Rritet çmimi i naftës ndërsa afrohet afati i ultimatumit të Trump ndaj Iranit për rihapjen e Hormuzit
Çmimet e naftës regjistruan sot një rritje, ndërsa afrohet afati i një ultimatumi të ri nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Iranit, duke mbajtur tregjet të përqendruara te ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimeve globale me energji.
Nafta “Brent” për dorëzim në qershor u rrit me 1,2%, duke arritur në 111,11 dollarë për fuçi në orët e para të tregtimit, pranë nivelit maksimal të marsit prej pak mbi 112 dollarësh.
Edhe nafta amerikane “West Texas Intermediate” (WTI) për të njëjtin muaj shënoi një rritje të ngjashme.
Që nga fillimi i konfliktit me Iranin, çmimi i naftës “Brent” është rritur me më shumë se 50%, duke reflektuar shqetësime në rritje për inflacionin dhe ngadalësimin ekonomik.
Kontratat afatshkurtra kanë shënuar rritje edhe më të forta: WTI për dorëzim në maj tregtohej rreth 115 dollarë për fuçi, rreth 70% më shumë krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit, më shumë se pesë javë më parë.
Situata është përkeqësuar edhe nga vështirësitë në kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG).
Me kalimin e kufizuar për shumicën e anijeve, kontratat afatshkurtra po tregtohen me çmime dukshëm më të larta se ato afatgjata, duke reflektuar mungesën e menjëhershme të furnizimit.
Ultimatumi i Trump, i cili kërkon rihapjen e kësaj rruge strategjike detare, përfundon mbrëmjen e sotme.
Megjithatë, nuk ka shenja për një marrëveshje ndërsa afati po afrohet.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar “shkatërrim të plotë” të centraleve energjetike dhe urave të Iranit nëse ngushtica nuk rihapet, ndërsa një zëdhënës ushtarak iranian i ka hedhur poshtë këto kërcënime. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.