Emigrantët që u shpëtuan në një nga operacionet e para të shpëtimit në Mesdhe teksa qindra të tjerë gjetën vdekjen kur një nga anijet u mbyt në brigjet greke, thonë se ata do të provojnë sërish të arrijnë në Evropë.
Teksa anija e shpëtimit bardhë e zi lundron nëpër hapësirat e Detit Mesdhe, horizonti ndërpritet nga pamja e një anije të errët, të mbushur me koka të zhurmshme.
Të rinjtë shumica nga Gambia, kanë qenë në det për 15 orë dhe kanë arritur 54 milje detare nga qyteti libian Castelverde, afër Tripolit. Ata janë në gjendje ankthi.
Sipas tyre, më vonë pak para se të mbërrinin shpëtimtarët, në bordin e anijes së tejmbushur kishte shpërthyer një përleshje.
Disa ishin të vendosur të vazhdonin, ndërsa të tjerët po luteshin të hiqnin dorë dhe të provonin përsëri më vonë.
Njëri mban bluzën e njohur të zbehtë të një fanelle futbolli të Manchester Cityt, të tjerët mbajnë iPhone. Pak kanë sjellë ujë apo ushqim. Shumë prej tyre nuk mund të notojnë, “të armatosur” vetëm me tubat e brendshëm të gomave për t’i përdorur si pajisje notimi nëse përfundojnë në det.
Ka panik gjatë shpëtimit pasi në horizont shfaqet një anije e rojes bregdetare libiane. Shumë nga djemtë janë tërhequr më parë në Libi nga roja e saj bregdetare, të cilën BE-ja i ka siguruar me anije, trajnime dhe financime.
Disa nga emigrantët buzëqeshin ndërsa ulen në skafin e shpëtimit – njëri bën një selfie në telefonin e tij. Një më vonë më thotë se kur kapi për dore një prej skuadrës së shpëtimt, mendoi: “Tani kam hyrë në Evropë”.
Organizata bamirëse alarmon autoritetet italiane, të cilat caktojnë shpejt qytetin jugor të Barit si portin në të cilin do të zbarkojnë, duke u thënë atyre të shkojnë atje “pa vonesë”.
Kjo vjen pas ligji i ri i cili kërkon që anije të tilla të nisen menjëherë drejt një porti në vend që të vazhdojnë të patrullojnë për më shumë anije me emigrantë.
Ndërsa nisemi me lundrim, ne flasim me disa prej emigrantëve në dhomat e ngritura si objekte mjekësore dhe zona akomodimi në kuvertën e anijes. Shumica flasin anglisht – të gjithë emrat e tyre janë ndryshuar.
Emigrantët na thonë se nuk ishin të vetëdijshëm për rreziqet me të cilat po përballeshin.
Shumë thonë se kjo nuk ishte përpjekja e tyre e parë për të arritur në Evropë – disa e kishin shmangur për pak vdekjen.
“Shtatë herë kam provuar”, thotë një 17-vjeçar.
Çdo migrant me të cilin flas ka miq që kanë vdekur duke tentuar të njëjtin udhëtim. Disa kanë ndjekur gjithashtu lajmet në mediat sociale për katastrofën greke – një nga fundosjet më vdekjeprurëse të emigrantëve në vite, në të cilën besohet se kanë vdekur deri në 750 njerëz – që ndodhi më pak se dy javë më parë. Aty kishte emigrantë që ishin nisur edhe nga Libia.
Një nga emigrantët thotë se “Ose arrin në Evropë ose vdes në det”.
Më shumë se 80% e grupit janë të mitur të pashoqëruar, të moshës nën 18 vjeç. Shumë nga djemtë kishin nisur udhëtimet e tyre vite më parë, kur u larguan nga shtëpia me shpresën për të fituar para për t’i dërguar në familjet e tyre.
Shumë thonë se kanë humbur njërin ose të dy prindërit dhe, si djemtë më të mëdhenj në familjet e tyre, ndihen përgjegjës për mbështetjen e njerëzve të dashur.
Ata janë kryesisht nga Gambia – më shumë se 2000 milje në jug dhe në perëndim të Libisë. Gambia është një nga vendet më të varfra në botë dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) thotë se gambianët kanë emigruar me një shkallë më të lartë për frymë se çdo komb tjetër në Afrikë vitet e fundit.
Ai thotë se nga viti 2015 deri në vitin 2020, më shumë se 32,000 gambianë mbërritën në Evropë përmes asaj që njihet si migrimi “i parregullt”.
Mesdheu Qendror është rruga kryesore e migrimit drejt Bashkimit Evropian. Frontex thotë se në pesë muajt e parë të këtij viti, numri i kalimeve të zbuluara u dyfishua në 50,318 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Ky është numri më i lartë i regjistruar që nga viti 2017.
“Njerëzit largohen pa marrë parasysh se çfarë i pret” thotë Claire Juchat, oficere e komunikimit operativ.
Ajo shton se në një periudhë 72-orëshe pas shpëtimit të adoleshentëve, kur asnjë anije nuk ishte në patrullë, 5000 emigrantë mbërritën në ishullin Lampedusa, transmeton BBC.
Ajo gjithashtu vë në dukje se shumica e shpëtimit kryhen nga autoritetet. Sipas shifrave të agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 64 mijë persona kanë mbërritur në Itali pasi kanë kaluar Mesdheun Qendror deri më tani këtë vit.