Rrugëtimi 3-vjeçar i Kosovës drejt nënshkrimit të MSA-së
Edhe pse është vendi me prezencën më të madhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, Kosova është shteti i fundit në rajon që sot nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, që është marrëdhënie zyrtare kontraktuale me Bashkimin Evropian.
Deri më 2008 kur Kosova administrohej nga ndërkombëtarët, Bashkimi Evropian nuk i ofronte stabilizim asociimin, pasi kjo marrëveshje nënshkruhet vetëm me vendet e pavarura.
Ndërsa nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e deri më 2012, Bashkimi Evropian nuk i ofroi Prishtinës mundësi për marrëveshje duke u bazuar në mosnjohjen e pavarësisë nga pesë vende anëtare.
Por ishte pikërisht procesi i fillimit të dialogut të ri mes Prishtinës dhe Beogradit më 2012 që shtyu Brukselin që më në fund t’i hapë rrugë Kosovës në aspiratën e saj integruese.
Studimi i fizibilitetit më 2012 konfirmoi se Kosova është e gatshme të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe ato filluan në tetor 2013, për të përfunduar në maj 2014, çka shënoi dhe periudhën më të shkurtër negociuese të një shteti në rajon me BE-në.
Kosova gjithashtu është i vetmi vend që hyn në këtë marrëdhënie me një shënim që e bën të pranueshme dhe për vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë, një formulë që nuk paragjykon statusin tepër të kundërshtuar në Kosovë, fusnotën që shpjegon statusin, është në përputhje me rezolutën 1244/1999 dhe opinionin e GJND-së.
Në korrik të vitit 2014 u vendosën edhe inicialet në tekstin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, vonesat deri tani kanë ndodhur me arsyetimin se është vonuar përkthimi i tekstit në gjuhët përkatëse të BE-së.
Më 22 tetor 2015 Këshilli i BE-së ka miratuar MSA-në dhe ka hapur rrugë për nënshkrimin e saj sot më 27 tetor në Strasburg, nga kryeministri Isa Mustafa dhe nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Pas nënshkrimit, MSA e cila është një marrëveshje ndërkombëtare do t’i nënshtrohet procedurave relevante që nënkupton ratifikimin në Parlamentin e Kosovës, ndërsa deri në fund të vitit Qeveria duhet të miratojë programin zbatues të MSA-së.
Periudha e implementimit të MSA-së është 10-vjeçare, ndërsa rishikimi do të bëhet pas 5 viteve.
MSA mes Kosovës dhe BE-së ka 597 faqe të ndara në 10 tituj, 7 anekse, 5 protokolle dhe 1 deklaratë. Kjo MSA përmban 4 pjesë kryesore: çështjet politike, përafrimi i legjislacionit, politikat e bashkëpunimit dhe çështje tregtare.
Nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit shteti i Kosovës pret të përfitojë ekonomikisht, pasi investitorët e mëdhenj nuk trajtojnë njëjtë një vend i cili nuk ka asnjë marrëdhënie me BE-në dhe një vend, i cili është duke e zbatuar Marrëveshjen Stabilizim Asociimit.
Pas hyrjes në fuqi të MSA që pritet të ndodhë nga janari 2016, të gjitha produktet industriale dhe bujqësore, përveç mishit dhe sheqerit të Kosovës do të eksportohen në BE pa asnjë tarifë doganore.