Rreziku i një Evrope post-gjermane
Nga Ana Palacio
Gjatë dy shekujve të fundit, “çështja gjermane” – si të frenohet një Gjermani, dominimi i të cilës mbështetej në madhësinë e saj komanduese, kapacitetin e lartë prodhues, dhe pozitën gjeografike në zemër të Evropës – ka shkaktuar shumë shqetësim dhe jo pak luftëra. Sot, me dështimin e negociatave për të formuar një koalicion të ri qeveritar, çështja është kthyer nga fillimi. Udhëheqësit evropianë shqetësohen se Gjermania po bëhet e paaftë për të udhëhequr dhe mbrojtur Evropën në një botë të globalizuar.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, zgjidhja e pyetjes origjinale gjermane ka qenë që vendi të përfshihet në institucionet evropiane. Nga Traktati i Romës, i cili themeloi Komunitetin Ekonomik Evropian, tek Traktati i Mastrihtit, i cili krijoi Bashkimin Evropian dhe Eurozonën, Gjermania ka shërbyer si gjysma e boshtit të rëndësishëm franko-gjerman, që është në qendër të projektit evropian.
Deri në fillim të viteve 2000, Gjermania kishte tejkaluar sfidat e ribashkimit, dhe ishte në pozicion për të siguruar ndikim edhe më të madh në Evropë. Megjithatë, Franca nuk ishte aq e sigurtë për integrimin e mëtejshëm, gjë që u pasqyrua në votimin e vitit 2005, kundër kushtetutës së propozuar evropiane. Me këtë, filloi epoka e mbizotërimit gjerman.
Ishte Gjermania që shtyu përpara “zgjerimin e pestë” të BE-së – pranimin e njëkohshëm të dhjetë vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, nga 2004 deri në 2008. Por ishte kriza globale financiare që e forcoi me të vërtetë pozicionin e Gjermanisë në krye të Evropës. Këshilli Evropian udhëhoqi reagimin ndaj krizës, dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte qartazi ajo që merrte vendimet.
Në vitet që pasuan, ndërsa Gjermania u bë gjithnjë e më dominuese, udhëheqja franceze vazhdoi të zhduket. Fuqitë e tjera me ndikim në Evropë janë tërhequr gjithashtu nga kontinenti: jo vetëm që Mbretëria e Bashkuar votoi për të dalë fare nga BE; Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin mbështetur gjatë Pax Americana-n, e cila kishte qenë aq vendimtare për Evropën, gjithashtu e larguan vëmendjen nga rajoni. Rezultati i qartë ishte zhvendosja e qendrës së gravitetit të Evropës, në Berlin.
Ndërkohë, krizat janë përhapur, me Gjermaninë që ka udhëhequr reagimin ndaj të gjithë atyre. Përtej krizës financiare, Evropa është përballur me një krizë të rëndë migrimi dhe një krizë të sigurisë, me rrënjë në revanshizmin rus. Por udhëheqja e Merkelit nuk është përgëzuar gjithmonë, veçanërisht në kontekstin e krizës së migracionit. Përkundrazi, ajo ka shkaktuar zhgënjim në Evropën jugore të sfiduar ekonomikisht, në Europën Lindore të cenueshme gjeografikisht, dhe në vetë Gjermaninë.
Ky trend i fundit, në veçanti, ka komplikuar rolin e Gjermanisë në Evropë. Për 18 muajt e fundit, udhëheqja e Gjermanisë ka parë gjithmonë e më shumë nga brenda vendit, kryesisht për shkak të zgjedhjeve federale në shtator. Si rrjedhojë, çështjet thelbësore për të ardhmen e BE-së – në lidhje me negociatat e Brexit, politikat e migracionit, bashkëpunimin për mbrojtjen, krijimin e një bashkimi bankar dhe, ndoshta më e rëndësishmja, reformën e institucioneve evropiane – në një masë të madhe, u ndalën.
Ideja ishte që, sapo Merkeli të siguronte mandatin e saj të katërt, ajo më në fund mund të përvishte mëngët dhe të shtynte përpara reformat institucionale, për të cilat BE-ja ka aq shumë nevojë. Por, dy muaj pas zgjedhjeve, Evropa ende është duke pritur.
Ndërsa Merkel siguroi një mandat të katërt, ai nuk ishte aq i fortë sa pritej. Pra, Unioni Kristian Demokrat i saj dhe partia e saj motër, Unioni Kristian Social bavarez, u detyruan të zhvillonin bisedime të zgjatura koalicioni me Demokratët e Lirë (pro biznesit) dhe të Gjelbërit, ku secila prej tyre sjell në tryezë një axhendë të ndryshme dhe vizion të ndryshëm mbi Evropën.
Edhe në skenarin më të mirë, koalicioni i supozuar dukej i gatshëm të ruante qasjen që ka mbizotëruar për pothuajse dy vjet. Por gjërat janë më keq: bisedimet e koalicionit kanë dështuar, duke futur ndoshta Gjermaninë dhe Evropën, në një periudhë të gjatë pasigurie. Në mungesë të një emergjence të vërtetë që do të nxiste veprimin gjerman, BE përballet me një perspektivë shumë reale për të mbetur në një situatë pezull – një rezultat që blloku në vështirësi s’mund ta përballojë pa probleme.
Sigurisht, zgjedhja e befasishme e Emmanuel Macron si presidenti i Francës ka ngjallur shpresa për rindërtimin e boshtit franko-gjerman. Por, ndërsa Macron është duke thënë të gjitha gjërat e duhura dhe ka vizion, Franca nuk mund të çojë përpara e vetme, një vizion të guximshëm për Europën, veçanërisht pasi ajo gjithashtu ndjek reformat vitale brenda vendit. Gjermania mbetet partnerja evropiane “sine qua non”.
BE është një hiç pa Gjermaninë. Prandaj Evropa nuk mund të rrijë e të presë, me shpresën që Gjermania do të vendosë papritur të rimarrë lidershipin. Në vend të kësaj, ajo duhet të merret direkt me çështjen gjermane, ashtu si bëri pas Luftës së Dytë, duke punuar në mënyrë aktive për ta ankoruar sërish vendin në projektin evropian.
Por në ndërkohë, Evropa duhet të bëjë ndryshime më themelore. Kur të krijohet një qeveri e re gjermane, BE do të jetë duke u përgatitur për zgjedhjet parlamentare evropiane të qershorit 2019 dhe përzgjedhjen e një Komisioni të ri Evropian. Kjo do e shtyjë edhe më tutje me këmbë “kanoçen”. Nëse BE nuk ndryshon qasje, ajo do të jetë e dënuar që thjeshtë të mbajë frymën nga një palë zgjedhje, në një palë tjetër. Një fushatë e përjetshme nuk është mënyra e duhur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.