Rubairat e Omar Khajamit ne shitje tek Amazon
“Rubairat” e poetit pers Omar Khajami, me perkthimin mjeshteror te Fan Stilian Nolit mund te blihen nga shqiptaret anembane botes edhe nepermjet rrjetit me te madhe te shitjeve Online amazon.com
Në shekullin e njëzetë, një nga kolosët e kulturës shqiptare, Fan Noli, përktheu nga kjo gjuhë një prej kryeveprave të saj, “Rubairat” e Omar Khajamit. Shqipërimi i “Rubairave” ishte padyshim një ngjarje e shënuar në jetën tonë kulturore-letrare, por edhe një sprovë tjetër e aftësive dhe vitalitetit të fjalës shqipe, falë talentit të madh të Nolit. Lidhja intelektuale dhe shpirtërore e Nolit me qytetërimin oriental janë të hershme. Qysh në moshë fare të re, ai mësoi gjuhën turke dhe arabe, ra në kontakt me burimet e këtyre kulturave për të njohur më pas gjuhën dhe kulturën persiane. Me sa duket, me këtë të fundit lidhjet qenë të brendshme, jo aq se persishtja ishte gjuha e poezisë, se sa u mrekullua nga magjia e “Rubairave” të Khajamit, si një nga veprat poetike më të bukura të botës, tek e cila gjeti vetveten si njeri, artist dhe intelektual. Nuk dimë se kur u njoh së pari me Omar Khajamin, por dimë se i hyri punës për të përkthyer “Rubairat” në kohën kur ishte i angazhuar më shumë se asnjëherë në jetën politike. Pikërisht në gusht të vitit 1924 boton te “Dielli” katër rubairat e para.
Brenda dy vjetësh ai shqipëroi mbi 100 rubaira, të cilat i përmbledh në librin që boton në Bruksel në 1926-ën dhe një vit më vonë, pas pritjes entuziaste dhe lutjes së lexuesve, shqipëroi dhe mbi dyqind të tjera e na dha botimin e ri të vitit 1927. “Rubairat” e përkthyera në shqip, Fan Noli ua kushtoi dy korifenjve të poezisë persiane, Nizami Arusit dhe Hafiz Shiraziut, në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje “që shpëtuan nga humbja “Rubairat” khajamiane. Meqenëse letërsia persiane nuk njihej nga lexuesi shqiptar dhe “Rubairat” përbënin një vepër me vlerë të gjithanshme dhe komplekse, që lypnin njohuri dhe shpjegime, Fan Noli i pajisi me një parathënie introduktive dhe me
shënime të hollësishme, punë kjo që nuk e kishte bërë në këto përmasa me përkthimet e tjera. Kështu, botimi i librit “Rubairat” shënonte një kontribut të dyfishtë: shqipërimin e një kryevepre, por edhe shpjegimin dhe interpretimin e saj, të autorit e të epokës kur u krijua përmes një studimi të thukët e serioz. Për sa i takon shqipërimit, Noli ishte i mendimit se përkthimi i suksesshëm i një kryevepre është një punë aq e
vështirë dhe e madhe sa i jep të drejtë Virgjilit kur thotë se është më e lehtë t‘i rrëmbesh Herkulit çomangen nga dora sesa të përkthesh a të imitosh mirë një varg të Homerit. Pra, Noli, pas punës herkuliane që përballoi për ta bërë Khajamin të flasë shqip, mori mbi vete dhe barrën fisnike për t‘ia paraqitur lexuesit shqiptar në dritën e së vërtetës Orfeun e vendit të trëndafilave dhe këngët e tij magjepsëse. Në këtë rast Noli poet vihet në pozitën e studiuesit, sepse, duke gjykuar nga lënda e gjerë, problematika e mprehtë dhe informacioni i pasur që ngërthejnë introdukta dhe shënimet, kuptohen qartë përpjekjet e tij të gjithanshme për t‘u njohur së thelli me literaturën khajamiane dhe burimet e tij ndihmëse. Në radhë të parë, Noli me introduktën e tij hedh dritë mbi epokën kur jetoi Khajami dhe atmosferën social-historike e psikologjike që bënë të mundur lindjen e “Rubairave”. Ato janë pjesë dhe pjellë
Klikoni ketu per te blere librin
