Kremlini vendos kushte për armëpushim të pjesshëm në Ukrainë
Autoritetet ruse kanë hedhur idenë e një armëpushimi të pjesshëm në sulmet kundër objekteve energjetike ukrainase nëse përmbushen disa kushte të caktuara, raportoi sot agjencia e lajmeve “Interfax”, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.
Peskov tha se Kievi do të duhet të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit të Rusisë dhe t’i japë fund shantazhit të vendeve të tjera, përfshirë shtetet anëtare të BE-së në sektorin e energjisë.
Rusia kohët e fundit u ankua për sulmet ukrainase me dronë në stacionet e kompresorëve të tubacionit të gazit për në Turqi. Moska tha se sulme të tilla ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë çonin në rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe gazit.
Referenca e Peskov për shantazh vjen në përgjigje të një mosmarrëveshjeje midis Kievit dhe Budapestit mbi tubacionin “Druzhba”, përmes të cilit Hungaria merr naftë nga Rusia.
Sipas Kievit, një pjesë e tubacionit në Ukrainën perëndimore u dëmtua nga sulmet ruse.
Budapesti akuzon Kievin për ndalimin e tranzitit të naftës dhe si përgjigje ka bllokuar shpërndarjen e kredive të BE-së me vlerë miliarda euro për Ukrainën.
Bisedimet e paqes janë bllokuar
Negociatat midis Moskës dhe Kievit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës janë aktualisht në pauzë. Konflikti ka vazhduar për më shumë se katër vjet.
Megjithatë, bisedimet janë planifikuar për këtë të shtunë.
Peskov tha se negociatat do të zhvilloheshin midis përfaqësuesve ukrainas dhe amerikanë, të cilët po veprojnë si ndërmjetës në konflikt.
Ai tha se Rusia nuk do të marrë pjesë në takim, por është në pritje të një date për bisedimet tripalëshe. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.