Samiti i Berlinit, vazhdimësi e “kujdesit” për shtetin e ri të Evropës
Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, sipas analistëve politikë, e ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e shtetit gjerman për integrimin sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE).
Mirëpo, sipas tyre, vendosja e flamujve dhe pozicioni i kryeministrave Edi Rama dhe Hashim Thaçi nuk është bërë për shkak se ata të ndonjë respekti të veçantë të gjermanëve për ta, por për shkak se këtë e ka paraparë protokolli i kësaj iniciative.
Analisti Adri Nurellari ka thënë për Telegrafin se trajtimi i cili i është bërë Shqipërisë dhe Kosovës në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, nuk është diçka për t’u befasuar.
Sipas tij, arsyeja kryesore se pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë në qendër të vëmendjes në këtë samit, është sepse Shqipëria ka qenë kryesuese e radhës në iniciativën rajonale të vendeve të Ballkanit (The South-East European Cooperation Process – SEECP).
Ai ka theksuar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë dhe me bashkëpunim rajonal.
“Pastaj, z. Rama – edhe zyrtarisht – është kryesues i procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, që do të thotë se kjo iniciativë synon t’i integroj këto vende në Bashkimin Evropian, përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal. Kështu, Shqipëria duke qenë kryesuese e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) ka qarkulluar një dokument pune, i cili parashtron ide për nisma të përbashkëta në shkallë të gjerë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në katër fusha të mundshme”, ka vlerësuar Nurellari.
Për këtë arsye, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në prezantimin të cilin e bëri, foli në emër të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nurellari më tej ka shtuar se Kosova ende e ka vëmendjen e shtetit gjerman, për shkak se sipas tij, është vendi i cili përballet me sfidat më të mëdha në rajonin e Ballkanit.
Ai ka theksuar se Kosova është çështja e fundit e pazgjidhur plotësisht në këtë pjesë të Evropës, sepse sipas tij, Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me ç’rast ende vazhdon dialogu në mes dy shteteve.
“Kjo iniciativë dhe të tilla si kjo tentojnë që të rrisin ndërveprimin dhe ndërvarësinë në mes të vendeve të rajonit, gjë e cila do të ndikonte medoemos edhe në zhvillimin ekonomik të tyre. Varfëria është njëri nga burimet kryesore të fertiletit, nacionalizmave, mllefeve dhe marazeve ekstreme në mes popujve të Ballkanit. Ndërtimi i infrastrukturës rajonale dhe nxitja e ndërvarësisë së tregtisë midis këtyre vendeve është një mënyrë e mirë për të rritur shkëmbimin dhe ndërvarësinë, mirëpo edhe për të ulur mundësinë për konflikte eventuale në mes tyre. Republika e Kosovës për arsye specifike ka mbetur prapa vendeve të rajonit në rrugën e integrimeve evropiane, dhe atë jo për faj të vetin, por për rrethana të caktuara historike. Kosova duhet t’i arrijë vendet fqinje në rrugën e integrimeve evropiane, ndonëse ato këtë proces e kanë filluar shumë më herët këtë rrugëtim”, ka shtuar Nurellari.
Analisti tjetër Nexhmendin Spahiu, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se përkrahja e shtetit gjerman ndaj shqiptarëve (Kosovës dhe Shqipërisë) është diçka e pritshme.
Sipas tij, gjermanët janë ndër krijuesit kryesor të shtetit shqiptar (kombit shqiptar) dhe shtetit kosovar (kombit kosovar).
Ai më tej ka thënë se shteti i Kosovës është kreaturë e shteteve të cilat kanë marrë pjesë në ndërhyrjen ushtarake ndaj Serbisë në vitin 1999, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe gjermanët.
“Unë mendoj se Kosova duhet të zhvillojë marrëdhënie të mira me gjithë popujt në rajon dhe më gjerë, mirëpo asnjëherë nuk duhet të harrohen ata që kontribuan në kohët më të vështira. Gjermanët, anglezët, amerikanët dhe turqit e kanë hisen më të madhe në krijimin e shtetit të Kosovës. Konsideroj se pozicioni i liderëve shqiptarë brenda Samitit për Ballkanin Perëndimor, duhet të kuptohet si vazhdimësi e interesimit të gjermanëve për shtetin e ri në Evropë”, ka thënë Spahiu për Telegrafin.
Sipas tij, participimi i shtetit gjerman në krijimin e shtetit të Kosovës është njëri nga arsyet se pse ata ende qëndrojnë prapa këtij investimi, “e kjo mund të shihet përmes përkrahjes së vazhdueshme të cilën e kanë dhënë shteti më i fuqishëm në Evropë Republikës së Kosovës”.
Ndërsa, profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi, ka theksuar se nuk ka vend për eufori nga ajo që është parë në samitin për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Berlin.
Sipas tij, është në agjendën e shtetit të Gjermanisë t’i trajtojë të gjitha shtetet e Ballkanit në mënyrë të barabartë.
Fakti që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në emër të vendeve pjesëmarrëse, është se Shqipëria është kryesuese e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
“Pozicioni i kryeministrave brenda Samitit është si pjesë e protokollit. Vendosja nëpër vende, sipas tij, bëhet në bazë te renditjes së shteteve. Renditja bëhet në bazë të gjuhës angleze ose në bazë të gjuhës franceze. Nuk kemi të bëjmë me favorizimin të ndonjë shteti”, ka thënë ai për Telegrafin.
Baliqi ka theksuar se edhe Serbia është munduar që mbajtjen e Samitit ta paraqet si një triumf të tyre, sepse sipas tij, ata kanë arritur që t’i fitojnë disa projekte madhore.
“Serbia, si fitore e paraqesin atë se autostrada Nish-Prishtinë do të financohet nga Bashkimi Evropian (BE), e po ashtu edhe fillimin e disa projekteve tjera të infrastrukturës. Ajo që duhet të bëhet e qartë është se Samiti nuk ka të bëjë me liderë dhe as me shtete të caktuara, dhe nuk duhet të shfrytëzohet për marketing politik. Aty u pa se qëndrimi i Gjermanisë ishte i qartë, duke theksuar fuqishëm se korrupsioni është njëri nga problemet (pengesa kryesore) pothuajse tek të gjitha vendet pjesëmarrëse. Edhe pse kjo porosi nuk iu pëlqeu shumë liderëve pjesëmarrës, konsideroj se ishte një mesazh i qartë se nga duhet ta drejtojnë ata fokusin dhe punën e tyre”, konstatoi Baliqi.