Rajoni

Samaras paralajmëron rikthimin e frikës nga termi “Grexit”

Kryeministri grek, Antonis Samaras, paralajmëroi të enjten se vendi i tij rrezikon “rikthimin katastrofik” në humnerën e krizës së borxheve, nëse qeveria e tij dështon të zgjedhë Presidentin e ri, duke rritur kështu frikën përpara votimit presidencial më vonë gjatë këtij muaji.

1418320279samarasi-frikesohet-deshtimitHumbjet e aksioneve dhe obligacioneve greke janë përshpejtuar edhe më tepër pas komenteve të Samaras, i cili po përshkallëzon retorikën kundër rivalit të tij të betuar, partisë “Syriza” e cila është kundër programit të shpëtimit, me synimin për të fituar mbështetjen e ligjvënësve gjatë votimit për Presidentin në Parlament, në mënyrë që të shmangë edhe zgjedhjet e parakohshme.

“Kemi derdhur gjak për t’ua hequr fjalën ‘Grexit’ (dalje e Greqisë nga Eurozona) nga gojët e të huajve, ndërsa Syriza po ua rikthen këtë fjalë atyre”, tha Samaras në një fjalim përpara deputetëve të partisë së tij. “Të gjithë deputetët duhet të vendosin tani nëse do të zgjedhim një President, apo do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të cilat as populli nuk i do, ndërsa tregjet kanë reaguar negativisht, e për më tepër mund të sjellin pasoja katastrofike për vendin tonë”.

Dështimi për të zgjedhur Presidentin e ri detyron mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas Kushtetutës greke, të cilat sipas sondazheve nëse do të mbaheshin tani do të fitoheshin nga “Syriza”.

Samaras njoftoi afrimin me dy muaj të zgjedhjeve presidenciale në fillim të kësaj jave, duke e lënë rishikimin përfundimtar të programit të shpëtimit dhe planet për një dalje më të hershme nga programi i ndihmave, “peng” të synimeve të tij për mbështetje parlamentare.

“Syriza”, nga ana tjetër, tha se fjalimi i Samarasit ishte një shenjë se qeveria – e cila kontrollon vetë 155 deputetë – e di mirë që nuk mund t’i sigurojë 180 votat e nevojshme për votimin e Presidentit. “Ai madje as nuk heziton t’iu kërkojë tregjeve të sulmojnë vendin”, bëri të ditur përmes një deklarate partia opozitare greke e radikalëve të majtë. “Ai thjesht po mashtron, nëse mendon se duke rindezur të njëjtën çështje të vjetër, atë të daljes nga eurozona, do të terrorizojë popullin, i cili tashmë është asfiksuar nga programi i shpëtimit”.

Vendimi për ta sjellë më herët votimin për Presidentin është një lëvizje me rrezik të lartë, pasi ai i detyron ligjvënësit e partive të vogla të vendosin, nëse do të mbështesin planin e ndërlikuar politik të Samarasit, për ta tërhequr vendin jashtë rrezikut, apo ta fuqin vendin në pasigurinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke e futur edhe më tepër në krizë.

Investitorët janë shokuar nga rikthimi i papritur i trazirave politike në Greqi. Aksionet greke kanë rënë me 7 përqind gjatë së enjtes, duke rënë me 21 përqind deri më tani gjatë kësaj jave.

Kostoja e huamarrjes së vendit është rritur gjithashtu me shpejtësi gjatë këtyre ditëve, teksa borxhet 10-vjeçare janë rikthyer sërish në nivelet e paqëndrueshmërisë prej 9 përqind.

Votimi për të zgjedhur Presidentin e ri do të mbahet në tri raunde, duke nisur nga 17 dhjetori e duke përfunduar më 29 dhjetor. Zgjedhjet e parakohshme do të mbaheshin menjëherë në janar, nëse qeveria nuk merr mbështetjen e nevojshme, tha Samaras.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button