Samiti i Beogradit për Sigurinë, debat Rama-Vuçiç për Kosovën dhe Trepçën
Në Samitin e Beogradit për Sigurinë, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç debatuan për Kosovën.
Në fillim, Vuçiç u ankua se Bashkimi Evropian po bënte shumë presion për Kosovën. “Serbia ka probleme me integritetin territorial dhe ky problem trajtohet ndryshe nga BE-ja dhe nga ne. Por, njerëzit duhet të dinë se kemi pasur mbështetje nga BE-ja kur kemi pasur përmbytje dhe kemi mijëra projekte në Serbi që mbështeten nga BE-ja”, tha Vuçiç, duke vazhduar më tej, duke thënë:
“Kam argumenta për të thënë se pala tjetër është fajtore, por nuk do t’i them. Unë them që me pasion do të vazhdojmë dialogun sepse është parakusht për zhvillimin ekonomik të një rajoni të tërë. E di që ka shumë njerëz në Serbi që nuk e kuptojnë atë që po them tani, që do të thonë se jam mik i shqiptarëve, por them që nuk do të jetë e lehtë për të gjetur më shumë kompromise”.
Përgjigjja e Edi Ramës ishte e qartë: “Për Kosovën nuk biem dakord fare. Unë them se sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, aq më mirë për të gjithë. Por, ka një proces që unë e mbështes: dialogu Prishtinë-Beograd. E përgëzoj përpjekjen e Aleksandar Vuçiç për të parë në të ardhmen, por nuk duhet të harrojmë se kur bëjmë dialog nuk flasim për historinë apo për patriarkun, por për popullin”.
Kryeministri shtroi edhe çështjen e Trepçës, gjë që e nervozoi dukshëm homologun e tij.
“Trepça është një minierë në Kosovë dhe ju çfarë bëni? E transportoni në Beograd? Ajo minierë i përket qytetarëve të Kosovës. Kjo ka të bëjë me ekonominë”, tha Rama.
Vuçiç ia ktheu duke thënë se në momentin që pa prezencë të madhe të medias kosovare, e dinte që “Edi do të bënte një politikë ditore”.
“Është politikan më i mirë se unë. Unë nuk thashë asgjë të keqe për homologët tanë nga Prishtina. Por, do të shpjegoj diçka: për Trepçën them se di më shumë se Edi. Nëse thotë se është çështje ekonomie, Prishtina bëri lëvizje të keqe për zhvillimin e saj. Nuk folën fare me serbët atje, por vazhduan procedurat dhe i shmangën ata. Jam i frustruar pasi kjo çështje na del këtu nga hiçi”.
Më herët, dy kryeministrat folën për procesin e integrimit në BE të vendeve respektive.
“Ne në Ballkan duhet të jemi të qartë: procesi i BE-së nuk është udhëtim për të shkuar diku sepse njerëzit e presin këtë nga ne, por është rrugë modernizimi për shoqëritë tona”, tha Rama, i cili më tej foli edhe për reformën në drejtësi.
“Kemi nisur një proces që ka qenë i paimagjinueshëm për Shqipërinë dhe sot kemi kaluar një paketë ligjore shumë radikale. Çdokush e ka të qartë: kjo nuk do të ishte e mundur pa mekanizmat e integrimit në BE. Nuk ka mekanizëm tjetër që të na lejojë të dalim nga rruga e një historie jo bujare dhe për të lëvizur përpara. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me Brukselin, por ne duhet të heqim dorë nga mënyrat fëmijërore”, theksoi Rama.
Ndërsa kryeministri Aleksandar Vuçiç deklaroi se marrëdhëniet e mira në rajon japin më shumë mundësi, por nga ana tjetër shtoi se nuk është shumë optimist për situatën në rajon.
“Sot kemi më shumë marrëdhënie me shqiptarët e boshnjakët. Nëse bëjmë gjëra bashkë, kemi më shumë mundësi. Nëse do të kemi marrëdhënie më të mira politike e tregtare, nuk do të kemi problemi për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Por, nuk jam shumë optimist për situatën në rajon. BE-ja gjithmonë vendos detyra të reja që përcaktohen në mënyrë burokratike”, tha Vuçiç.