Ekonomia

Rritet me 5 vjet mosha e pensionit për fermerët

Mosha e daljes në pension, nga 50 vjeç, bëhet 55 vjeç

KOMISIONI I LIGJEVEQeveria rrit me 5 vjet moshën e pensionit për ish-punonjësit e kooperativave bujqësore dhe fermerët. Në mbledhjen e pasdites, Komisioni i Ligjeve miratoi dje në tërësi projektligjin për sigurimet shoqërore, në të cilin u përfshinë dhe disa propozime të deputetit socialist Pandeli Majko, i cili kërkoi që rritja e moshës së pensionit të nisë në janar të vitit të ardhshëm. Duke iu referuar relacionit të deputetit socialist, theksohet se me këtë qeveria synon që në vitin 2018 kontributi i të vetëpunësuarve në bujqësi do të rritet gradualisht, deri në barazimin me kontributet e personave të vetëpunësuar në aktivitete jobujqësore. Duke kërkuar një formulim më të saktë të nenit 44, Majko propozoi që në nenin 93 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” të ndryshohet mosha e vjetërsisë së punës nga “50 vjeç” që është aktualisht në “55 vjeç”. “Në rastet kur si vjetërsi pune, sipas kësaj tabele, kërkohet të njihet edhe vjetërsia si ish-anëtar i kooperativës bujqësore dhe data e fillimit të pensionit është nga data 1.1.2015, e në vazhdim, masa e pensionit llogaritet sipas neneve 32 dhe 96 të këtij ligji”, ishte propozimi i Majkos për paragrafin e dytë të nenit 44 që përkon me nenin 93 të ligjit aktual. Ndër të tjera, deputeti socialist propozoi që çdo vit të indeksohet edhe kontributi i personave të siguruar, duke sjellë dhe një rritje të lehtë të përfitimit vit pas vit. “Pas datës 1.1.2015, çdo vit, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar vjetore individuale indeksohet me koeficientin, që llogaritet si raport i kontributit mesatar të personave të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës”, thekson Majko në propozimin e tij për ndryshimin e pikës 3 të nenit 31. Sa u përket përfituesve nëpërmjet sigurimit shoqëror suplementar Majko propozon ndryshimin e formulimit të nenit 3 të projektligjit. “Sigurimi shoqëror suplementar mbron me të ardhura personat që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese dhe personat me tituj shkencorë; si dhe punonjësit e shtetit, ushtarakët që shërbejnë në strukturat e FA-ve, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme”, theksoi Majko, duke kërkuar që kriteret për sigurimet shoqërore suplementare të kategorive të sipërcituara, të përcaktohen me ligje të veçanta.

Sa i përket skemës së re të llogaritjes së pensionit që reflektohet në projektligjin e miratuar një ditë më parë, kjo skemë merr për bazë pagën mbi të cilën ka kontribuar gjatë jetës, si dhe gjatësinë e periudhës së sigurimit, dhe, sipas Majkos, krijon një lidhje më të drejtë midis kontributit të paguar ndër vite dhe pensionit. “Ky ndryshim i mënyrës së llogaritjes do të shoqërohet edhe me eliminimin e kufizimit të pensionit ‘tavan’, duke lënë si pension që do të përfitohet vetëm masën e pensionit që del nga llogaritja sipas formulës”, thekson deputeti socialist në relacionin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button