Rruga “Egnatia”, një konkurencë në turizmin shqiptar
Agjencia Kombetare e Bregdetit dhe Drejtori i saj Auron Tare, kërkojnë sa më shumë hapësira për të prezantuar e për të bërë sa më tërheqës turizmin shqiptar.
Pas shumë takimesh me homologët e tij të rajonit të Mesdheut për menaxhimin sa më të dobishëm të vijës detare të vendit tonë, Tare sapo ka nisur një iniciativë ambicioze për rivitalizimin e ”Via Egnatias” si një mundësi e madhe turistike, ekonomike, kulturore dhe ndërkufitare. Rruga” Egnatia” duke filluar në dy portet e mëdha të Ilirisë së herëshme, Vlora dhe Durrësi i sotëm, ishte ura lidhëse më e rëndësishme e Lindjes me Perëndimin, rruga që lidhte Romën e vjetër me Kostandinopojën. Kjo rrugë kalonte përmes Ilirisë dhe solli një qytetërim të vërtetë për vendet ku shkelte. Edhe sot e kësaj dite ka fragmente të kësaj vije që mbartin vlera historike dhe kulturore. Objekte të shumta që gjenden bri kësaj rruge janë një intrigë e bukur për vizitorët e turizmit historik, kulturor dhe atij antik. Kjo iniciativë është një ogur i mirë për turizmin shqiptar.