autentike e Rilindjes persiane, që zgjati 8 shekuj, nga shek. IX-XVI dhe i dha botës një plejadë të ndritur mendimtarësh, artistësh e shkencëtarësh të mëdhenj. Sipas Nolit, “kjo përlindje e shkëlqyer” kishte lidhje të drejtpërdrejtë me qytetërimin greko-romak dhe ishte po ajo që bëri të mundur të lindte përlindja arabe dhe përgatiti përlindjen e madhe italiane, nënën e qytetërimit modern. Duke depërtuar në Rilindjen persiane, Noli arrin të zbërthejë dhe interpretojë brendinë e kësaj epoke, si një kohë e mbushur plot ndeshje e përpjekje në mes të lirisë të mendimit dhe dogmave të kohës. Në qoftë se para lindjes së O. Khajamit, Persia ishte shesh konfliktesh ndërmjet feve të ndryshme, nga paganizmi deri te kristianizmi, më pas është islami që triumfon dhe konsolidohet si feja zotëruese. Në kuadrin e saj do të lindnin një varg shkollash filozofike dhe do të vepronin intelektualë mendjendritur e novatorë në shumë fusha. Tri janë
për Nolin grupet kundërshtare në jetën intelektuale të kohës së O. Khajmit: grupi i intransigjentëve, që është për lirinë e mendimit kundër dogmës dhe ka simbol verën, grupi i mistikëve neoplatonikë sufinj, që mbajnë maskën e dogmatizmit, por janë për lirinë e mendimit dhe grupi i racionalistëve suninj, që përpiqen të pajtojnë islamizmin me filozofinë e shkencat dhe janë të hapur për fenë islame. O. Khajami, sipas mendimit të Nolit, i përket grupit të intransigjentëve. Ai është figura kryesore, i fundit dhe më i shkëlqyeri i plejadës së tij. Por, edhe grupet e tjera, pavarësisht nga dallimet, janë pjesë e kulturës persiane dhe u takojnë thesareve të qytetërimit njerëzor. Për Nolin, të tria shkollat ishin të mëdha, me role dhe merita parësore në
historinë e zhvillimit të kulturës së përbotshme. Por ai nuk lë pa nënvizuar faktin se shkolla që i takonte Omar Khajamit ishte më e guximshmja dhe na paraqitet në nivele të larta intelektuale.
Në këto hapësira të mëdha mendimi dhe kulture, Noli vendos figurën titanike të Omar Khajamit. Me gjithë mungesën e hollësive biografike, syri dhe mendja e studiuesit tonë di të dallojë në mes legjendave e hamendjeve të vërtetën e jetës së poetit të madh. Është një jetë e dallgëzuar, plot peripecira e kontraste, ku spikat intransigjenca e karakterit dhe e mendimit, këmbëngulja stoike për të rrokur majat e artit e të vërtetës. Ai studioi dhe i përvetësoi të gjitha dituritë e kohës së tij, për t‘u bërë matematikan e për t‘u njohur si një nga astronomët më të mëdhenj të botës deri në shek. 15. Por emri dhe
fama e Khajamit, konstaton Noli, asnjëherë nuk ishte e shtruar me lule, po të kemi parasysh luftën dhe pengesat që i vinin nga të dyja krahët: nga pushteti politik i kohës dhe nga kundërshtarët e mendimit të lirë. Ai do të provonte dhunën e përndjekjen, fyerjen e arratinë dhe kurrë nuk do të pajtohej me hipokrizinë e konformizmin, duke mbetur deri në fund luftëtar i lirisë së mendimit kundër fanatizmit mistik. Kjo është arsyeja që Khajami gëzoi popullaritet të madh dhe pati ndjekës të përkushtuar. Faktet e jetës së Khajamit në kushtet e Persisë së kohës, e çojnë Nolin në një përfundim tepër interesant, kur thotë se ndonëse poeti është në opozitë të hapur me shtetin dhe qarqet fanatike klerikale, ai vdes i qetë, ndryshe nga persekutimet që pësonin martirët e mendimit të lirë në Evropën e krishterë, duke i djegur të gjallë. Varri i Khajamit do të ruhet brez pas brezi,
