Samiti i Vjenës, Ahmetaj: Qeveritë dhe kompanitë të ndihmojnë rritjen ekonomike të vendeve
Në kuadër të punimeve të Samitit të Vjenës, ministrat e Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të gjashtë vendeve anëtare të BE, zhvilluan një tryezë diskutimi me përfaqësuesit e dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor dhe të 11 krerëve të kompanive të mëdha austriake. Shqipëria përfaqësohej në këtë takim nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Tema e tryezës ishte integrimi ekonomik rajonal, sugjerimi i fushave dhe projekteve konkrete të bashkëpunimit, por edhe se si kompanitë e huaja e shohin rajonin e Ballkanit.
Duke folur për ekonominë shqiptare dhe rajonin, ministri Ahmetaj tha se, qeveritë dhe kompanitë së bashku duhet të kontribuojnë për të ndihmuar rritjen ekonomike të vendeve.
“10 vjet më parë gati 80% e ekonomisë së rajonit furnizohej përmes kreditimit. Sot që flasim, niveli i kreditimit ka zbritur ndjeshëm nga nivelet e para 10 viteve, e megjithatë, ekonomitë tona po rriten. Ky është rezultati i reformave strukturore në ekonomi. Ky është rezultat edhe i Investimeve të huaja direkte. Në tremujorin e parë të vitit 2015, kreditimi ishte në nivelet 2%, por rritja ekonomike arriti 2.82%, ndërsa Investimet e huaja direkte shënuan nivelin më të lartë në 20 vjet, për të njëjtën periudhë”, tha Ahmetaj.
Duke folur për klimën e biznesit dhe investimeve, ministri Ahmetaj tha se, beson fort tek rregullimi i ekonomisë, heqjen e barrierave proceduriale, reduktimin e burokracisë dhe shkurtimin e kohës dhe kostos për sipërmarrjen. Ai përmendi gjithashtu lehtësitë që ligji i ri për investimet strategjike dhe koncesionet do të ofrojë për investitorët.
Christoph Leitl, President i Dhomës së Tregtisë së Austrisë, në fjalën e tij të hapjes u shpreh se, Bashkimi Europian nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Realitetet e reja nënkuptojnë mundësi dhe sfida të reja, të cilat duhet t’i adresojmë së bashku.
Nga ana e tij, Komisioneri Hahn e vuri theksin tek reformat strukturore që vendet e Ballkanit kanëndërmarrë me qëllim garantimin e rritjes dhe stabilitetit ekonomik, ndërsa u shpreh se energjia, energjia e rinovueshme, promovimi i sipërmarrjes tek të rinjtë dhe trajnimi professional duhen pare si fusha me interes të përbashkët mes BE dhe rajonit.