Rusia për herë të parë i hedh sytë nga TAP
Diçka po ndryshon në sferën e gjeostrategjike.
Për herë të parë, Gazprom-i po tregon interes për të përdorur gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline si një mënyrë për të transportuar gazin rus për në Itali.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Medvedev, ka deklaruar se Rusia ka kapacitete të mjaftueshme të instaluara për të transportuar më shumë se 100 miliardë metër kub gaz shtesë për në Europë, por ka probleme infrastrukturore, për të cilat ne po punojmë me partnerët tanë europiane të NordStream 2 dhe Turkish Stream. Këto kapacitete nuk mund të jenë të mjaftueshme, ndaj ne po shohim mundësinë për të shfrytëzuar projektin Poseidon. i cili mund të jetë gati shpejt ose ndoshta TAP”.
Që në vitin 2014, kur presidenti rus, Vladimir Putin, shfaqi mbështetjen e tij për Turkish Stream, analistët deklaruan se do të ishte më e logjikshme që Gazprom të konsideronte mundësinë për të përdorur 878 km tubacione të TAP për të bërë të mundur transmetimin e një sasie gazi në Europë. Kjo do të vlente më shumë në gjysmën e dytë të periudhës së funksionimit të TAP kur do të zgjerohet edhe kapaciteti për të arritur në 20 miliardë metër kub gaz në vit.
Përpara komentit të Medvedev, as Gazprom dhe as TAP nuk ka mohuar kontaktet e mundshme për të përfshirë në bisedime, duke qenë se transporti do të nisë në vitin 2020.
Transportimi i gazit rus për në Itali përmes kësaj rruge do të kërkojë shtrimin e 600 km tuba gazi përgjatë Greqisë nga terminali i planifikuar i Turkish Stream që ndodhet në Ipsala/Kipoi drejt kufirit turko-grek në brigjet e detit Jon, përfshi këtu edhe 207 km tuba nënujore pjesë e gazsjellësit Poseidon.
Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe vetë projekti TAP.
Lisa Givert, drejtore e Komunikimit pranë projektit TAP tha për median azere ‘Trend’ se gazsjellësi është projektuar për të mbështetur transportin e gazit për një periudhë deri në 15 vjet. “Aksionerët e TAP vazhdojnë të jenë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagas (16%) dhe Axpo (5%)”,shtoi.
Sipas Givert, TAP është plotësisht i angazhuar që të transportojë gaz nga fushat e Shah Deniz, gjatë fazës së dytë, në fillim me një sasi prej 10 miliardë metër kub gaz në vit nga deti Kaspik përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.
“Gazsjellësi ynë është i rëndësishëm për Europën në aspektin strategjik, pasi krijon mundësi për të diversifikuar burimet e gazit në Europën Juglindore”, shtoi ajo.
Më herët, Federico Ermoli, zëvendëspresident i kompanisë italiane Snam, që është një nga aksionerët e TAP, tha se kapaciteti i gazsjellësit mund të zgjerohet dhe të përdoret për përçimin e gazit rus në Europë.
Edhe, CEO i Fluxys, Pascal De Buck iu tha reporterëve gjatë Konferencës Europiane të gazit se “kjo ishte një ide shumë e mirë”.