atje ku gjendet edhe sot një teqe, stolisur me trëndafil dhe hardhi, sipas amanetit të tij. Këto të vërteta e bëjnë Nolin të pohojë se sa lart ka qëndruar qytetërimi dhe toleranca e Persisë islamike në kohën e Khajamit, në krahasim me Evropën mesjetare. Por, në introduktën e Nolit vendin kryesor e zë analiza që ai i bëri poezisë së tij. Pasi e njeh lexuesin kalimthi me trashëgiminë shkencore, me një varg traktatesh filozofike, astronomike, atonomike, studimi i përkushtohet kryesisht lavdisë më të madhe të poezisë persiane – rubairave. Qysh në krye, studiuesi ynë, falë hulumtimeve shkencore, bën historikun dhe bilancin e vërtetë të trashëgimisë Khajamiane. Ai vë
në dukje meritën e pamohueshme të poetëve të mëdhenj, Nizamit dhe Hafiz Shirazit, që kopjuan dhe ruajtën “Rubairat”, por, ndërkaq, hedh dritë mbi problemet që ata krijuan gjatë shekujve. Sipas tij, nga 1000 rubairat që qarkullojnë, vetëm gjysmat janë autentike, kurse të tjerat mbahen për apokrife. Madje, duke u mbështetur në mendimin e specialistëve, ai e çon më tej diferencimin, kur bën dallimin në mes rubairave laike e atyre
fetare dhe arrin në konkluzionin se poeti në 25 vjet krijoi gjithsej 300-400 rubaira. Rubairat janë krijime poetike krejt origjinale, fryt i gjenisë artistike të popullit persian, me vlera universale e panjerëzore për të gjithë vendet dhe kohërat, të cilat arritën kulmin në pendën e O. Khajamit. Noli u bën një shqyrtim të gjithanshëm ruibairave, vështruar si në rrafshin historik ashtu dhe në atë letrar, duke u treguar një studiues serioz, origjinal dhe i guximshëm. Njohja e tyre e thellë prej Nolit harmonizohet me vlerësimin kritik të literaturës së specializuar për poezinë e Khajamit dhe të
letërsisë orientale përgjithësisht. “Rubairat” e Khajamit lindën si shprehje e pozitës dhe e personalitetit të tij të pavarur. Ai nuk u takoi poetëve të oborreve, që krijuan poezi me frymë panegjerike dhe himnizuese. Khajami, me qëndrimin kritik dhe vështrimin realist të botës, me temperamentin liridashës dhe forcën e madhe artistike, krijoi një shkollë poetike, që theu çdo skemë të poezisë orientale, në brendinë dhe formën e saj. Fryma satirike dhe sarkastike e rubairave, ai qëndrim tallës e përbuzës ndaj së keqes, e bëri Khajamin të cilësohet si Volteri i Lindjes, madje në disa pikëpamje dhe ta tejkalojë atë. Noli në studimin e tij ndalet gjerësisht në tiparet themeluese të “Rubairave” të Khajamit. Duke i cilësuar ato kryesisht si strofa katërvargëshe, me trajtë lakonike si epigrame, që bartin e shprehin gjendje të ndryshme shpirtërore, ai zbulon përmbajtjen e tyre të thellë, thelbin njerëzor dhe filozofinë jetësore.
Për Nolin, Khajami armik i çdo dogmatizmi e skllavërie, njeri i lirë dhe me shpirt të madh nuk mund të futet në asnjë sistem filozofik të kristalizuar. Ai është edhe nakrontian e herkulian edhe hedonist e pesimist dhe epikurian e stoik, edhe skeptik e eklektik, edhe cinik e mistik. Të gjitha gjendjet shpirtërore njerëzore do ta gjejnë pasqyrimin e tyre në “Rubairat” e tij. Khajami, sipas Nolit, është një vigan që ndërron maska e identifikohet me të gjithë për të mos qenë asnjë – është vetë natyra njerëzore në lëvizje, që shfaqet në kohë dhe hapësira të ndryshme. Në qoftë se si militant i lirisë dhe mendimit, ai është dishepull i shkollës stoike, burrë i detyrës dhe i luftës, që ka mendimi të lirë, si poet Khajami i përkushtohet gëzimit dhe bukurisë së jetës, të cilat i gjen të simbolizuara te vera dhe dashuria. Të dy këto komponentë të personalitetit të tij përbëjnë themelimin e “Rubairave”.
