Intervista

Rrëfen Edi Mazi: Si ma vranë Santon para syve

ed_maziKa parë që t’i ekzekutohet miku i dy dekadave para syve, ndërsa pistoleta mulli e vrasësve i është drejtuar edhe atij. Janë çaste tmerri e gjaku që Eduard Mazi i përjetoi në vendin e krimit, aty ku, nëse vrasësit do të kishin pritur 4-5 sekonda më shumë, ai do të kishte takuar e përqafuar Artan Santon, ashtu siç e kishin lënë një natë më parë, ose… mund të kishte pasur fatin e keq të mikut, duke i kapur plumbat të dy. Katër ditë pas ngjarjes mafioze në mes të ish-Bllokut, ish-drejtori i TVSH-së, Eduard Mazi, duket se ende nuk e ka mbledhur veten. 

Në duar mban celularin e tipit “Samsung” dhe herë pas here e çon te mesazhi i fundit i këmbyer me Santon, ose me Tanin, siç i thërret ai miqësisht. SMS-ja mban orën 09:14:33, fiks një minutë para se trupi i përgjakur i Santos t’i binte gjysmë metri larg këmbëve të tij. 

Është një mesazh i thjeshtë në përmbajtje, i shkruar me dialekt shkodran për të ngacmuar Mazin, ku Santo e informonte shkurt se po shkonte në zyrë. “Të mërkurën në mbrëmje vonë, folëm gjatë, bëmë shaka dhe në fund e lamë që të takoheshim te zyra e tij, te banka “Credins”. Unë po lexoja mesazhin që më dërgoi e ndërkohë po e shihja të zbriste nga makina, kur…”, e lë fjalinë përgjysmë Mazi. Në fakt, ashtu i lë fjalitë disa herë. Humbja e mikut e emocionon edhe në kujtim, edhe në rrëfim. Dhe që të dyja bashkë mund t’i dalloni lehtë duke lexuar intervistën për gazetën “Panorama”… 

Ngushëllime për humbjen e mikut… Si jeni njohur me Santon? 
Me Tanin kemi më shumë se dy dekada miqësi. Që kur ai punonte te Banka e Kursimeve, por ende nuk ishte bërë drejtor. Mua më duhej të filloja marrëdhëniet me bankat për shkak të punës e projekteve dhe një mik i përbashkët më rekomandoi te Tani. Pra fillimisht kishim marrëdhënie korrekte pune, por që më ndihmonte me këshillat e tij. Në vitin 1999, kur unë u bëra drejtor i Radio Televizionit Shqiptar, i kërkova Tanit që të ishte kryetar i Bordit të Administrimit dhe ai e pranoi. Asokohe ky bord ishte organ konsulent, por asnjë vendim i këshillit drejtues në fushën ekonomike e financiare nuk merrej, nëse nuk ishte miratuar edhe nga Bordi i Administrimit. Kështu që Tani kishte një vlerë shumë të madhe, plus që ishte specialisti i duhur, sepse në atë kohë nisën marrëdhëniet me bankat dhe marrëdhëniet me jashtë. Tani ishte autoriteti i duhur për rregullimin e të gjithë sistemit të financave të televizionit, shumë i rëndësishëm, sepse asokohe u bë edhe kalimi i televizionit shtetëror në televizion publik. Pra ndryshoi statusi i këtij televizioni, duke u përshtatur me rregulla të caktuara, të ngjashme me rregullat e televizioneve europiane. Tani dha një kontribut shumë të madh në këtë shndërrim të televizionit, sipas rregullave ekonomiko-financiere. Pastaj kur u largova unë, për një vit, u largua dhe ai. Por që atëherë, asnjëherë nuk i kemi shkëputur marrëdhëniet miqësore, plus që unë kam luajtur edhe rolin e konsulentit mediatik për Tanin. Nuk është se arrinim të takoheshim çdo ditë, por të paktën një herë në javë po, shiheshim. 

E kishit “javën” për t’u takuar edhe mëngjesin e së enjtes kur ndodhi ngjarja? 
Ishte takim i planifikuar, sepse kishim për të diskutuar diçka për mediat, ku Tani ishte aksioner. Të mërkurën në mbrëmje vonë, folëm gjatë për gjëra shoqërore, bëmë shaka, treguam ndonjë barsaletë. Në fund e lamë që të takoheshim te zyra e tij, te banka “Credins”, rreth orës 09:15, ku të flisnim për çështje pune dhe konsulence. 

Shkuat për ta takuar? 
Normalisht që po. Shkova dhe parkova makinën te hapësira që kishte Tani, aty te banka. Duke ecur, sapo ngjisja shkallët e bankës, më erdhi një SMS e Tanit. 

Çfarë thoshte SMS-ja? 
Ishte një mesazh i thjeshtë ku me shkodrançen time më ngacmonte: “Si ke nje?”. Dhe pastaj shkruante “zyrë”, për të më treguar se kishte arritur para meje dhe po më priste. Kishim lënë që të takoheshim tek zyra e tij te banka “Credins”, rreth orës 09:15 minuta ku të flisim për çështje pune dhe konsulence. Shkova dhe parkova makinën te hapësira që kishte Tani aty te banka. Duke ecur, sapo ngjita shkallët e bankës më erdhi një SMS e Tanit. 

Ishte një mesazh i thjeshtë që më tregonte se kishte arritur para meje dhe po më priste. Kur sa lexova mesazhin, isha duke ngjitur shkallët pashë makinën e Tanit që vinte nga lart, dmth nga Kryesia e Kuvendit dhe hipi mbi trotuar. Tani hapi derën kështu që unë u nisa drejt tij që ta takoja që jashtë duke i dalë te një tabelë me reklamën e bankës që është aty. 

Tani po zbriste nga vendi i pasagjerit pas në krahun e djathtë. Në fraksionet e sekondës humba vëmendjen, sepse nuk po e merrja vesh se çfarë ndodhi. Më tepër kujtova se ishin kapsolla, pasi krismat ishim shumë të thata. 
Dëgjova 3 krisma. Të paktën kaq më është fiksuar mua, pasi thuhet se kanë qenë 4, por unë 3 mbaj mend. Pashë njerëzit rreth e rrotull që u ulën përtokë duke ulëritur. Kthej shërish sytë nga Tani dhe e pashë duke u përpjekur të vrapojë nga makina ku sapo kishte dalë, drejt bankës. 
Sa bëri 3-4 hapa, ai ra përtokë, pranë këmbëve të mia. Mund të them gjysmë metri, plus- minus janë centimetra. Në fillim kishte shenja jete. Ra si anash. Sa për plagët nuk flas dot me përpikmëri, por e kishte në shpatull. 
Pavarësisht hutimit se çfarë po ndodhte e pashë Tanin në tokë, bëra të përkulem drejt tij por një njeri i veshur me të zeza dhe skanfandër në kokë, kërceu nga motori që ishte thuajse ngjitur. I qëlloi në kokë, 2 herë të tjera Tanit dhe pastaj ma drejtoi mua pistoletën. Aty vura re se ishte një pistoletë mulli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button