Politika

Rregulli në PS: Kush nxjerr informacione, përjashtohet

PS ka përgatitur Kodin Etik që ndalon nxjerrjen e informacioneve në media nga mbledhjet me dyer të mbyllura. Edhe pjesëmarrja në emisione vetëm me leje të partisë. Ndalohen familjarët në Asamble

Partia Socialiste ka vendosur të forcojë rregullat e saj për të mos lejuar më rrjedhjen e informacionit apo të debateve të brendshme në media dhe mandej në publik.

Kodi i ri i Etikës që i është propozuar për miratim Asamblesë Kombëtare ka përcaktuar një sërë normash të detyrueshme për të gjithë anëtarët e partisë, nga ai më i thjeshti deri tek drejtuesit më të lartë.

Në këtë Kod për herë të parë janë përfshirë në mënyrë të detajuar dhe specifike ndalimi i nxjerrjes së informacionit në publik i ccdo mbledhje me dyer të mbyllura përfshi këtu ato të Asamblesë Kombëtare, Kryesisë, dhe grupit parlamentar.

Sipas këtyre dispozitave komunikimet me median për çështje që implikojnë qëndrimet politike të PS bëhen përmes Zyrës së Marrëdhënieve me Median ose në konsultim me të dhe çdo lloj komunikimi tjetër është antistatutor dhe i dënueshëm.

Më konkretisht asnjë anëtar i Kryesisë, Asamblesë nuk mund të deklarohet në publik ose me forma të tjera, për çështjet e diskutuara në mbledhjen e Kryesisë apo Asamblesë kur për to vendoset të jenë të mbyllura.

Për vendime që merren në Grupin Parlamentar, në emër të Grupit dhe në përputhje me vendimin politik të tij, shprehet Kryetari, nënkryetari ose Sekretari i Grupit dhe në raste të veçanta një person i caktuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar.

Asnjë deputet i Grupit Parlamentar Socialist nuk mund të shprehet në media për çështjet e diskutuara në Grup kur është vendosur që mbledhja e Grupit të jetë e mbyllur.

Gjithashtu ky Kod përcakton edhe se pjesëmarrësit në debatet publike dhe televizive si përfaqësues të PS konsultohen paraprakisht me sektorin përkatës të PS, lidhur me qëndrimet e Partisë për çështjet në diskutim.

Kodi sanksionon edhe disa norma të detajuara që duhet të përmbushin të gjithë të zgjedhurit dhe të emëruarit e PS-së qoftë në strukturat drejtuese ashtu edhe në ato qeverisëse.

Kështu çdo kandidat i propozuar për t’u zgjedhur apo emëruar në funksion politik nga Partia, detyrohet të nënshkruajë një deklaratë në të cilën deklaron se: a) nuk është shkarkuar ose larguar nga asnjë detyrë e mëparshme për korrupsion apo shkelje të ligjit; b) nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie.

Kodi i Etikës përcakton po ashtu për herë të parë që është e ndaluar që dy familjarë të jenë pjesë e forumeve drejtuese, siç është Asambleja Kombëtare.

 

Kodi i Etikës

Neni 6

Integriteti dhe standartet në përzgjedhjen e kandidatëve

1.Përfaqësuesit e partisë në funksione politike, në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv qendror dhe vendor, duhet të karakterizohen nga standartet më të larta të integritetit moral dhe ligjor.

2.Çdo kandidat i propozuar për t’u zgjedhur apo emëruar në funksion politik nga Partia, detyrohet të  nënshkruajë një deklaratë në të cilën deklaron  se:

  1. nuk është shkarkuar ose larguar nga asnjë detyrë e mëparshme për korrupsion apo shkelje të ligjit;
  2. nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie;
  3. do të zbatojë me korrektësi standartet ligjore të fuksioneve për të cilat kandidon apo emërohet.

ç. do të  zbatojë me korrektesë rregullat dhe normat e përcaktuara në dokumentat kryesore të Partisë.

3.Modeli i deklaratës që duhet të plotësojnë kandidatët për përfaqësim në drejtim dhe emërim në poste politike e ekzekutive përgatitet e miratohet nga Kryesia e Partisë.

