Ekonomia

Rritja e taksave na bën më pak konkurrues në rajon

Intervistë me Presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford.

Mark-Crawford-209x230Rekomandimi për uljen e tatimfitimit dhe taksave të tjera vjen nga një shqetësim rreth krijimit të incentivave të korporatave për t’u zhvendosur drejt vendeve me taksa më të ulëta në rajon?

Për Dhomën Amerikane, rekomandimi ndaj qeverisë shqiptare, teksa kjo e fundit po përgatitet për paketën fiskale 2015 është i qartë: theksi të vihet te zgjerimi i bazës të taksapaguesve, jo duke rritur barrën mbi bazën ekzistuese të taksapaguesve (shiko nëndarjen Dhoma Amerikane kërkon rishikim dhe ulje të tatimfitimit). Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, pohon se rritja e taksave rrezikon që bizneset të zhvendosen drejt vendeve të rajonit që kanë taksa më të ulëta. Në një intervistë me e-mail, për Monitor, nga SHBA-të, ku ai ndodhet për të promovuar Shqipërinë dhe për të tërhequr investime të huaja, z. Crawford flet për këndvështrimet e tij për ekonominë shqiptare, taksat, energjinë, FMN-në, ndërsa nuk ngurron as të japë disa këshilla për qeverinë.

Si do ta vlerësonit ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë periudhës së parë të vitit 2014 dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të 2014-s?

Bazuar në informacionin që ne kemi marrë nga anëtarët tanë, përmes Dhomës, duke iu referuar indeksit tonë të biznesit (ABI), rezultatet e qeverisë janë në linjë me pritshmëritë dhe ne kemi një panoramë pozitive. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar duket se konfirmojnë gjithashtu se rezultatet janë në linjë me objektivat e vendosura.
Si do ta vlerësonit ndikimin e paketës fiskale 2014 (rritja e tatimfitimit në 15% dhe ndryshime të tjera) në ecurinë e biznesit dhe të ekonomisë shqiptare në përgjithësi?

Efektet afatshkurtra duket se po ndihen, ndonëse ka një nevojë reale për të zgjeruar bazën mbi të cilën zbatohet taksa dhe jo thjesht të plotësosh objektivat duke taksuar vertikalisht bazën ekzistuese të taksapaguesve.

Ju i keni rekomanduar qeverisë shqiptare të rishikojë normën e tatimfitimit dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. Pse?

Ky rekomandim vjen nga një shqetësim rreth krijimit të incentivave të korporatave për t’u zhvendosur drejt vendeve me taksa më të ulëta në rajon (koncepti i tax inversion). Ky koncept nuk është i ri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu e kanë shqetësim zhvendosjen e bizneseve për shkak të taksave, duke përmendur shembullin më të fundit, atë të lëvizjes së Burger King në Kanada. Duke pasur parasysh se disa firma shqiptare kanë aktivitet brenda rajonit, ‘zhvendosja për shkak të taksave’ thjesht mund të nënkuptojë lëvizjen e disa aktiviteteve ekonomike të kompanisë drejt një zone me taksa të ulëta, ndërkohë që ato ende veprojnë në Shqipëri. Studimet tregojnë në vazhdimësi se bizneset reagojnë ndaj normave të taksave dhe Dhoma po e ndjek këtë çështje në mënyrë që qeveria ta monitorojë atë dhe të gjejë balancën e duhur në buxhetin e saj.

Dhoma Amerikane ka theksuar shpesh rëndësinë e luftës ndaj informalitetit. Si i vlerësoni përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim dhe çfarë duhet bërë më shumë?

Banka Botërore, së fundmi ka vlerësuar se ekonomia informale është rreth 35%. Disa vlerësime janë edhe më të larta. Duke përdorur qoftë edhe vlerësimet e Bankës Botërore, kushdo mund të kuptojë hezitimin e 65% të ekonomisë për të mbajtur 100% të barrës së taksave. Pjesë e zgjidhjes është një zbatim më i rreptë dhe ne kemi parë që qeveria ka arritur me sukses që të hedhë hapa pozitivë në këtë fushë. Përfshirja e grupeve si Crown Agents ka luajtur gjithashtu një rol pozitiv në këtë drejtim. Një përqasje alternative për të ndryshuar ekonominë formale është të thjeshtësohet përcaktimi i asaj që është ilegale. Gjithashtu eliminimi i disa taksave direkte mund të tërheqë disa biznese, që përndryshe do të ishin të ligjshme, në sistem, duke pasur një efekt pozitiv neto, për sa kohë që më shumë para do të shkojnë në sistemin bankar dhe disa të ardhura nga taksimi indirekt, si p.sh. TVSH, mund të përmirësohen. Kjo është një fushë që ne mund ta eksplorojmë më në detaje në të ardhmen.

