Kosova

Rrëfimi për masakrën e heshtur nga drejtësia

Gjashtëmbëdhjetë vjet nga maji i vitit 1999, drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore nuk ka bërë asgjë në hetimin dhe kapjen e ekzekutorëve të 118 civilëve shqiptarë, të vrarë mizorisht më 2 maj të këtij viti, në Studime të Vushtrrisë.
Familjet Gërguri, Gërxhaliu, Rashica dhe Sfarça të Studimes përkujtojnë, sot, familjarët e vrarë në këtë masakër, shumica prej tyre fëmijë të ekzekutuar para prindërve, djem të rinj që u zgjodhën nga kolonat për t’u ekzekutuar si dhe gratë shtatzëna.

Familjarët dhe pushteti lokal i Vushtrrisë kërkojnë nga institucionet ndërkombëtarë dhe vendore që të mos neglizhojnë këtë masakër, por të ndjekin dhe vënë para drejtësisë ekzekutorët e civilëve shqiptarë.

Shukri Gërxhaliu, në emër të familjes Gërxhaliu, së cilës iu ekzekutuan 36 anëtarë thotë për “Zërin” se gjykatat vendore, por dhe drejtësia ndërkombëtare po e neglizhon një nga masakrat më të mëdha, të bërë nga forcat militare dhe paramilitare serbe ndaj popullatës civile në Kosovë.

“Forcat paramilitare serbe kur kanë arritur kanë shkuar në çdo veturë, traktor, çdo vend nga tri katër herë, duke plaçkitur së pari të hollat e banorëve, pastaj i kanë rrahur dhe më pas ekzekutuar në mënyrën më mizore, para familjarëve të tyre, prindërit para fëmijëve, fëmijët para prindërve…”, rrëfen Gërxhaliu.

Ai thotë se fillimisht forcat paramilitare kërkuan dhe ekzekutuan djemtë e rinj, pastaj edhe fëmijët që nuk i kursyen as ata, si dhe gratë shtatzëna. Gërxhaliu tregon se ishin në numër jo të vogël shtatzënat që u ekzekutuan në këtë masakër. “Serbët ekzekutuan edhe fëmijët e palindur”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu, i cili ka shkuar tre herë në Hagë për të dëshmuar këto krime kundër Millosheviqit, gjashtë të tjerëve udhëheqës të ish Jugosllavisë, dhe sidomos dëshminë e tij e ka dhënë ndaj ish komandantit të policisë Gjorgjeviq të ish Jugosllavisë, apelon që shteti i Kosovës te hetojë vrasësit lokal.

“Atje (në Hagë) kam potencuar pse vrasësit lokal nuk po hetohen dhe përgjigja që kam marrë ka qenë se : ’ata duhet të hetohen nga gjyqet tuaja vendore sepse ata po enden nëpër Mitrovicën veriore lirshëm dhe vendet tjera’”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se edhe institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje.

“Edhe sot asnjë prej atyre kriminelëve të cilët dihen me emra dhe mbiemra kush kanë qenë dhe kush ka qenë komandant, apo udhëheqës i tyre dhe asnjëri nuk është kap dhe nuk është hetuar, për fat të keq që 16 vjet ata shëtitin lirshëm nëpër Evropë dhe tash edhe vizën Shengen e kanë ndërsa popullata jonë është e shqetësuar që pas gjithë asaj masakre, dhe ato përjetime që kanë pasur atë natë”.

Gërxhaliu thotë se është e nevojshme që për të qetësuar shpiërtërat e atyre nënave që kanë mbetur pa fëmijë…, jetimëve që kanë mbetur pa prindër që të “hetohen vrasësit lokal, e të dalin para drejtësisë, sepse me të vërtetë është padrejtësi e madhe, kjo po mbetet brengë e jonë e krenari për ata (vrasësit) që po “falen” nga institucionet.

Për 3-4 orë sa ka zgjatur masakra, ai thotë se janë 118 të vrarë, kurse gjatë muajit maj masakra ka vazhduar dhe janë vrarë gjithsej 200 njerëz. Gërxhaliu thotë se vetëm nga familja Gërxhaliu janë ekzekutuar 36 veta në këtë masakër. Kurse, më 31 maj u ekzekutua barbarisht nga paramilitarët serb familja 12 anëtarësh e Selatin Gërxhaliut, nga të cilët 7 ishin fëmijë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku thotë se masakra e bërë në studime nga forcat serbe është neglizhuar nga të gjithë.

“Sikurse UNIMIK-u, edhe EULEX-i kanë neglizhuar hetimet për rastin e masakrës në Studime të Epërme dhe atë të lartë”, thotë Mulaku për “Zërin”.

Kryetari Mulaku kërkon që kjo masakër të mos neglizhohet më, por vrasësit e shqiptarëve të hetohen dhe vihen para drejtësisë, e të cilët ai thotë se dihet dhe kush janë.

Mulaku është dhe një nga dëshmitarët e kësaj masakre, që në mesin e shumë burrave tjerë që u ndanë nga familjet dhe u morën nga forcat serbe, dhe u dërguan në Burgun e Smrekonicës ku u mbajtën për 21 ditë.

Muaji maj i vitit 1999 është muaji në të cilin forcat serbe ndërmorën disa aksione për vrasjen e shqiptarëve nëpër fshatra dhe qytet, që qëndruan duke refuzuar të braktisin vendin-Kosovën. Pothuajse secila familje vushtrriase mban në vete një histori qëndrese përballë një barbarie të paparë të forcave kriminale serbe të tmerrshme, jo njerëzore të bërë ndaj familjarëve të tyre.

Krimi më mizor dhe i programuar në operacionin ‘’Patkoi’’, ndodhi në mbrëmjen e 2 majit, kur forca të mëdha ushtarake, policore e paramilitare i zunë pritën kolonës së madhe të qytetarëve në grykën e përroskës ku vranë 118 civilë shumica gra e fëmijë, ndërsa plagosën qindra të tjerë, dhunuan dhe plaçkitën popullatën e pafajshme civile, prej popullatës 3000 mijë burra të zënë peng u dërguan në burgun e Smrekonicës, i cili ngjasonte në një kamp përqendrimi, ku janë torturuar përreth 20 ditë, pastaj ata që shpëtuan torturave, i dëbuan jashtë vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button