  1. Personat që përjashtohen në bazë të Kodit të Etikës nuk mund të jenë kandidatë për funksione të ndryshme përfaqësimi ose të mund të emërohen në çdo lloj detyre që ka mbështetjen politike të partisë.

 

Neni 9

Shmangia e papajtueshmërisë së lidhjeve familjare në drejtim e përfaqësim

1.Nuk mund të jenë njëkohësisht në përbërje të së njëjtës strukturë drejtuese (Asamble Socialiste, Asamble Kombëtare) persona që lidhen nga marrëdhëniet: bashkëshortë, prind–bir/bijë, vëlla – motër, vjehërr – dhendër/nuse.

2.Në rast se në përfundim të një procesi zgjedhor rezulton se përbërja e strukturës përkatëse drejtuese bie në kundërshtim me përcaktimin e mësipërm, çështja zgjidhet me dorëheqje ose me short.

3.Nuk mund të jenë në të njëjtën kohë kryetar i PS i bashkisë dhe kryetar bashkie/komune, drejtues kryesorë të PS dhe të zgjedhur ose të emëruar në funksione politike si deputet, zv.ministër, ministër, etj persona që lidhen nga marrëdhëniet familjare të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

4.Anëtari i strukturës drejtuese të partisë në nivel vendor dhe  qendror, jashtë detyrimeve që përcaktohen në pikën 1 dhe 3 të këtij neni, duhet të deklarojë dhe të mos marrë pjesë në diskutimin, shqyrtimin dhe miratimin e vendimeve përzgjedhëse kur ai vetë ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndri e nusja e tij, kanë interes politik ose përfaqësues.

 

Neni 10

Shmangia e papajtueshmërisë së dy apo më shumë mandateve në drejtim e përfaqësim.

1.Statuti i partisë në një sërë nenesh të tij përcakton si rregull që në procesin e përfaqësimit e të mandatimit të përfaqësuesve të saj në poste drejtuese në parti e në ekzekutiv të shmangë papajtueshmërinë e mbajtjes së më shumë se dy mandateve të përfaqësimit nga i njëjti individ.

2.Numri i përfaqësuesve të partisë në ekzekutiv në nivel qendror e vendor  nuk mund të jetë më i madh se 50 % e numrit të përgjithshëm të antarëve të Kryesisë së Partisë.

3.Funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm dhe i Sekretarëve të Partisë është i papajtueshëm me funksionin e antarit të kabinetit qeveritar dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv me kohë të plotë. Në rast të ndryshimit të statusit të tyre ata janë të detyruar të japin dorëheqjen nga njëri funksion.

4.Përfaqësuesit e partisë në organet e qeverisjes qendrore e vendore, ministrat, deputetët, kryetari i këshillit të qarkut, kryetari i bashkisë, prefekti, nënprefekti, kryetari i këshillit të bashkisë, administratori i njësisë administrative nuk mund të jenë kandidatë apo të zgjidhen në detyrën e kryetarit të partisë të njësisë administrative apo të kryetarit të partisë të bashkisë. Në çdo rast kandidati është i detyruar të zgjedhë një nga pozicionet.

5.Kryetari i partisë i bashkisë është funksionar me kohë të plotë në parti. Në rast se në kohën kur propozohet apo zgjidhet ai mban edhe një mandat tjetër si i emëruar përfaqësues i partisë, është i detyruar të japë dorëheqjen nga njëri prej mandateve.

6.Kryetari i partisë i bashkisë gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit të tij si drejtues partie në bashki nuk mund të jetë kandidat apo të propozohet si kandidaturë për kryetar bashkie apo si deputet.

 

Neni 12

Parime të përgjithshme

1.Kodi i Etikës në marrëdhëniet me publikun synon regullimin e marrëdhënieve të komunikimit të anëtarëve të PS me publikun, me qëllim ruajtjen e kohezionit dhe shmangien e deklarimeve kontradiktore që krijojnë probleme e paqartësi për anëtarët dhe strukturat e PS në bazë si dhe për publikun e gjerë.

2.Partia Socialiste e Shqipërisë, anëtarët dhe strukturat drejtuese të saj respektojnë të drejtat bazë dhe lirinë e shprehjes së individit të garantuara nga Statuti i PS. Anëtari i partisë nuk mund të veprojë në kundërshtim me Statutin dhe rregulloret e miratuara nga forumet drejtuese të PS.

