“San Pietro Resort” në Gjirin e Lalëzit, Rama: Turizmi shqiptar si ai malazez, drejt strukturave me 5 yje
Turizmi shqiptar duket se do të orientohet nga strukturat luksoze me pesë yje, të ngjashme me ato që gjenden në Turqi. Kryeministri Edi Rama nga qyteti i Durrësit, bëri me dije se së shpejti do të nisë ndërtimi i resortit të parë me pesë yje në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Bëhet fjalë për “San Pietro Resort”, që do të zhvillohet nga kompania shqiptare e ndërtimit Edil al.
Mungesa e turizmit e gjen shpjegimin tek kaosi dhe mungesa e vizionit në Shqipëri. Nuk ekzistonte as struktura hoteliere minimale për të pritur turistët. Një turizëm i zhvilluar me gjeneratorë, me plazhe të rrethuar me tela me gjemba, me ujëra të zeza që derdheshin në det dhe me një varfëri të ambicies. Në këto 3 vite e gjysmë nuk janë bërë mrekulli, se është e pamundur që kaq shpejt të zhbësh gjërat e bëra në çerekshekulli, por kemi ecur përpara për Shqipërinë që duam”, – tha Rama.
Gjithashtu kryeministri Rama u shpreh se kishte marrë shkas nga ideja e homologut të tij malazez për ndërtimin e strukturave me 5 yje, sipas të cilit i kishte sjell bum turistësh vendit fqinj Malit të Zi.
“Shqipëria po bëhet një vend gjithnjë e më atraktiv. Ka një avantazh që është në zhvillim e sipër. Me zi presim të shohim investimin e radhës në zonën e Dhërmiut, për ndërtimin e një rezorti me 5 yje. Jemi në finalizim të proceseve të tjera dhe në Divjakë. Do ndryshohet harta turistike në Shqipëri. Kjo do t’u japë mundësi jo vetëm rritjes së punësimit, por edhe zonave rurale rrotull”, tha kryeministri Rama.
Projekti “San Pietro Resort”, synon që në gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe ndërtimi nga të cilat, 98.600 m² do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort.
Gjiri i Lalëzit, në mes të një pylli të bukur, i pacenuar nga vala e ndërtimeve që pasoi Durrësin fill pas viteve 1990, aktualisht po zhvillohet përmes modelit të fshatrave turistikë.
Lura 1, Lura 2, Peshkatari, Val Mare, New Born, Perla, janë vetëm disa nga fshatrat turistikë në Gjirin e Lalëzit. Një banesë atje tashmë është një status social. Politikanë dhe biznesmenë të njohur kanë rezidencat e pushimit në Lalëz.
Disa prej këtyre investimeve kanë rezultuar edhe flluska, siç ishte rasti Lalzit Bay, që për vite me radhë reklamoi ndërtimin e vilave luksoze, duke pasur si objektiv kryesor të huajt, por së fundmi ka falimentuar dhe toka u është kthyer pronarëve.
Investimet në sektorin e ndërtimit janë zhvendosur vitet e fundit në ndërtimin e vilave në bregdet. Por ndërtimet reja në bregdet nuk po orientohen drejt një modeli për të rritur vlerën e sektorit. Investimet po përqendrohen në ndërtimin e fshatrave turistikë duke ofruar vila luksi për klientët e kësaj kategorie, teksa projektet për ndërtimin e resorteve që do t’i sillnin të ardhura ekonomisë së vendit, kanë mbetur në sirtar.
Kompanitë që kanë marrë leje për ndërtimin e vilave personale kanë brenda projekteve edhe ndërtimin e hoteleve për turizëm, por këto investime janë planifikuar të kryhen në faza më të vonshme, për shkak se kthyeshmëria nga investimi në ndërtimin e vilave është shumë më e shpejtë se nga resorti.