Ekonomia

Rreth 45% e naftës shqiptare përpunohet në rafineritë vendase

Mbi 45% e naftës bruto që nxirret nga puset e naftës në vendin tonë kalon për përpunim dhe shitje në tregun e brendshëm, ndërsa pjesa tjetër e saj për eksport nga kompanitë e huaja, që punojnë me Marrëveshjet Hidrokarbure (MH).

Sipas të dhënave të fundit për dy tremujorët e parë 2015 të publikuar nga Agjencia e Burimeve Natyrore (AKBN), prodhimi total i naftës në 6-mujorin e parë arriti në 649.817 tonë naftë bruto, nga të cilat, 249.425 tonë, rreth 45% u përpunuan dhe u shitën në tregun e brendshëm, ndërsa 410.398 tonë naftë bruto u eksportua jashtë vendit.

Pjesën e “luanit” e mban kompania kanadeze “Bankers Petroleum” ndër 5 kompanitë e tjera që punojnë në nxjerrjen e naftës sipas Marrëveshjeve Hidrokarbure (MH) të lidhur me qeverinë shqiptare si dhe “TransAtlantic”.

Përveç “Bakers Petroleum” që punon në zonën më të madhe naftëmbajtëse të Patos Marinzës, me MH punojnë edhe kompanitë e tjera të huaja si “TransAtlantic” që punon në zonat Cakran, Hekal, Mollas dhe Delvinë, “Sherwood” në zonën Kuçovë, “TransOil Group” në zonën e Visokës dhe “Phoenix” në zonën e Amonicës.
Sipas tabelave të AKBN, rezulton se kompania publike “Albpetrol” në 6 muajt e parë ka nxjerrë vetëm 22.266 ton naftë, sasi mjaft e vogël, çka tregon një pozicion shumë të ulët në tregun e nxjerrjes së naftës në vend, ndërsa përfitimet në sasinë e naftës që merr nga MH është më e madhe se vetë prodhimi i saj.

Sipas burimeve, sasia e naftës bruto është shitur tek rafineritë private të përpunimit të naftës, ku pjesën më të mëdhe e zë “Armo”. Më tej, pas përpunimit, karburantet, kryesisht diezel tregtohen nga shpërndarësit në tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Pavarësisht se nafta e vendit del në treg me kosto më të ulët nga ajo e importit, ndikimi i saj në çmim është thuajse i papërfillshëm dhe nuk ka ndikuar në zbutjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button