3.Anëtari i strukturave drejtuese e përfaqësuese të PS në komunikimet publike ka parësore dhe respekton interesin e Programit politik dhe të Statutit të PS, krijimin e një klime bashkëpunimi në përçimin e qartë në publik të qëndrimeve politike të PS, në interes të rritjes së besueshmërisë dhe veprimit politik të saj.

4.Deklarimet publike të anëtarëve të strukturave të PS, forumit të gruas dhe të rinisë, nuk mund të bien ndesh me linjën politike të miratuar në strukturat vendimmarrëse të partisë.

 

Neni 13

Rregulla për respektimin e kodit të etikës

1.Komunikimet me median për çështje që implikojnë qëndrimet politike të PS bëhen përmes Zyrës së Marrëdhënieve me Median ose në konsultim me të.

2.Anëtari i PS i zgjedhur në organe drejtuese  të Partisë dhe të forumeve të Rinisë e të Gruas nuk munnd të shprehet në emër të PS për çështje që kërkojnë një vendimmarje politike pa u konsultuar më parë me strukturat përkatëse vendimmarëse.

3.Sekretarët e PS shprehen për çështje politike sipas sektorëve që mbulojnë përveçse për çështje të tjera për të cilat janë ngarkuar nga Kryetari i Partisë, Asambleja dhe Kryesia. Deklarimi i tyre bëhet konform qëndrimeve politike të miratuara nga strukturat vendimmarrëse.

4.Anëtarët e Kryesisë dhe Asamblesë shprehen në media për çështje politike që kanë të bëjnë me qëndrimin e partisë konform vendimeve të marra nga strukturat vendimmarrëse (Kryesi, Asamble, Kongres). Në çdo rast deklarimi kordinohet me Zyrën e Marrëdhënieve me Median në Parti.

5.Për vendimet e Kryesisë shprehet Kryetari i Partisë, zëdhënësi i Partisë ose një nga anëtarët e forumit i ngarkuar nga Kryetari.

6.Për vendimet që merr Asambleja Kombëtare e Partisë shprehet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë si drejtues i saj ose i ngarkuari prej tij.

7.Asnjë anëtar i Kryesisë, Asamblesë nuk mund të deklarohet në publik ose me forma të tjera, për çështjet e diskutuara në mbledhjen e Kryesisë apo Asamblesë kur për to vendoset të jenë të mbyllura.

8.Për vendime që merren në Grupin Parlamentar, në emër të Grupit dhe në përputhje me vendimin politik të tij, shprehet Kryetari, nënkryetari ose Sekretari i Grupit dhe në raste të veçanta një person i caktuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar.

9.Asnjë deputet i Grupit Parlamentar Socialist nuk mund të shprehet në media për çështjet e diskutuara në Grup kur është vendosur që mbledhja e Grupit të jetë e mbyllur.

10.Pjesëmarrësit në debatet publike si përfaqësues të PS konsultohen paraprakisht me sektorin përkatës të PS, lidhur me qëndrimet e Partisë për çështjet në diskutim.

11.Përfaqësuesit e PS në këshillin e bashkisë apo të qarkut këshillohen me Kryetarin e Grupit të Këshilltarëve përkatës të PS përpara deklarimeve në publik për çështje që implikojnë qëndrimin politik të PS si forcë përfaqësuese.

 

Neni 14

Qëllimi

1.Për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me zbatimin e Kodit të Etikës në parti ngrihet dhe funksionon Komisioni i Garancive Statutore dhe i Etikës i PS.

2.Komisioni i Garancive Statutore dhe i Etikës ka autoritetin për respektimin e zbatimin e këtij Kodi, dhe për të ndërhyrë në trajtimin e zgjidhjen e konflikteve që lindin në çdo nivel të partisë për çështje që lidhen me respektimin e Kodit të Etikës.

3.Komisioni i Garancive Statutore dhe Etikës i Partisë vepron edhe në rastet e fyerjes, cënimit të personalitetit dhe kërcënimit të një anëtari partie ndaj një anëtari tjetër, si të papranueshme për etikën socialiste dhe që u nënshtrohen sanksioneve statutore të parashikuara në Statutin e Partisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button