Sanksionet/ Basha: Departamenti i Thesarit tregoi si i fitoi Rama zgjedhjet. Rakipi, Doshi e Dako bedelët e masakrës zgjedhore
Lulzim Basha ka reaguar sërish sot lidhur me sanksionet ekonomike të njoftuara një ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Thesarit.
Në një postim në facebook, Basha shkruan se me sanksionet Departamenti i Thesarit konfirmoi se si i fitoi Rama zgjedhjet në 2017 dhe 2021, ndërsa i quan Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako, të sanksionuar nga SHBA si bedelë të kryeministrit në masakrën zgjedhore.
“Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim.
Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet:
“Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021.
Kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri ynë strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve”, shkruan Basha.
Kujtojmë se një ditë më parë, SHBA-të kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi, për përfshirje në veprimtari kriminale.
Në rastin e Rakipit, pyetja kryesore është mbi dy të afërmit e tij, dhëndrin e të vëllait dhe djalin, të dy anëtarë të Kuvendit, të dy të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla dhe Ornaldo Rakipi. Top Channel pyeti një zyrtar të lartë amerikan të Thesarit edhe për këtë çështje.
Përgjigja ishte se “pasojat janë për individët e përmendur, pra Rakipin në këtë rast, por po mblidhen prova dhe për çdo njeri tjetër sepse mesazhi është: Nuk duam individë të tillë të kenë këto pozita në shoqërinë shqiptare, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit.
Ndërkohë një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Top Channel se po shqyrtohet mundësia që edhe persona të shpallur ‘non grata’, në bazë të seksionit 7031, pika c, t’i nënshtrohen të njëjtave sanksione ekonomike, si Rakipi dhe Ndroqi. Ndërkohë një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit, i tha Top Channel se vendimet janë sinjale sesa seriozisht shtetet e bashkuara marrin korrupsionin, pasi korrupsioni është problemi kryesor i Ballkanit.
Pas shpalljes së vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit, djali i Aqif Rakipit, deputeti socialist Ornaldo Rakipi foli për herë të parë para mediave ndërsa hynte në Parlament, duke u shprehur se babai i tij është i pastër dhe se është i gatshëm të japë dorëheqjen si deputet nëse veprimet kriminale vërtetohen.
Ish-kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit (UBK) Sasho Mijalkov dhe ish-kryeprokurorja e Prokurorisë së Shtetit në Bosnje Hercegovinë, Gordana Tadiç janë në të dyja listat, edhe ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit, edhe të sanksionuar ekonomikisht nga Departamenti i Thesarit.
Gjithashtu u sanksionuan Asim Sarajlic, deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Svetozar Marovic,politikan malazez që shërbeu si kreu i fundit i qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri deri në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në 2006.