Rrëzohet propozimi i PD-së për uljen e TVSH-së për energjinë, Cani: E keni marrë përgjigjen nga FMN
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nuk miratoi të mërkurën propozimin e Partisë Demokratike për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të çmimit të energjisë elektrike .
Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, opozita propozoi që TVSH-ja për furnizimin e energjisë elektrike të ulet nga 20% në 6%.
Kjo masë, tha deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu në fjalën e tij në Komision, do të lehtësonte jashtëzakonisht barrën e rëndë ekonomike që po përballojnë sot shqiptarët. Gjithashtu, sipas tij, ulja e normës së TVSH-së nuk ndikon në performancën e të ardhurave të kompanive shtetërore siç janë KESH, OSHEE dhe OST.
Por ministri i Financave, Shkëqim Cani sqaroi se propozimi për uljen e TVSH-së është diskutuar nga opozita edhe me misionin e radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN-ja, tha ai, ka qënë kundër përshkallëzimit të TVSH-së.
“Unë besoj fort që opozita në takimin e radhës me misionin e FMN-së e ka trajtuar këtë çështje dhe besoj se ka marrë edhe përgjigje nga Misioni, të cilin do ishte mirë të na e thoshte ne këtë tryezë, në mënyrë që marrëdhëniet e ndërkombëtarëve të paraqiteshin si marrëdhënie partnerësh seriozë. Paketën fiskale, si duke qënë diçka shumë serioze e kemi realizuar në konsulta me FMN-në dhe Bankën Botërore. Nuk mjafton vetëm të propozosh këtë masë, por duhet të shohësh edhe kundër efektin dhe të japësh zgjidhje për të. Duhet marrë parasysh edhe një tjetër partner që veç FMN-së, është edhe BE. Kur kemi hartuar ligjn e TVSH-së nuk është pranuar ideja e përshkallëzimit të niveleve të TVSH-së”, deklaroi ministri Cani.
Kreu i financave publike duke panaur faktin se kompania OSHEE duhet të shkojë drejt privatizimit apo menaxhimit privat akuzoi qeverinë e shkuar për dështim në procesin e privatiziit që i bëri kësaj kompanie te kompania çeke CEZ.
“Biem dakord me opozitën për menaxhim privat apo privatizim, por nuk jemi dakor me atë çfarë u bë me këtë kompani dhe fakt është se qe dështim total ai lloj provatizimi siç edhe e paralajmëruam. Jemi dakord dy palët dhe është në objektivat tona për të parë mundësinë e menaxhimit privat apo privatizimit. Kjo do të shtihet në kohë, janë një sërë reformash. Nuk i hymë kuturu kësaj zgjedhjeje, por do të ndërmerren hapat e duhur”, u shpreh Cani.
Cani tha se qeveria ka nisur një reformë që synon shëndoshjen e sistemit energjitik dhe se politika e çmimeve e ndërmarrë nga qeveria nuk preku shtresat në nevojë, pasi ato u kompensuan. “Në gjendjen që e latë sistemin energjetik kuptohet që do të duhet që masat të jenë herë-herë radikale, të dhimbshme, por edhe masa të cilat duhet të shohin nga e ardhmja. E latë sistemin me 1 miliardë dollarë borxhe humbje, dështuat në privatizim dhe doemos duhet ristartuar, pas ristrukturimit që po bëjmë. Ju shitët me çmime banale 4 hec-e”, shpjegoi Cani.
Ministri po ashtu, akuzoi qeverinë e djathtë edhe për strukturën e çmimeve të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike. “Keni lënë strukturë çmimesh absure. KESH e shet me 2.2 leke për kilovat energjinë elektrike ndërsa i keni imponuar blerje me 9.3 lekë për kilovat”, theksoi ai.