjet kanë qenë të 31 dhjetorit të viti 2015. Listat tona janë shumë të sakta. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që pjesëmarrja do të ishte 83%  e kuptoja që do të kishte pjesëmarrje të madhe për delegatë, sepse kishte interesa individual  dhe kishte konkurrencë, por të vinin për një çështje që është shumë pak sensitive për anëtarët e thjeshtë, më ka befasuar. Sepse niveli kulturor i Dumresë nuk është I njëjtë me atë të kryeqytetit. Nuk kemi nxjerrë numra sepse nuk kemi dashur të ushqejmë mediat dhe opozitën që të shfokusojnë përpjekjen tonë nga reformat. Kjo është strategjia jonë, që të mos fokusojmë për një kohë të gjatë një çështje që nuk është çështje. Partia dhe qeveria janë në sinkron për të qenë në interesat e qytetarëve. Kjo nuk bëhet për frikë e për mungesë demokracie. Ne kemi edhe sekretar dixhital.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button