Kështu mund të shpjegohet fryma e tyre liridashëse, qëndrimi kundër tiranisë dhe tiranëve, toleranca ndaj mendimeve të kundërshtarëve, interpretimi i drejt dhe realist i Kuranit, evokimi pa paragjykime i Moisiut dhe Krishtit, tharmi i disa ideve që e bëjnë pararendëse të filozofisë së Kantit e Gëtes, Shopenhaurit e Niçes. Në mozaikun e begatë filozofik të “Rubairave”, vera dhe dashuria janë motive mbi të cilat poeti ngre gëzimin dhe kuptimin e ekzistencës së tij. Vera ka për Khajamin simbolikë e domethënie të trefishtë: simbol i kënaqësisë së jetës sipas mënyrës anakreontiane dhe hedoniste; simbol i lirisë së mendimit kundër çdo dogme që paraqitet në dy trajta: me rezistencë pasive, sipas mënyrës epikuriane dhe skeptike, por dhe me luftë të përkushtuar ndaj një ideali sipas mënyrës stoike; si një send sakramental që simbolizon bashkimin e njeriut me perëndinë. Simboli i verës merr një kuptim më të gjerë dhe konkret, kur zbërthehet me vresht e hardhi, në tavernë e gërmadhë, në kupa, poçe e dolli. Këto të fundit paraqiten herë si enë qejfi e gëzimi, herë si instrumente kulture.
Por vera në “Rubairat” është dhënë si binom i pandarë me dashurinë. Edhe dashuria paraqitet në disa kuptime: Si lidhja në mes burrit dhe gruas, familjes, kombit, njerëzimit e botës në tërësi, si kult dhe adhurim i të gjitha bukurive natyrale e artistike dhe i gjithë idealeve njerëzore, si mall dhe dëshirë e bashkimit të mishit me trupin, të pjesës me të tërën, të njeriut me perëndinë. Prej këndej vijnë dashuria platonike, dashuria mistike e krishterë, dashuria sufiane apo Nirvana budiste. Noli shquan në konceptin e Khajamit për dashurinë se vajza ndërron kuptimin dhe rolin sipas situatave të ndryshme psikologjike dhe ç‘është më e rëndësishme vera, dashuria, e vërteta identifikohen shpesh me perëndinë e tij. Noli vëren se, ashtu siç janë dhënë në “Rubairat”, dashuria, vera e vërteta dhe perëndia në raport me njëra-tjetrën kanë krijuar probleme të vështira dhe komplekse, të cilat i kanë ndarë mendimet e studiuesve në kohë dhe vende të ndryshme. Së fundi, nuk mund të mos tërheqim vëmendjen në këtë parashtresë, se për mendimin tonë, “Rubairat” janë jo vetëm shqipërimi më i miri poetit F. Nolit, që qëndrojnë në kufijtë e rikrijimit të vërtetë, aq sa albanologu N. Jokli e ka cilësuar si më të goditurin përkthim të E. Fitxheraldit, por edhe vepra e tij më e
dashur, më e afërta, më shpirtërorja. Ndoshta në asnjë vepër tjetër që ai ka shqipëruar, se sa te “Rubairat”, Noli nuk ka gjetur vetveten, mendimet e shqetësimet, temperamentin vullkanik, guximin krijues, tolerancën, shpirtin e tij human e liridashës. Veç kësaj, asnjë vepër sa “Rubairat” nuk i bënte jehonë gjendjes social-politike të Shqipërisë, plot kontraste e probleme të viteve ‘20 dhe idealit e prirjeve të brendshme të vetë Nolit për një shoqëri shqiptare dhe njeri shqiptar të emancipuar kundër fanatizsmës dhe anakronizmave, kundër çdolloj skllavërie shpirtërore dhe sociale. Janë këto arsyet ndoshta që biografi dhe miku i tij, Qerim Panariti, i cili punoi dhe e njohu nga afër për dekada të tëra, do ta mbyllë jetëshkrimin e Nolit me
propozimin që mbi varrin e tij të vihet si epitaf “Rubaira 141”, që thotë:
Ah, nesër botën plot shamatë e lashë
Nga qindra xhevahire njëzet i dhashë;
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë.
Se nuk merrte vesh kjo bot‘ e trashë.
Variante të reja shqipërimi nga F. Noli të “Rubairave”
Nën hijen e një pjergulle më një anë
Ca buk‘ e ver‘ e vjersha dhe Ti pranë
Të na këndosh makar në shkretëtirë
Dhe s‘ka Parajsë më të mirë
Xxx
“Sa ëmbël të jesh mbret!” disa mejtojnë;
“Sa ëmbël në Parajsë!” Ca besojnë
Ah, kape kupën dhe kusurin fale
Larg teje pompën dhe daullen ndale
Xxx
E dashur, mbushma kupën që kthjellon
Të sotmen nga çdo vrer që vjen a shkon
Po nesër? Nesër noftë u vërtita
Në shqotën e së djeshmes u varrita