RTSH, nga dokumentarët për mafien te një menu e plotë argëtimi
Radio Televizioni Shqiptar pritet që në këtë sezon të ketë një programacion më të larmishëm, duke shtuar në listën e prodhimeve të tij një seri emisionesh që synojnë audiencë dhe grupmosha më specifike. Drejtori i Programacionit në këtë televizion, Rezart Aga, tha për “Monitor” se pasurimi i programacionit me emisione të reja do të bëhet duke tentuar të ruhet formati që ka televizioni publik, duke i qëndruar larg komercializimit.
Ndër të tjera, Aga sjell në vëmendje se fokus i veçantë do t’u kushtohet fëmijëve me një cikël emisionesh utilitare, kurse të rriturit do të kenë mundësi të argëtohen me një koncept totalisht të ri të një game show (shfaqje me lojëra). Prodhimi i një cikli dokumentarësh për mafien në Shqipëri mbi ngjarjet më të rëndësishme dhe më të bujshme kriminale në vend, me skena të inskenuara nga aktorë dhe dëshmi reale pritet t’i japin një tjetër dimension programit të RTSH, kurse pjesa kulturore pritet të pasurohet edhe më tej.
Televizionet tashmë kanë nisur sezonin e tyre të ri, duke pasuruar programacionin e tyre me emisione shtesë, duke ndryshuar formate apo edhe duke lënë një pjesë të emisioneve të strukturës. RTSH vetë çfarë do të ketë në këtë sezon të ri?
Ajo që është e rëndësishme në RTSH është jo çfarë do të ketë në prime- time. Një fokus të madh, së pari u është dhënë programeve për fëmijë. Këto programe janë një risi e madhe, pasi nuk e shohim në asnjë nga televizionet e tjera. Nuk flas këtu vetëm për “Mastershef”, por kemi një cikël emisionesh që kanë të bëjnë me fizikën, kiminë, ku në kushtet e shtëpisë çdo adoleshent mund të marrë informacionin e nevojshëm mbi çështjen e eksperimenteve.
Është interesante sepse nuk e gjejmë këtë format në treg. Kemi gjithashtu edhe didaktikën, kukulla të animuara e lidhur kjo edhe me më të vegjlit dhe “Abetaren”. Po për fëmijët, për grupmosha të ndryshme, kemi përfshirë emisionin për këshilla utilitare për ushqimin, veshjen, shkollën. Ne kemi një paketë të plotë për këtë kategori audience dhe kjo paketë do të jetë e ndarë.
Po kështu, është një cikël dokumentarësh për mafien në Shqipëri. Do të jenë të inskenuara nga aktorë, të gjithë skenat, pasi lidhet me ngjarjet më të rëndësishme kriminale në vend. Për shembull, flitet sesi u nda Rruga e Kavajës dhe përplasjet, si u nda Lazarati dhe historiku për të, arratisja, hetimi për një nga killerët më të famshëm në Shqipëri. Edhe pse dokumentari do të ketë skena të risjella, do të ketë edhe intervista të njerëzve realë, shefa policie, dëshmitarë dhe njerëz që në një mënyrë apo në një tjetër janë të lidhur me ngjarjen. Pas kësaj, në RTSH do të transmetohet një serial që ka në subjekt kryesor mafien. Është një serial kriminal.
Po në lidhje me argëtimin apo show, çfarë është menduar në këtë sezon?
Në ekranin e RTSH, risi është një game show dhe quiz show, edhe ky nuk është zhvilluar më parë. Përfshin në vetvete disa faza konkurrimi. Në një segment luajnë 16 veta mes njëri-tjetrit. Për shembull, në ekran mund të shfaqet një produkt i caktuar dhe ty të duhet të gjesh çmimin apo një specifikë tjetër të veçantë. Së dyti, është “Burri im është më i mirë se burri yt” apo “Gruaja ime më e mirë se gruaja jote” ku çiftet do të garojnë mes tyre.
Segmenti i tretë i këtij emisioni janë konkurrimet klasë me klasë ose familje me familje dhe ata fitojnë çmime të ndryshme. Po kështu, e kemi pothuajse të mbyllur një emision që do të ketë në fokus jetën e këngëtarëve të famshëm. Do të jetë një biografi e tyre, për mënyrën sesi e nisën rrugëtimin dhe në këtë rast kthehen edhe në prezantues. Për shembull, mund të jetë Elvana Gjata dhe ajo flet për gjithë karrierën e saj. Meqë këtë pjesën e kuzhinës dhe familjes e kemi marrë përsipër, është edhe një emision ku gjyshet konkurrojnë për çmimin e madh. Ky është një projekt mes Kosovës dhe Shqipërisë, për gjyshe 70-80 vjeç.
Për artin dhe kulturën, përgjegjëse është Elsa Demo dhe pastaj janë emisione të tjera si “Përballja”. Kemi edhe stilin e dokumentarëve, bashkëpunim edhe me Këshillin Europian për pjesën e dosjeve ku bëhet një ballafaqim me të kaluarën. Duhet të kemi parasysh që targeti që ka RTSH është shumë më ndryshe nga ajo që promovohet rëndom në media dhe mundohet që t’i qëndrojë larg pjesës komerciale.
Po lidhur me serialet apo telenovelat, çfarë duhet të presim në RTSH. A do ta ndiqni edhe ju këtë trend-in e serialeve turke që duket se ka audiencë të gjerë në vend?
Lidhur me seriale dhe filma, sigurisht që do të ketë. Mund të kemi edhe një serial turk historike, por një serial që është i sigurt po e marrim nga BBC, sepse me të kemi dhe marrëveshje.