Cili ka qenë reagimi i qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera ndaj propozimeve tuaja lidhur me paketën fiskale të vitit 2015 dhe cilat janë pritshmëritë tuaja në këtë drejtim?

Unë besoj se ne kemi shumë marrëdhënie pozitive me qeverinë. Natyrisht, kur një grup si Dhoma Amerikane është në rolin ku funksioni i saj parësor është t’i japë sugjerime qeverisë, është e rëndësishme që sugjerimet tona të jenë konstruktive dhe praktike. Me raste, unë vë re se media lokale preferon të polarizojë pikëpamjet e Dhomës për çështjet në termat e ‘absolutisht të drejtë apo të gabuar’, ose ‘mbështetje absolute ose kundërshtim ndaj një administrate politike’. Realiteti është se Dhoma Amerikane është gjithnjë në një situatë si mbështetëse ashtu dhe opozitare, megjithëse unë e përgëzoj qeverinë në aftësinë e saj për të qenë e hapur me komunitetin e biznesit, deri tani. Ajo që unë shpresoj të shohim në vitin 2015 janë veprime vendimtare për t’u kujdesur për investitorët e huaj aktualë në Shqipëri, sipas kushteve dhe termave për të cilat është rënë dakord fillimisht. Këta investitorë ekzistues janë reklamuesit më të mirë të Shqipërisë, kur tërheqin investime të ardhshme.

Duket se rritja e çmimit të energjisë është një çështje kohe. Si e shikoni këtë masë?

Ne kemi një ide të qartë se FMN dhe organizmat ndërkombëtare e shikojnë një rritje në energji si një masë të nevojshme. Në mënyrë të ngjashme me taksimin e ekonomisë, shqetësimi ynë mund të jetë se përqindja e qytetarëve dhe bizneseve, që janë aktualisht “pagues të mirë” do të mbartin barrën e çmimeve më të larta. Ne duhet të zgjerojmë bazën e të ardhurave, sesa vetëm thjesht të rrisim të ardhurat vertikalisht mbi bazën e taksapaguesve të mirë ekzistues. Shqipëria  ka potencial më të madh të prodhimit të energjisë elektrike, megjithëse problemi ka qenë aty ku blerësi është shteti si dhe përdoruesit e brendshëm nuk po paguajnë si duhet. Një sistem ku sektori privat i prodhimit të energjisë do të mund të eksportonte direkt energjinë, duke u paguar nga blerësi i huaj, me një tarifë që i shkon qeverisë shqiptare, mund të jetë një mënyrë për të ridimensionuar këtë sektor. Një fokus në përgjegjësinë individuale dhe pasojave për pagimin e energjisë është i nevojshëm, së bashku me një sistem të përmirësuar, ku përdoruesit individualë mund të shohin në distancë dhe të paguajnë faturat e tyre të energjisë. Gjithashtu dhe ata që nuk paguajnë, duhet t’u ndërpritet energjia në distancë.
Qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje huaje me FMN-në në mars 2014, dhe ka marrë disa angazhime drejt konsolidimit fiskal që po e shtyn atë të veprojë me një dorë “të fortë” për sa i përket rritjes së taksave. Si e shikoni këtë situatë dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare?

Kjo qeveri trashëgoi një situatë të vështirë dhe huat e FMN-së kanë përmirësuar mjedisin e biznesit. Në vetvete, paratë e FMN-së nuk janë përgjigjja e vetme për rritjen afatgjatë, por një ndihmë e madhe për ta kthyer vendin që të ecë me këmbët e veta.

Në dritën e zhvillimeve të reja të pritshme, si e prisni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2015. Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare që të rigjallërojë rritjen ekonomike vitin e ardhshëm?

Unë pres që ekonomia formale ekzistuese të rritet lehtë. Duke pasur parasysh që ekonomia informale mund të jetë 35% ose më shumë e PBB-së reale, teksa qeveria do të rrisë aktivitetin për të promovuar zbatimin e rregullave, efektet mund të jenë që ekonomia informale mund të ndalë, sesa të shkojë drejt formalizimit. Në një skenar të tillë, treguesit formalë mund të jenë pozitivë, por PBB-ja reale mund të ndikohet negativisht. Në mënyrë që të kundërbalancohet një skenar i tillë është e detyrueshme të rriten Investimet e Huaja Direkte (IHD). Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të kujdesesh për investitorët ekzistues dhe të promovosh historitë e tyre te të tjerët. Për këtë arsye, unë jam aktualisht në Amerikë për të mbështetur përpjekjet dypalëshe në Nju Jork, për të promovuar Shqipërinë si një destinacion pozitiv investimesh. Ne e kemi parë fuqinë e ushtrisë amerikane dhe atë politike të saj. Shqipëria duhet ende të shohë fuqinë e plotë ekonomike të Amerikës. Të kujdesesh për investitorët ekzistues është mënyra më e thjeshtë për të promovuar vendin dhe për të ndryshuar në mënyrë pozitive ekonominë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button