Politika

Samiti ballkanik në Selanik, Bushati: Po punojmë për të gjetur zgjidhje kompromisi

Bashkëpunimi ndërkufitar në një numër çështjesh me interes të përbashkët, ka qenë në qendër të bisedimeve në takimin e dytë ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë në Selanik, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Energjisë.
“Krahas sfidave të sigurisë jemi duke diskutuar edhe për bashkëpunimin policor dhe bashkëpunimin në fushën energjetike, kur dihet se ka projekte me rëndësi strategjike sa i përket rrugëve të energjisë, e kur dihet gjithashtu impakti që ka energjia jo thjesht në çështjen e sigurisë, në reduktimin e ndikimit të aktorëve të tretë në rajonin tonë”, deklaroi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Edhe nismëtari i takimit, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, e ka konsideruar këtë ministerial si një vend dialogu i sinqertë midis vendeve fqinje.
“Ne konsiderojmë se janë të dobishme për të gjithë këto lloj bashkëpunimesh dhe ky takim. Janë takime ku bisedojmë me sinqeritet të madh se çfarë mendojmë për të ardhmen dhe çfarë problemesh duhet të zgjidhim”, tha Kotzias.
Ndërkohë, kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati, në një intervistë për televizionin publik të Greqisë iu është referuar edhe temave, të cilat pala shqiptare ka në tryezën e bisedimeve me atë greke, për sa i përket planit të Himarës, varrezave të ushtarëve grekë, çështjes çame dhe ligjit të luftës.
“Ne ende nuk kemi mbyllur pasojat e Luftës së Dytë Botërore, si për sa i përket gjendjes së luftës, ashtu edhe sa i përket respektit për komunitetin çam”, deklaroi Bushati.
ERT3: Pikërisht për këtë pjesë të komunitetit çam… Janë ata, që Greqia nga ana e saj i konsideron si bashkëpunëtorë të nazistëve…?
“Po në fakt kjo është edhe sfida e marrëdhënieve ndërkombëtare, që shtetet ndajnë pikëpamje të ndryshme, e në fund të ditës demokracia është kompromis dhe besoj se ne jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi, që akomodon pikëpamjet dhe interesat e Shqipërisë dhe të Greqisë, sepse ky është një proces i vazhdueshëm”, u përgjigj ministri Bushati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button